Kulturë

Teatri Kombëtar shtatë muaj pa udhëheqës artistik

Foto: Driton Paçarada / KD

Teatri Kombëtar i Kosovës qysh prej qershorit të vitit të kaluar ka mbetur pa udhëheqës artistik.

Kjo pozitë është një nga dy më të rëndësishmet në hierarkinë udhëheqëse të teatrove publike në Kosovë. Madje sa i përket nivelit artistik të këtij institucioni, përgjegjësinë më të madhe e mban udhëheqësi artistik, shkruan Koha Ditore.

Por MKRS-së nuk i ka shkuar mendja as për konkursin e pozitës së drejtorit të përgjithshëm të TKK-së. Agim Sopi e kishte marrë këtë detyrë me mandat katërvjeçar më 21 janar të vitit 2016.

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi, ka thënë se Këshilli Drejtues i Tetarit është organi që duhet t’i kërkojë Ministrisë së Kulturës që të hapen konkurset për dy pozitat menaxheriale në Teatër.

Por Fisnik Ademi, i cili kryeson Këshillin Drejtues të TKK-së, ka thënë se në bazë të disa bisedave që ka pasur me zyrtarët ministrorë i kanë thënë se aktualisht nuk mund të hapen konkurse.

“Më kanë thënë se duhet miratuar disa rregullore të reja sa u përket konkurseve për pozita publike”, ka thënë Ademi. Sipas tij, Këshilli Drejtues do të kërkojë që të hapen konkurset.

“Aktualisht sa i përket udhëheqësit artistik jemi me Adrian Morinën si ushtrues detyre, kurse drejtorit të përgjithshëm i përfundon mandati më 18 janar. Ne do të konsultohemi me Ministrinë e Kulturës dhe do të kërkojmë që të hapen konkurset”, ka thënë Ademi.

Sa i përket pozitës së drejtorit të përgjithshëm, regjisori Agim Sopi ka thënë se më nuk do të konkurrojë për këtë pozitë. Ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga Këshilli Drejtues në mars të vitit 2018. Tek në tetor të atij viti ishte kthyer pas një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil.

Por TKK-ja nuk është i vetmi institucion teatror në Kosovë që është në hall me mungesë të zyrtarëve në pozita menaxheriale....(Më gjerësisht lexoni sot në “Kohën Ditore”)