Kulturë

“Sparks of Light” merr çmim për produksion në Bullgari

Filmi dokumentar “Sparks of Light” që rrëfen triumfin e Fahri Krasniqit mbi sfidat e jetës është shpalosur edhe në Sofje të Bullgarisë. Në festivalin e filmit “Golden FEMI” producentja e filmit, Ganimete Sava, ka marrë çmimin “Producentja më e mirë për film të shkurtër dokumentar” në kategorinë ndërkombëtare. Pritet që filmi dokumentar i zhanrit të shkurtër të shfaqet edhe në qytete të tjera të Bullgarisë.

Producentja Sava ka thënë se Çmimi e motivon për të vazhduar më tej me tema si ai në “Sparks of Light”.

“Ky çmim do të thotë shumë për mua, sikurse edhe për produksionin që na motivon të vazhdojmë tutje me tema të tilla që janë sociale dhe u kontribuojnë të drejtave të njeriut, e veçanërisht personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë Sava.

Producentja e filmit ka thënë gjithashtu se mesazhi për motivim për të tejkaluar sfidat ka triumfuar në Festival. “Festivali është për të drejtat e njeriut. Kishte filma me tema të ndryshme dokumentar e fiksion. Pati edhe për ngjarjet në Ukrainë. Filmi ynë u përzgjodh pasi trajton një temë që nga rënia e një personi nga sfidat e jetës që mbërrin të jetë motivim jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara, por edhe për të tjerët që shpesh e humbin shpresën. Kjo ishte përshtypja më e madhe që u ka bërë publikut atje”, është shprehur Ganimete Sava.

Ka paralajmëruar se filmi dokumentar do të marrë pjesë edhe në disa ngjarje e festivale të tjera në Bullgari e më gjerë që sipas saj, janë “në bisedime, pothuajse në konfirmime”. Megjithatë, ka potencuar edhe vështirësitë në kushtet për të punuar në një projekt filmik.

“Për ne kjo është një gjë shumë e mirë dhe shtytje për të vazhduar me tema të tilla, megjithëse nuk kemi pasur kushte të duhura për ta realizuar. Për ta krijuar filmin si duhet të ketë teknikë të mirë, të paktën kur del në set të jetë gjithçka si duhet. Temat e filmave në vendin tonë i kemi shumë të fuqishme, dhe mënyra si i trajtojmë janë të veçanta, prandaj edhe kanë suksese”, është shprehur më tej producentja e filmit Ganimete Sava.

Dokumentari ishte shfaqur premierë në edicionin e dytë të festivalit të filmit “Art without limit”, në dhjetor të vitit 2021, të cilin edhe e drejton Ganimete Sava. Më pas ishte shfaqur edhe në Festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”. Regjisori i filmit, Burim Haliti, në një intervistë për emisionin “Express” në KTV, kishte thënë se filmi shpalos shkëndijat e ngritjes së personazhit në film – Fahri Krasniqit.

“Realisht është shumë temë e ndjeshme, por mendoj që është shumë e mirë sepse në këtë rast Fahriut i ka ndikuar t’i hapen dyert, për shembull në Shqipëri po mendojnë ta thërrasin në një aktivitet kulturor, gjithashtu i janë shtuar kërkesat për punimet artistike. Fahriu ka punuar edhe trofetë e festivalit tonë në Prishtinë me dorën e tij. Mendoj se është një mesazh shumë pozitiv ku ai tregon se si duhet të ecim përpara, përkundër sfidave të jetës”, kishte thënë Haliti.

E pas shfaqjes së filmit dokumentar në “Cinemarine” në Prizren, regjisori Haliti kishte treguar se me Fahriun ishte takuar në Festivalin për personat me nevoja të veçanta “Art without limit” dhe se kishte parë se është temë ideale për ta realizuar një projekt të tillë. “Përmbledhja në 15 minuta ka qenë shumë e vështirë. Nuk kemi dashur të tjerët të flasin për Fahriun, por vetëm për rrëfimin e personazhit”, kishte thënë ai. Filmi kishte garuar në kategorinë “National” të “DokuFest”.

“Sparks of Light” zbërthen historinë e Fahri Krasniqit nga fshati Grashticë i Prishtinës. Krasniqi ka dorën e majtë jashtë funksionit dhe një këmbë me pasoja nga aksidenti në korrik të vitit 1988. Jeta i kishte ndryshuar që atëherë dhe shpresat për shërim i ishin shuar. Synimet e tij kanë qenë të jetë një me bashkëmoshatarët e tij. Por ai nuk u pranua në shkollë dhe filloi të mësojë në shtëpi. Gdhendjet e tij në dru janë vepra arti.

Fahri Krasniqi tregon se ka marrë pjesë në panaire e në sheshe ka shitur punimet e tij prej druri. Me të ardhurat nga to kujdeset për dy fëmijët e tij. Nuk ishte ndalur as kur kishte filluar të voziste në vitin 2004, ndërsa pasion ka të luaj në çifteli. Për shkak se nuk mund ta përdorë njërën dorë, e ka zëvendësuar atë me një motor që përçon lëvizjet në telat e çiftelisë përmes një motori që prekjet me dorë të instrumentit i zëvendëson me shkeljet me këmbë të motorit.

Përpjekjet e tij për t’iu përshtatur jetës që i mori kah tjetër janë të jashtëzakonshme. Vetë jetën e tij e cilëson si skenar filmi.

“Skenar është vetë jeta ime, nuk kemi mundur ta ndryshojmë. Filmi është për gjithë personat me nevoja të kufizuara që jeta i sprovon. Ata s’duhet të ndalen, duhet të vazhdojnë”, ka thënë protagonist i filmit.

Folegj: Producentja Ganimete Sava ka thënë se Çmimi e motivon për të vazhduar më tej me tema si ai në “Sparks of Light”.