Kulturë

“Sunny Hill” do të mbahet edhe këtë vit në Gërmi

“Sunny Hill Festival”, Komunës së Prishtinës dhe ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë bërë të ditur se janë pajtuar që edicioni i këtij viti i festivalit “Sunny Hill” të mbahet në parkun e Gërmisë, me ç’rast janë siguruar lejet e nevojshme.

“Për shkak të kufizimeve të hapësirës në parkun e Gërmisë, Sunny Hill Festival këtë vit do të ketë kapacitet të kufizuar të pjesëmarrësve, përkundër potencialit dhe nevojave në rritje që i ka festivali”, thuhet në njoftim.

“Sunny Hill Festival” zotohet se e gjithë hapësira e parkut që do të merret në shfrytëzim do të përdoret me kujdes të shtuar, dhe se pastrimi dhe rigjenerimi i parkut do të bëhet në afat rekord, edhe me investimet e nevojshme nga ana e Sunny Hill Festival.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministritë tjera përkatëse, bashkë me Komunën e Prishtinës janë zotuar të ofrojnë mbështetje të plotë për realizimin e një edicioni të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival në Prishtinë më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022”, thuhet më tej në njoftim.

“Sunny Hill Festival” është mbajtur në Gërmi edhe dy herëve të kaluara, në vitin 2018 dhe 2019. Në vitin 2020 është anuluar për shkak të pandemisë me COVID-19, ndërkaq në vitin 2021 është shtyrë për vitin 2022 për shkak të rritjes së rasteve të reja me koronavirus.