Kulturë

“Pa vend” me sfidat e talentëve të rinj nominohet për “Oscarin” evropian

Mëngjesi i së mërkurës konfirmoi se “Pa vend” u bë filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Katër muaj. Kaq i janë dashur filmit “Pa vend” që të arrijë të jetë në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për atë që njihet edhe si “Oscari” i Evropës. Është hera e parë që një film nga Kosova e arrin këtë. Mes gëzimit për nominim e besimit për triumf, regjisori i filmit Samir Karahoda dhe producenti Eroll Bilibani kanë theksuar mesazhin kryesor të filmit: vëmendjen dhe kujdesin që duhet treguar ndaj talentëve të rinj

Sikur filmi i shkurtër të ishte ndonjë disiplinë garuese sportive, rekordin pa dyshim do ta mbante regjisori Samir Karhoda. Ai debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A. “Pa vend”, filmi i tij i dytë u bë i parë nga Kosova që u përzgjodh në mesin e 10 filmave të shkurtër për të garuar për “Palmën e Artë” në garën zyrtare të një prej festivaleve më prestigjioze në botë, atë të Cannes.

Ani pse nuk u shpërblye – në festivalin ku pati edhe premierën botërore më 16 korrik u bë filmi i parë nga Kosova që Festivali i Fimit të Cannes e kandidoi për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit. Mëngjesi i së mërkurës konfirmoi se “Pa vend” u bë filmi i parë i Kosovës i nominuar për filmin më të mirë evropian. Katër muaj. Kaq i janë dashur filmit “Pa vend” që të arrijë të jetë në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për atë që njihet edhe si “Oscari” i Evropës. Është hera e parë që një film nga Kosova e arrin këtë. Mes gëzimit për nominim e besimit për triumf, regjisori i filmit Samir Karahoda dhe producenti Eroll Bilibani kanë theksuar mesazhin kryesor të filmit: vëmendjen dhe kujdesin që duhet treguar ndaj talentëve të rinj.

Krenaria krahas zhgënjimit nga shteti

Për regjisorin lajmi që u ka ardhur ka tejkaluar pritjet e tyre. E sheh diçka të jashtëzakonshme dhe mundësi për të promovuar kinematografinë e vendit. Ka thënë se për të qenë pjesë e pesë filmave më të mirë të shkurtër të Evropës është krenari dhe privilegj si për të ashtu edhe për ekipin.

“Kemi dashur për ta prekur dhe dërguar një porosi te institucionet se si rinia jonë dhe si fëmijët tanë rriten, si u mohohet e drejta për të zhvilluar veten dhe në të njëjtën kohë për t’i realizuar ëndrrat e tyre”, ka thënë ai.

Filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh. Por, sipas regjisorit, as gjendja e sportistëve të tjerë nuk është më e mirë.

“Po dua edhe nga këtu, edhe një herë t’i lus institucionet, qoftë Kryeministrinë ose Ministrinë e Kulturës, gjithë kryetarët e komunave, që të paktën të shkojnë t’i vizitojnë fëmijët tanë, talentët tanë se në çfarë kushtesh ushtrojnë”, ka thënë ai, gjersa ka shtuar se është dëshmitar i mohimit që u bëhet fëmijëve për të realizuar ëndrrat e tyre. Njashtu si Mazreku e Kazazi që hoqën dorë nga ëndrrat e tyre për shkak të kushteve, gjithë forcat i vunë për t’i ndihmuar të rinjtë që të mos përballen me të njëjtin përfundim.

“Ne si autorë të paktën mund të bëhemi zëri i disa njerëzve që kanë nevojë për t’i treguar këto tema. Më së shumti më vjen mirë që e kemi rritur vetëdijen për këtë temë, tjetra më vjen mirë që edhe kryeministri por edhe ministri i Ministrisë së Kulturë, Rinisë dhe Sportit dhe kryetari i Komunës së Prizrenit e kanë parë këtë film dhe aty munden me e pa më së miri se me çfarë sfidash përballen të rinjtë tanë”, ka thënë Karahoda.

Rrëfimi unik brenda Evropës

Rreth 7 me 15 metra. Kaq është hapësira ku vepron klubi “Lidhja e Prizrenit”. Nuk është hapësirë e veçuar, madje as një sallë adekuate. Është veç parahyrje e sallës në qendrën sportive “Sezai Surroi”. Këtë hapësirë e konsideron të veten klubi nga ku kanë dalë një numër shumë i madh i pingpongistëve më të suksesshëm të Kosovës. Me një pllakat me emrin e klubit, me disa fotografi të varura në mur e rrethoja të kaltra, ata kanë shënuar territorin e tyre. Tash nuk u ka mbetur as ajo hapësirë. Për shkak se hapësirë është kthyer në qendër vaksinimi, u është dashur që të largoheshin edhe nga aty. Strehë për një kohë kanë gjetur te një sallë e një shkollë fillore. Personazhet e filmit të Karahodës janë akoma pa një vend të tyre. Kanë mbetur akoma nomadë, gjersa rrëfimi i tyre vlerësohet unik në kontinentin e vjetër.

“Mendoj se është një temë jashtëzakonisht unike. Nuk besoj që mundet me pasë në Evropë një ngjarje të tillë, asi neglizhence prej institucioneve dhe me e pasë në të njëjtën kohë atë vullnet e entuziazëm prej lojtarëve dhe atë fuqi për ta mposhtur neglizhencën”, ka thënë Karahoda.

Filmi 15-minutësh pati premierën në vend në gusht të këtij viti si shfaqje speciale brenda festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Atëherë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte bërë të ditur se sportistëve se shpejti do t’u bëhet një shtëpi. “’Pa vend’ tashmë do të bëhet me vend”, pati thënë ai, duke treguar se projekti për t’ua bërë një sallë adekuate pingpongistëve është në procedura të prokurimit. Që atëherë asnjë hap më shumë nuk është bërë. E gjithë situata është zhgënjyese për regjisorin.

“Kryetari e ka ndarë buxhetin e ka ndarë hapësirën, por fatkeqësisht sipas njoftimeve të fundit që kam tenderi i këtij projekti është bllokuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Si zakonisht e dimë që sistemi është ai që i shkatërron të gjitha sistemet e tjera në shoqërinë tonë. Tenderi është bllokuar dhe sa e kam kuptuar OSHP-ja nuk e ka një bord që mundet t’i shtyjë projektet përpara”, ka bërë të ditur Karahoda. Ka shtuar se institucionet duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk janë duke bërë gjë tjetër veçse duke shkatërruar rininë duke e lënë të pashpresë. “Kjo është edhe një nga arsyet përse njerëzit po dëshirojnë që të largohen nga këtu”, ka theksuar ai. Migrimi, korrupsioni e mbijetesa në shoqëri burokratike janë veç disa tema që i prek filmi përmes narratives së tij të thjeshtë.

Triumfi që ushtron presion mbi shtetin

Producenti Eroll Bilibani ka thënë se për secilin autor të filmave që është në Evropë është privilegj dhe nder që të nominohet për EFA.

“Është një film komplet i Kosovës, me një ekip të Kosovës, me tregim për Kosovën, përmes një sporti të vogël. Një film i shkurtër që trajton një problem të madh shoqëror e që ndoshta mundet të ndikojë në sensibilizmin e vendimmarrësve kryesisht dhe ndoshta të ndryshojë këtë burokracinë siç e përmendi edhe Samiri”, ka theksuar Bilibani.

I gjithë ekipi është në dijeni se gara është tepër e fortë. Shpresojnë që të gjithë profesionistët e filmit nga e gjithë Evropa do ta vlerësojnë kualitetin e filmit. U mbetet 4 mijë anëtarëve të EFA-së që të votojnë për fituesin e përgjithshëm që do të shpaloset me ceremoninë e 34-të të “European Film Awards” që mbahet më 11 dhjetor.

“Unë besoj në këtë specifikën e filmit, që është në një format shumë të veçanta, me një rrëfim shumë të veçantë dhe me një qëllim shumë të sinqertë, të bëjmë diçka për këta talentë. Shpresojmë që gjithë ky rrugëtimi i filmit ‘Pa vend’ këtë vit, por edhe vitin tjetër, do ta mbajë këtë presionin te institucionet që të zgjidhin edhe problemet e klubit ‘Lidhja e Prizrenit’, por edhe të klubeve të ngjashme që ka në Kosovë, e që ballafaqohen me probleme të njëjta”’, ka thënë ai, duke shtuar se shpreson të vendosin zhvillimin e talentëve në vend të parë.

Tregimi i thjeshtë për problemin kompleks

Bilibani ka thënë se kudo që janë paraqitur nga njohës të filmit Karahoda është vlerësuar për vendosje të kamerës në vendin e duhur.

“Për ndërtimin e një strukture shumë specifike narrative, e cila përmes një tregimi të thjeshtë tregon kompleksitetin e krejt problemeve. Kjo shumë çmohet pasi jo çdokush mund ta bëjë atë dhe është puna e drejtorit të fotografisë, gjithkund përmendet që është një ndër filmat që e ka pasur fotografinë me të mirë, madje edhe në Cannes kemi pasur raste kur njerëzit e kanë ndalur Samirin dhe e kanë pyetur se kush e ka xhiruar këtë”, ka thënë Bilibani.

Në anën tjetër, Karahoda ka thënë se nëse kapemi për aspektin teknik dhe artistik të filmit, ai ka një formë të veçantë të realizmit.

“Pra nuk është film i zakonshëm apo film konvencional, ka gjëra të reja që nuk janë parë më herët. Të gjitha këto mendoj që e kanë bërë filmin që të flasë një gjuhë ndërkombëtare që mund të kuptohet nga çdo shikues kudo që është në botë”, ka thënë ai.

“Oscari” i vërtetë

Sipas Bilibanit, për të dhe Karahodën “Oscari” i vërtetë është çmimi i EFA-së, pasi që këtu nuk varen gjërat vetëm nga marketingu e promovimi. Këtu, sipas tyre, qëndron dallimi në mes të Akademisë Evropiane të Filmit dhe asaj Amerikane.

“Të ajo Evropiane nuk mund të ndërhysh as të intervenosh si te ‘Oscars’ ku duhesh të investosh në promovim, pastaj në takime me anëtarët e Akademisë. Për mua me të vërtetë është me i rëndësishëm një çmim prej Akademisë Evropiane sesa prej asaj Amerikane kur e di që vlerësohet drejt pa intervenim e marketing. Kjo mund të konsiderohet si fitore më e pastër dhe më meritore”, ka thënë Karahoda. Ka theksuar se filmi ka edhe një veçanti tjetër. Nuk ka aktorë profesionistë por protagonistët janë të vërtetë dhe tregojnë jetën e tyre. Por kjo nuk është e sigurt nëse do të ndikojë në një vlerësim pozitiv.

“Tash nuk e di aktorët se si mundet të ndikojë pasi që ata sidomos e kanë mërzi kur dikush tjetër ua merr rolin”, ka thënë ai.

Nominimi si thirrje për investime afatgjate

Sipas Karahodës, e mira është se ky vit ka qenë i suksesshëm dhe Kosova ka prek çdo cep të botës me rrëfimet e saj. “Po flitet për kinematografinë tonë dhe pavetëdijshëm ky është një marketing i mirë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Bilibani ka shtuar se ai ka një frikë që për shkak të pritshmërive që janë bërë tepër të mëdha ky sukses do të jetë i vështirë që të përsëritet.

“Mirëpo nëse vazhdojmë që të investojmë në zhvillimin e gjeneratave të reja, në mënyrë të mirëfilltë, në zhvillimin e kinematografisë, duke u fokusuar tek të rinjtë, duke u dhënë mundësinë që të punojnë me mjeshtër të ndryshëm, me këta që e kanë bërë një përvojë tepër të mirë si Karahoda, mendoj që mundemi të nxjerrim talentë të rinj dhe njëkohësisht të vazhdojmë me këtë diplomacinë kulturore për të cilën ky shteti ynë i vogël ka nevojë”, ka thënë Bilibani. Sipas tij, kjo është një maratonë, dhe ka shumë për të bërë akoma.

Kosova mund të ketë edhe një film tjetër të nominuar për këtë edicion të “European Film Awards”. “Zgjoi”, po ashtu, është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Gjatë këtij muaji pritet të bëhen të ditur edhe emrat e filmave të metrazhit të gjatë të nominuar.

Ndryshe, “European Film Awards” është shpalosur përvitshëm që prej 1988-s nga Akademia Evropiane e Filmit. Çmimet jepen për 19 kategori, më e rëndësishmja prej të cilave është ajo për filmin më të mirë. Çmimi që jepet në statujëzën në formë femre është i kufizuar veç për kinemanë, regjisorët, aktorët dhe producentët evropianë. Që prej vitit 1997, EFA është mbajtur në pjesën e parë të muajit dhjetor. Për çdo dy vjet Berlini është nikoqiri i ceremonisë, kurse në vitet ndërmjet “Çmimet” kanë udhëtuar në Londër, Paris, Romë, Barcelonë, Varshavë, Kopenhagë, Talin, Maltë, Rigë, Wroclaw, Sevillë e të tjera.

Ceremonia e saj e fundit është mbajtur virtualisht më 12 dhjetor të vitit të kaluar.

Storien e plotë televizive për nominimin e “Pa vend” për “Oscarin” evropian mund ta ndiqni sot prej orës 14:00 në emisionin “Express” në KTV