EXPRESS

“Të gjashtët kundër Turqisë” në përballje me autokracinë

Është një përballje që e njeh gati krejt bota. Por beteja midis dy krahëve do të prekte edhe Kosovën. Në vitin 2018 do të bënte bujë lajmi se 6 shtetas turq ishin deportuar nga Kosova për në Turqi me kërkesën e shtetit turk. Diskutimet për shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut ishin të zëshme. Pikërisht me këtë temë merret shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Nezirajt.

Shfaqja që ka pasur premierën të mërkurën mbrëma thellohet tek ajo që njihet si tentimi për grusht shtet në Turqi më 2016. Nëpërmjet teatrit sjell përballjen midis presidentit turk Recep Tayyip Erdogan e klerikut në ekzil, Fetullah Gülen. Midis viktimave janë edhe gjashtë turq që në një mëngjes ndalohen në Kosovë e iu dorëzohen agjentëve të Agjencisë Kombëtare Turke të Inteligjencës. Shfaqja i sjell ata si viktima të luftës midis njerëzve të fuqishëm që synim kanë marrjen a mbajtjen e pushtetit.

Produksioni i qendrës “Multimedia” kishe nxitur reagime edhe para premierës, duke u konsideruar nga mediat turke si propagandë gyleniste në Kosovë. Por ndryshe shihet nga bota teatrore e  nga ata që besojnë se arti duhet të jetë zë i viktimave.

“Kjo shfaqje është brenda poetikës e Jetonit e të Blertës. Në këtë shfaqje dhe në të tjerat duhet cekur edhe regjia tepër inventive dhe efektive. Gjatë shfaqjes mundohesha ta definoj këtë poetikën e dramaturgjinë e Jetonit dhe te Blertës. Më shkonte mendja te ‘po etik’ pasi gjithmonë etik është dhe shfaqjet i ka direkte duke goditur fenomenet antidemokratike e fashiste duke i punuar pa zbutje e makijazh”, tha kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi.

Shtrirja e ndikimit të pushtetit turk përtej kufijve të Turqisë është shqetësimi bazik mbi të cilin ndërtohet rrëfimi i krejt dramës. Aty me ironi shpaloset se hatri i disa pushimeve në rivierën turke pushtetarët kosovarë vendosin që gjashtë veta t’ua dorëzojnë autoriteteve turke.

“Na ka interesuar se si është e mundur në një shtet që proklamon veten demokratik e ku çështje e të drejtave të njeriut, që është themel kushtetues, nëpërkëmbet si diçka e pavlerë dhe e rëndësishme. Mandej është dashur të shohim tutje edhe brenda zhvillimeve politike në Turqi. Por Turqinë e kemi marrë si shembull. Më tepër na ka interesuar se si shtetet të ndryshme e shoqëri të ndryshme kanë tendencë që të lëvizin nga autokracia”, tha dramaturgu Jeton Neziraj.

Shfaqja ngre zërin për tendenca autoritative jo veç në Turqi, por edhe në vende të tjera të Evropës e të botës. Është njëfarë valleje e pushtetarëve që kujdesen për mirëqenien e tyre e nuk kursejnë jetët e njerëzve të pafajshëm. E njëkohësisht shtrohen pyetje se deri ku mund shkojnë tendencat diktatoriale.

“Siç e thanë edhe aktorët shpresojmë që kjo shfaqje të prekë ose të ngre zërin për një dukuri a fenomenin kudo që dikush mund të jetë rob shkaku i fjalës së lirë në çdo vend. Kjo është më e rëndësishme e po ashtu shfaqja edhe është shumë e pasur me lojë teatrore, regji e tekst sikur në dramat e Jetonit ku vërehet freskia e publiku nuk mund të qëndrojë rehat përballë sa që thuhet”, deklaroi Erson Zymberi.

Në kastë të aktorëve ishin menduar edhe turq, por dy të angazhuar ishin tërhequr shkaku i mundësisë që mund  të përballeshin me pasoja. Shteti turk viteve të fundit ka burgosur edhe artistë që me veprat e tyre gjoja rrezikojnë rendin publik.