Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Stambolli në kaos, mobilizimi kundër shqiptarëve dhe luftërat tregtare

Më 1778, gazeta “Caledonian Mercury” shkruante për dy fshatra të Kelmendasve shqiptarë në Hungari, të cilët flisnin një gjuhë tjetër nga ajo sllave, gjermane, hungareze, vllahe e “turke”. Gazeta theksonte se ata ishin nga zonat kufitare ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë së Sipërme dhe se ata banonin në hapësirat ndërmjet lumenjve Cem e Lumëbardh. Duhet thënë se edhe në kushte lufte, si kurdoherë, tregtia ndërmjet palëve nuk ndërpritej plotësisht. Kështu, sipas regjistrimeve austriake, në vitet 1770-1775, në zonën e Sremit kishte rreth 150 nënshtetas osmanë, prej të cilëve 20 ishin nga Bosnja dhe Serbia, kurse të tjerët nga provinca e lashtë e Maqedonisë. Shumica e këtyre shtetasve osmanë ishin tregtarë dhe pjesërisht zanatlinj. Kështu Nikolloviq Muqalloviq Mihajli, ndonëse kishte emër sllav, në regjistër ishte theksuar përkatësia e tij shqiptare. Kurse Jovan Grabovani nga Elbasani, po sipas këtij regjistrimi, në zonat austriake punonte si piktor. Këto të dhëna na japin të kuptojmë përsëri se jo të gjithë të regjistruarit me emra sllavë, qoftë në regjistrat osmanë apo ata kishtarë, domosdoshmërisht ishin sllavë.

Përkatësia religjioze në përçarjen e perandorisë orientale

Ndonëse në vitin 1784, në kryeqytetin osman, kishte shpërthyer epidemia e murtajës, prapë se prapë, në Stamboll vazhdonte grumbullimi i trupave për t’i dërguar kundër kryengritësve në Shqipëri. Këtë situatë kaotike nëpër të cilën po kalonte Perandoria Osmane, sigurisht që do ta shfrytëzonte Rusia cariste, e cila nga Vjena publikoi një manifest politik, përmes të cilit u bënte thirrje grekëve në arkipelagun e Egjeut për kryengritje. Në rrethana të tilla, si një element tjetër ndarës në këtë perandori orientale do të futet edhe përkatësia religjioze, e cila do të sillte pasoja negative në raportet ndëretnike dhe ndërfetare ndërmjet bashkësive të ndryshme në shtetin osman.