Kulturë

Streha e kujtimeve

Pas dyzet vjetësh ai po e viziton dhomën në të cilën kaloi vitet më të vështira të jetës.

Nezmi Bala, që për njëmbëdhjetë vjet ishte i burgosur për shkak të organizimit të demonstratave të ‘81-s në Podujevë, ua rrëfen bashkëshortes dhe djalit tmerret që së bashku me shokë i përjetuan nga represioni serb, raporton KOHA.

Bala, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, bashkë me dhjetëra ish-të burgosur të tjerë u mblodhën në burgun e Prishtinës, që pritet të shndërrohet në muze me projekt të Ministrisë së Kulturës.

Hapja e burgut muze për vizitorët dhe ish-të burgosurit u bë për një periudhë të shkurtër dhe për ta shënuar 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Pas pesë dekadash, këtë vend e vizitoi edhe zonja Lebibe Dumoshi, e cila tregoi se në vitin 1971 në këtë burg kishte vizituar të fejuarin e saj.

Qeveria e Kosovës më 23 maj të këtij viti, bazuar në kërkesën e komisioneve parlamentare nga Kuvendi i Kosovës, kishte iniciuar përmes ministrive përkatëse transformimin e burgut në muze tematik.

Ish-burgu i Prishtinës do të jetë i hapur për vizitorë deri të mërkurën e 17 qershorit.