Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Table Stories” – një rrëfim i vërtetë nga ëndërrimtarët e harruar

Sensibilizimi i shoqërisë, në veçanti i institucioneve, për mungesën e hapësirave sportive dhe ëndrrat e të rinjve, janë synimet e ekipit të filmit “Table Story” që tashmë ka përfunduar xhirimet, përkundër vështirësive në kohë pandemie e në mungesë mjetesh nga Ministria e Kulturës, për shkak të burokracive. Mesazhi jepet me tregimin për një tavolinë të pingpongut që endet nëpër bodrume, salla dasmash e garazhe të Prizrenit

Ëndrrat e të rinjve dhe kriticizmi ndaj institucioneve, janë dy anët e filmit “Tables Stories”, nën regji të Samir Karahodës. Projekti i shkurtër filmik hibrid, i zhanrit doku-fiction, është në mesin e filmave të xhiruar në kohë pandemie. Regjisori Karahoda ka thënë për KOHËN se nëpërmjet këtij rrëfimi synojnë të sensibilizojnë shoqërinë, në veçanti institucionet, për mungesën e hapësirave sportive dhe për ëndrrat e të rinjve. Mesazhi jepet me tregimin për një tavolinë të pingpongut që endet nëpër bodrume, salla dasmash e garazhe të Prizrenit.

Edhe pse produksioni u ballafaqua me vonesa për shkak të pandemisë. Ishte menduar të nisnin xhirimet në mars, por u shtynë për shtator të vitit të kaluar. Ekipi i përfundoi me sukses të gjitha skenat e parapara të filmit.

Skenari, i shkruar po ashtu nga Karahoda, bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të pingpongut, që pas pranimit në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut me të drejta të plota e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje.

Kjo situatë i nxit dy entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Por ata nuk janë të vetëdijshëm se çfarë i pret. Pikërisht rrugëtimi i sportistëve është edhe në qendër të “Table Stories”.

Regjisori Karahoda ka thënë se Jeton Mazreku, Ermegan Kazazi dhe Rifat Rifati, protagonistët kryesorë të filmit, edhe pse pa përvojë aktrimi, arritën që t’i rikrijojnë skenat me të cilat ata janë ballafaquar gjatë përpjekjeve në riaktivizim të klubit të pingpongut.

Edhe Fillojnë xhirimet e filmit të shkurtër hibrid “Table Stories” Kulturë Fillojnë xhirimet e filmit të shkurtër hibrid “Table Stories”

“Filmi në fakt gërsheton tregimin e së kaluarës, të rikrijuar në kushtet e sotme dhe ka një numër shumë të madh të protagonistëve dytësorë, angazhimi i të cilëve mundësoi realizimin e të gjitha skenave sipas planit fillestar”, ka thënë Karahoda.

Sipas tij, ani pse filmi ka edhe elemente fiksioni, ishte një përvojë krejt tjetër puna me protagonistë sportistë, pasi entuziazmi për të treguar historinë dhe të vërtetën e tyre, më së miri e shpjegon edhe dashurinë ndaj këtij sporti dhe vendit.

“Përmes këtij rrëfimi duam të sensibilizojmë shoqërinë, në veçanti institucionet për mungesën e hapësirave sportive dhe dëshirën e madhe të rinisë për të realizuar ëndrrat e tyre në një vend të pashpresë”, ka thënë Karahoda.

Filmi është xhiruar në Prizren dhe rrethinë, në ambiente të ndryshme ku protagonistët janë stërvitur asokohe, si dhe në hapësirat e qendrës sportive “Sezai Surroi” ku sot funksionon klubi i pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, prej ku kanë ka dalë një numër shumë i madh i pingpongistëve më të suksesshëm të Kosovës.

Projekti është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës, Komuna e Prizrenit në koproduksion me Televizionin Kulturor ARTE dhe mbështetur në logjistikë nga “DokuFesti”.

Producenti i filmit Eroll Bilibani ka thënë se produksioni u finalizua pa i pranuar mjetet financiare për shkaqe burokratike në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ky projekt nuk do të mund të realizohej pa angazhimin e sinqertë të protagonistëve dhe të pingpongistëve të rinj, të cilët ishin në kohë gatishmërie sa herë që na duhej t’i rikrijonim skenat”, ka thënë ai. Po ashtu, ka shtuar se u janë mirënjohës të gjithë atyre që ua kanë mundësuar shfrytëzimin e hapësirave në realizimin e skenave të filmit, dhe gjithë ekipit që u angazhuan pa u kompensuar me kohë", ka thënë ai, duke shtuar që njëjtë edhe pjesëtarët e ekipit të filmit e shijuan fatin e pingpongistëve.

Image

“Përmes këtij rrëfimi duam të sensibilizojmë shoqërinë, në veçanti institucionet për mungesën e hapësirave sportive dhe për dëshirën e madhe të rinisë për të realizuar ëndrrat e tyre në një vend të pashpresë”, ka thënë regjisori dhe skenaristi i “Table Stories”, Samir Karahoda


Ideja për këtë film kishte nisur te një rrëfim i pasluftës së fundit në Kosovë. Një mik i regjisorit, i cili për një kohë të gjatë jetoi në Gjermani, ishte kthyer për të jetuar në Kosovë. Ishte moler me profesion, por në të njëjtën kohë ushtronte edhe sportin e pingpongut si lojtar profesionist.

Edhe Borxhe, burokraci e vonesa – “skenari” i filmave vendorë deri te suksesi Shtojca për Kulturë Borxhe, burokraci e vonesa – “skenari” i filmave vendorë deri te suksesi

“Table Stories” është filmi i dytë i regjisorit nga Prizreni. Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A.

“Table Stories” është xhiruar në formatin e quajtur akademik 1:1, një format tepër sfidues për xhiruesin, ku hapësira fotografike është mjaft e ngushtë dhe kërkon kujdes dhe planifikim mjaft të detajuar për të përfshirë apo vendosur elementet në kuadër. Televizioni franko-gjerman “ARTE” i ka blerë të drejtat për transmetim premierë të filmit që tashmë do të kalojë në fazat e tjera të zhvillimit.