Jo pak zyrtarë shtetërorë mburren me sukseset e kinematografisë së Kosovës, e cila dita-ditës por dëshmohet në arenën ndërkombëtare duke e çuar emrin e vendit edhe në festivalet më kulmore. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Deri te konkretizimi i projekteve filmike ekziston edhe një “skenar” paralel, e “skenat” e tij janë borxhet, burokracitë, procedurat e tejzgjatura, vonesat e alokimit të mjeteve. Jo rrallë realizohen edhe pa mjetet e zotuara të shtetit, si rasti i “Pa vend” që ato i mori tek pasi u zyrtarizua në garë për “Palmën e Artë”
Me të nisur xhirimet për projektin e dytë filmik të regjisorit Samir Karahoda, “Table Stories” – që tashmë ka marrë titullin “Pa Vend” – u theksua se bëhet fjalë për një rrëfim mbi lojën e shtetit me ëndrrat e të rinjve. Me të përfunduar xhirimet, u vu në pah një lojë tjetër e shtetit: ajo me filmbërësit kosovarë.
Produksioni u finalizua pa i pranuar mjetet financiare. Edhe kur ky dokumentar bëri histori si i pari produksion vendor që garon për “Palmën e Artë”, ekipi ishte në pritje të finalizimit të pagesave. Ato u kryen pas takimit që ekipi pati me ministrin e Kulturës, ku u diskutua pikërisht për suksesin e 15 qershorit kur u dha lajmi se “Pa Vend” u kualifikua në Festivalit e Filmit në Cannes.
Prej entuziazmit e ndjekjes së ëndrrave deri te dekurajimi
Rrëfimi me frakturë dokumentare që ka në fokus disa sportistë të pingpongut dhe rrëfimet e tyre, ka të bëjë me fenomenin ku fëmijët, rinia e sotme, entuziastët e sportit, përkundër dëshirës për t’u marrë me sport, nuk kanë ku t’i ndjekin ëndrrat e tyre.
Njëlloj si entuziastët e dokumentarit që mbesin duke bartur një tavolinë të pingpongut nëpër bodrume, salla dasmash e garazhe të Prizrenit, njashtu edhe kineastët mbesin duke dërguar dokumentet e projekteve filmike nga një zyrë e Qendrës Kinematografike të Kosovës nëpër zyra të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo po sjell vonesë në pagesat e që sipas filmbërësve po ndodh për shkaqe burokratike në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjithë situata është dekurajuese për filmbërësit.
Filmi për të cilin Karahoda ka shkruar edhe skenarin është projekt që bazohet në ngjarjet e pjesëtarëve të pingpongut që pas pranimit me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Pingpongut e kuptojnë që nuk kanë hapësirë për stërvitje. Kjo situatë i nxit dy entuziastë të mobilizohen për ta riaktivizuar klubin e pingpongut dhe përgatitjet për gara të mëdha ndërkombëtare. Asnjë nga personazhet e filmi nuk është paguar.
Xhirimet për “Pa Vend” janë bërë në qendrën sportive “Sezai Surroi” në Prizren dhe kanë përfunduar në javën e dytë të marsit. Projekti filmik i shkurtër dokumentar ishte mbështetur në vitin 2019 nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 15 mijë euro. Regjisori Karahoda njihet për debutimin e tij me dokumentarin “Në mes”, projekt me të cilin më 2019 për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve të shquara të Kategorisë A.

Papërgjegjësia institucionale – pjesë e jetës së kineastëve
Regjisori Karahoda ka thënë se filmbërësve u janë bërë pjesë të jetës papërgjegjësia institucionale dhe neglizhenca e tyre ndaj qytetarëve.
“Në vend se institucionet të na e lehtësojnë punën në këto kohë të vështira, ata na e komplikojnë edhe më tepër”, ka thënë Karahoda. “Është demotivuese pasi që në të ardhmen gjithkush do të hezitojë të vijë e të bashkëpunojë nëse e di që nuk ka me i marrë ato që i ka merituar. Politikat shtetërore duhet të jenë të tilla që t’i stimulojnë dhe motivojnë të rinjtë, por edhe profesionistët. Nëse vazhdon kështu nuk kemi pse ta maltretojmë edhe veten që të bëjmë diçka për vendin”, ka thënë ai.
E producenti i filmit Eroll Bilibani ka thënë se produksioni u finalizua pa i pranuar mjetet financiare për shkaqe burokratike në MKRS.
“Ne e përfunduam filmin, u pranuam në Cannes, ende jemi duke i pritur, po shpresojmë që këto ditë do të realizohen dhe shpresoj që do të mund t’i kompensojmë të gjithë ata që kanë punuar në film”, pati treguar ai në “Express” pas takimit me ministrin Hajrullah Çeku, më 16 qershor. Duke theksuar rëndësinë e garës për “Palmën e Artë”, pati ngritur edhe paralele. Kishte treguar se e gjithë situata i kishte bërë që të mendonin se mos ata ishin duke u kthyer në personazhe të një filmi tjetër. Në fund të qershorit Bilibani do t’ia konfirmonte KOHËS se mjetet financiare i ishin bartur.
Bllokues edhe të diplomacisë kulturore
Producenti Bilibani ka thënë se në një kohë kur kinematografia e Kosovës e bën një përfaqësim shumë dinjitoz në skenën ndërkombëtare të filmit, burokracitë e tilla janë jo vetëm pengesë, por edhe bllokues të diplomacisë kulturore për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Shpresojmë që MKRS-ja shumë shpejt do të krijojë mekanizma shumë më funksionalë në menaxhimin e fondeve për kinematografi duke ua mundësuar kineastëve të krijojnë dhe të vazhdojnë me promovimin e Kosovës si një vend i vogël në një qosh të Evropës që prodhon filma që mund të shfaqen anembanë botës”, ka thënë ai. Sipas tij, filmat e realizuar nga autorët vendës mund të kenë ndikim shumë më të fuqishëm diplomatik edhe në shtetet që ende nuk e njohin Kosovën.
Probleme me pagesa ka pasur edhe ekipi i filmit debutues i metrazhit të gjatë i regjisores Norika Sefa.
“Në kërkim të Venerës”, në fillim të vitit mori Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam, dhe triumfoi në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong-Kong, në kategorinë “Young cinema Competition (World)”, ku mori çmimin për regjinë dhe aktoren më të mirë për Kosovare Krasniqin. Të shtunën e 26 qershorit, qe po aktorja Kosovare Krasniqi që mori çmimin “Aktorja më e mirë”, në edicionin e 36-të të Festivalit të Filmit në Valencia.
Shtimi i rrathëve të burokracisë, pasojat e keqmenaxhimit
Besnik Krapi, producent i filmit “Në kërkim të Venerës”, për të cilin QKK-ja ka ndarë 200 mijë euro, ka pohuar se ka vonesa në projekte.
“Ka vonesa për pothuajse çdo projekt dhe kjo është pengesa kryesore e produksioneve, që është rezultat i burokracisë në administratën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, ka thënë ai.
Edhe producenti i filmit “Galaktika e Andromedës”, Sunaj Raça, ka thënë se mjetet për film u janë vonuar. Filmi me të cilin More Raça debutoi në metrazh të gjatë, vitin e kaluar ishte pjesë e kategorisë kryesore në Festivalin e Sarajevës, ku triumfoi “Exili” i Visar Morinës.
“Unë mendoj se problemi është te borxhi i akumuluar prej mbi një milion e gjysmë. E si është krijuar ky borxh përgjigjen duhet kërkuar te ata që i menaxhojnë fondet në QKK”, ka thënë Raça. “Galaktika e Andromedës” ishte mbështetur nga QKK-ja me 50 mijë euro.
Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se duke mos dashur që të hyjë në detajet e secilit projekt veç e veç, por duke e trajtuar si problematikë sidomos këtë vitin e fundit, është e vërtetë që ka vonesa deri në ekzekutimin e pagesave për projekte të ndryshme.
“Fatkeqësisht nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Kulturës se pse zgjat aq shumë një ekzekutim i pagesës, pse ndodh që lëndët të humbin dhe pse ndodh që pas disa javësh apo muajsh të ngelen pagesat nëpër zyra të ndryshme dhe të mos avancojnë tutje”, ka thënë ai. Ka shtuar se u është premtuar që me hapjen e kodeve të institucioneve do të jenë të pavarur dhe shumica e procedurave do të kryhen nga institucionet e jo nga Ministria e Kulturës.
“Por s’ka ndodhur, në fakt këtë vitin e fundit vetëm se janë shtuar rrathët e burokracisë. Prej vitit 2018, kur edhe janë mbyllur xhirollogaritë e institucioneve dhe pagesat duhet të bëhen nga Ministria, këtu edhe kanë filluar vonesat në ekzekutimin e pagesave”, ka thënë ai, duke shtuar se para vitit 2018 kjo problematikë nuk ka ekzistuar.
“Çka dua të them është që QKK-ja sapo ta kompletojë dosjen nga ana e produksioneve menjëherë e nis për procedura të mëtutjeshme në Ministri, e se çfarë ndodh më tutje duhet të drejtoheni në Ministrinë e Kulturës për përgjigje më të detajuar”, ka thënë ai.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në përgjigjen që ka dhënë për KOHËN, ka folur thjesht për anën teknike se “pagesat prej MKRS-së zhvillohen përmes procedurave administrative të caktuara përmes ligjit në fuqi”. “Për raste specifike, ju lutem drejtohuni tek departamentet përkatëse të MKRS-së”, ka thënë përgjigjja e zëdhënëses Zana Fetiu.
FolegjendaKeqMenaxhim2: “Në kërkim të Venerës”, është një tjetër shembull i përballjes me burokracitë e shtetit a me vonesën e bartjes së mjeteve