Kur jeni frikësuar për të fundit herë? A jeni frikësuar ndonjëherë për jetën tuaj? Ia keni mbathur apo keni luftuar?
“Të gjashtët kundër Turqisë” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, produksion i “Qendrës Multimedia” të Prishtinës, është rrëfim për guximin. Për njerëzit në hall, për të cilët – përveç kur shërbejnë për klika – kryesisht heshtet.
E, më 2018, gjashtë persona u arrestuan në Kosovë dhe u ekstraduan në Turqi, me dyshimin se ishin pjesëtarë të lëvizjes së Fetullah Gülenit, i cili akuzohet se nxiti grusht shtetin kundër regjimit të Erdoganit në vitin 2016.
Më e rëndësishmja, “Të gjashtët kundër Turqisë" është një rrëfim për luftën për pushtet, marrëdhëniet e pushtetit, abuzimin me pozitën, brishtësinë e demokracisë e cila qysh në Greqinë antike ka rënë në qorrsokakët e autokracisë. Prandaj titulli parafrazon dramën e Eskilit ”Të shtatë kundër Tebës”.
Jeton Neziraj ka shkruar dramë frymëzuese satirike në të cilën, në tre akte – “Fragmente të jetës në Stamboll”, "Fragmente të grusht shtetit të dështuar, “Fragmente të historisë së rrëmbimit me marrëveshje paraprake“ – përshkruan sfondin e vetë ngjarjes rreth ekstradimit të shtetasve turq nga Kosova, duke i konsideruar ata si të pafajshëm dhe të arrestuar padrejtësisht.
Jetoni përdor metodën e sprovuar me të cilën artisti ka të drejtë t’i quajë personazhet realë si të trilluar, ndonëse çdo ngjashmëri me ta është e qëllimshme, në kuptimin e provokimit karakteristik të teatrit politik bashkëkohor.
Edhe
“Të gjashtët kundër Turqisë” në përballje me autokracinë
Futja në përdorim e personazheve si Karagjozi dhe Haxhivati, për të cilët legjenda thotë se u ekzekutuan me urdhër të Sulltanit, për t’u bërë shenjë mbrojtëse e teatrit turk të hijeve, nismon interpretimin se shpirti i popullit nuk thyhet dot, se arti është një realitet më i lartë sesa vullneti i sundimtarit a i perëndive, në rastin e tregimit grek për Tebën.
Nivel i veçantë tërheqjeje dhe madje absurditeti i gjithë persekutimit të terroristëve të dyshuar është se në mesin e tyre është edhe macja Zoja, e cila në mënyrë të veçantë e përjeton dhe përfaqëson botën e njerëzve. Është fort emocionuese marrëdhënia e saj me Emelin, vajza babai i së cilës, mësues kimie, është një nga të arrestuarit dhe të ekstraduarit.
Me çmimin e pamundësisë për të ndjekur tërësinë e rrëfimit, me ndërrim skenash në rafal dhe vazhdueshëm ku aktorët ndryshojnë rrjedhën e ngjarjes, Blerta Neziraj arrin një nivel edhe më të lartë satire dhe absurditeti në shfaqje. Rrit ndjenjën e përhumbjes kur bëhet fjalë për individë në kaosin e ngjarjeve të caktuara politike.
Regjia është edhe më fragmentare sesa teksti, duke e bërë lojën të ngjeshur. Dua të them të gjallë e të çmendur për nga kreativiteti, aq sa estetika e saj, pos te kukullat (që u japin aktorëve të mrekullueshëm një angazhim shtesë) është shumë afër teatrit të kërcimit dhe të lëvizjes (koreografia e Gjergj Prevazi).
Kostumografi Blagoj Micevski realizoi kostume po aq të “çmendura” të cilat personazhet, pra njerëzit që portretizojnë, herë i shndërrojnë në tullumbace, herë në peshq. Në një moment, maskat e Erdoganit dhe Gülenit shumohen në maskat e Trumpit, Putinit, Netanyahut, Orbanit, duke “mjegulluar” se sa lehtë njerëzit mund të bien nën “tonën dhe të tyren”.
Mbase skena kryesore është ajo e shkruara. Jeta bën regji. Apo siç thuhet në skenë prej aktorëve – në sojin dokumentar a la (Oliver)Frljiq / (Andras) Urban – për nevojat e shfaqjes, me audicione janë angazhuar disa aktorë turq, të cilët kanë ikur “me listë” prej kastës. Jo fill. Dolën njëri pas tjetrit.
Edhe
Prizreni dorëzohet sërish duke anuluar “Të gjashtët kundër Turqisë”
Kur sot guximi qytetar është i rrallë, edhe më e rëndësishme është ndonjë deklaratë e herëpashershme e lirisë (artistike). Frika fiton!?
Marrë nga dnevnik.rs. Përktheu: KOHA