Galeria Kombëtare e Arteve dhe Galeria Kombëtare e Kosovës kanë zbuluar ekspozitën e parë në kuadër të bashkëpunimit që dy institucione kanë me njëra-tjetrën. “Synime” titullohet ekspozita, e cila fillimisht do të hapet në Shqipëri e pastaj në Kosovë. Në të do të paraqitet arti i artisteve shqiptare që u takojnë gjeneratave të ndryshme. Në ngjarje e tillë do të vijë në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë, i nënshkruar javën e kaluar midis Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, një traditë e nisur qysh më 2014.
Sipas Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Galerisë Kombëtare të Kosovës, ekspozita kërkon të prezantojë veprat dhe veprimtarinë artistike të artisteve, të cilat në koleksionet publike të dy vendeve, por edhe në ato private, vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara.
Ekspozita “Synime” do të hapet fillimisht në Galerinë Kombëtare të Arteve, në dhjetor të vitit 2020 dhe udhëton më pas drejt Prishtinës për t’u prezantuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në prill 2021. Kuratoret e ekspozitës, Erëmirë Krasniqi dhe Adela Demetja, kanë nisur prej disa muajsh punën hulumtuese të dy skenave artistike, një hulumtim i cili do të prezantohet në formën e një publikimi të thelluar në maj të vitit 2021.
Demetja ka nisur karrierën si artiste dhe ka studiuar nga viti 2002 deri në vitin 2006 në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ajo drejton “Tirana Art Lab”, qendrën për artin bashkëkohor, një institucion i pavarur arti, të cilin ajo e themeloi në vitin 2010. E Krasniqi është hulumtuese dhe kuratore nga Prishtinë. Në vitin 2017 përfundoi programin “Ekspozimi i historisë bashkëkohore – Reprezentimi i shek. XX”, studim njëvjeçar mbi muzeologjinë dhe praktikat kuratoriale në Universitetin Friedrich Schiller.
“Të dy institucionet synojnë që të prezantojnë në kalendarët e tyre vjetorë më shumë artiste, si dhe të ndryshojnë politikën e tyre të koleksionimit duke bërë pjesë më shumë vepra nga artistet e gjeneratave të ndryshme”, është shkruar në komunikatë. Po aty shkruhet se “Synime” nxjerr në pah pozicionet artistike dhe metodologjitë individuale të grave artiste në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë.
“Nisur nga synimi për të zgjeruar historitë e grave në art, ekspozita shqyrton terrene të reja kritike për të ripërvetësuar dhe ripërfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit. Teksa shikojmë nga afër mënyrat e të qenit në sferën e artit, jemi të vetëdijshme për pozicionimet e shumta në të cilat agjencia e grave është formuar, dhe kontekstin politik e kulturor në të cilin punët e tyre marrin kuptimin”, është shkruar në komunikatë. \ A.H.