Pas premierës botërore në “Berlinale” para gjashtë muajsh, këtë javë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, “Mua besoj më shpëtoi portreti” është dhënë si premierë rajonale dhe prej aty është kthyer me “Mirënjohje të veçantë”. Ky film i shkurtër dokumentar me regji të Alban Mujës dhe me producent Edon Rizvanollin pati katër paraqitje në kryeqytetin boshnjak, dy në kategorinë “Documentary Competition” dhe dy në kategorinë “European Shorts”
Për mesazh e ka fuqinë qenësore të artit si mjet mbijetese dhe manovër për shpëtim në kohë lufte. Pas premierës botërore në “Berlinale” para gjashtë muajsh, këtë javë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, “Mua besoj më shpëtoi portreti” është dhënë si premierë rajonale dhe prej aty është kthyer me “Mirënjohje të veçantë”. Ky film i shkurtër dokumentar me regji të Alban Mujës dhe me producent Edon Rizvanollin pati katër paraqitje në kryeqytetin boshnjak, dy në kategorinë “Documentary Competition” dhe dy në kategorinë “European Shorts”.
I njohur si një nga festivalet më prestigjioze të filmit në Evropën Juglindore, prej sivjet SFF-ja është edhe festival kualifikues për çmimin “Oscar”. Emra të shquar të kinematografisë botërore kanë shkelur në tapetin e kuq të tij, dhe Kosova nuk është emër i panjohur për të dhe për çmimet e tij, “Zemrën e Sarajevës”, ndonëse ende prezantohet me fusnotë.
Për edicionin e tij të 31-të, qenë 50 filma nga të katër anët e botës në garën zyrtare, në të cilën Kosova pati përfaqësim të trefishtë: një bashkëprodhim dhe dy filma prodhim vendor. Me përfaqësim të plotë, pati në garë dy filma: “Mua besoj më shpëtoi portreti”, nën regji të Alban Mujës dhe “Sytë e Bernës”, nën regji të Ermal Gërdovcit me skenar të Patrik Lekajt. Ky i fundit, në garën e filmave të shkurtër, pati premierën botërore, ndërkaq “Vidra”, nën regji të Srgjan Vuletiqit dhe skenar të Stefan Boshkoviqit, në të cilin Kosova është bashkëprodhuese, të cilit i prin Mali i Zi, pasuar nga Bosnjë-Hercegovina, Italia dhe Kroacia garoi në kategorinë kryesore – atë të filmit të gjatë, tok me tetë filma të tjerë. U dha premierë botërore në SFF që u mbajt prej 15 deri më 22 gusht. Çmimin kryesor, “Zemra e Sarajevës”, të këtij edicioni e ka fituar filmi “Winds, Talk to Me” i regjisorit serb, Stefan Đorđević.
Pas dhënies së filmit “Mua...” në këtë festival, regjisori Alban Muja ka treguar se ka qenë shumë e rëndësishme që filmi të jepet në Sarajevë, duke qenë se historia e Kosovës përkon me atë të vendit nikoqir.
“Për ne si ekip, por edhe për mua si autor i filmit ka qenë një kënaqësi që pas disa festivaleve të rëndësishme dhe pas premierës që kishim para gjashtë muajsh në ‘Berlinale’, filmin ta sjellim edhe në Sarajevë, pasi besojmë që ky film ka qenë më se e rëndësishme me u pa në Sarajevë, duke e ditë edhe historinë që e kemi të ngjashme, të kaluarën që e kemi të ngjashme dhe filmi për çka trajton, andaj mbi të gjitha kemi qenë të lumtur që filmi është selektu me u shfaqë në dy kategori: në “Dokumentar të Shkurtër’ edhe në ‘European Shorts’. Ka qenë rast i rrallë se këta zakonisht i nominojnë në një kategori”, ka thënë ai në një prononcim për KOHËN.
“Mua...” e kishte nisur mbarë qysh me premierë botërore në shkurtin e sivjetmë. “Goditi” në “Berlinale”, ku rrëfeu histori mbijetese. Protagonisti rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e kasapit serb. Është rrëfimi i piktorit Skënder Muja, babait të autorit të filmit. U shfaq në kuadër të programit “Forum Expanded” të edicionit të 75-të të njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore. Prej aty, në prill vazhdoi në “Go Short” në qytetin Nijmegen të Holandës e qershori e gjeti në “Vienna Shorts” dhe në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg.
Përmendjen e veçantë që e ka pranuar filmi në Sarajevë, regjisori e ka konsideruar “qershi mbi tortë”, teksa ka ritheksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tij në këtë festival, të cilin e ka cilësuar si fantastik.
“’Special Mention’, të cilin e kemi fitu dje ka qenë qershia mbi tortë, pasi për ne, më se e rëndësishme ka qenë me u pa filmi. Para disa ditëve me një audiencë fantastike në kinema të mrekullueshme, por edhe me një ekip të festivalit që ishte fantastik, prej vullnetarëve e deri tek ata kuratorët apo selektorët e festivalit”, ka shtuar Muja.
Këtë rrëfim autentik të babait të tij, Alban Muja e shpalos para publikut ndërkombëtar duke e bërë atë të jehojë që në nisje të rrugëtimit. Ngjarjet kthehen si retrospektivë dhe sillen të freskëta, një çerekshekull pas. Çmimi që kanë pranuar, ka treguar se i motivon për ta çuar në akoma më shumë festivale, në mënyrë që bota ta ndiejë historinë e të atit, përkatësisht të figurave të tjera në Kosovë.
“Ky çmim na jep motivim që filmin me e dërgu në sa më shumë festivale dhe kjo histori e jona, përkatësisht e babait tim dhe nëpërmes tij edhe plot baballarëve dhe figurave të tjera në Kosovë, të shihet e të dëgjohet, por edhe të mësohet për të kaluarën tonë”, ka thënë ai.
Rrëfimi i Skënder Mujës, babait të artistit e regjisorit, përmes aktit të vizatimit që beson se e ka shpëtuar, tenton t’i dalë përballë botës si e ngurosur në memorie dhe në këtë mënyrë t’ia mësojë asaj të kaluarën e Kosovës.
“Një akt i vizatimit, i cili, babi im beson se e ka shpëtu, nëpërmes tij të mësohen dhe të informohen, jo vetëm e kaluara, por pse jo, edhe të futet në diskutim ajo çka po ndodh sot në botë, ku shpesh, madje edhe ushqimi po përdoret si armë”, ka thënë regjisori Alban Muja.
Për futjen në garë të tre filmave kishte njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës. Për “Vidra” kishte shkruar se që nga faza e zhvillimit ka tërhequr vëmendjen e platformave dhe ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare. “Një element i veçantë i filmit është përfshirja e të rinjve në rolet kryesore – të gjithë nxënës të shkollave të mesme”, ka shkruar QKK-ja në tri njoftime të ndara për të tre filmat, afishuar në rrjete sociale.
Për “Mua besoj më shpëtoi portreti” kishte shkruar se “pas shumë sukseseve nëpër festivale ndërkombëtare, filmi i shkurtër dokumentar do të shfaqet në Programin Konkurrues (Competition Programme – Documentary Film) të Filmit Dokumentar në Sarajevo Film Festival 2025”. Ndërkaq, për “Sytë e Bernës”, QKK-ja kishte shkruar se “do të konkurrojë në mesin e 10 filmave të tjerë të përzgjedhur në këtë kategori”.
Prej këtij viti Festivali i Filmit në Sarajevë (SFF) ka marrë statusin e “festivalit kualifikues të filmit” për çmimet “Oscar”. Ky status do të thotë që filmat fitues në kategoritë e përzgjedhura do të mund të kualifikohen për nominimet për çmimin më të madh në kinematografi.
Në SFF, kinematografia e Kosovës ka një kapitull të veçantë. Vetëm vitin e kaluar, “Si e verdhë e sëmurë”, nën regji të Norika Sefës, mori “Zemrën e Sarajevës” për dokumentarin më të mirë të shkurtër. Në vitin 2021, Sefa me filmin e saj “Në kërkim të Venerës” kishte marrë çmimin “Mirënjohje speciale për barazi gjinore”. Vjet në garë kishte qenë edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës. Në vitin 2020, “Exil” i Visar Morinës mori “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë. Në atë edicion pjesëmarrës ishin edhe “Galaktika e Andromedës” i regjisores More Raça, “Zana” i Antoneta Kastratit dhe “Vera andrron detin”, i regjisores Kaltrina Krasniqi. Në vitin 2020 Kosova shënoi sukses të trefishtë: “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa vend” – ia dolën të merrnin ndër çmimet kryesore të evenimentit të njohur të filmit. Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit – kishin marrë “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë”. Pos “Në kërkim të Venerës” me “Përmendje speciale për barazi gjinore”, “Pa vend” i Samir Karahodës mori “Special Jury Mention”.
Historia e SFF-së nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe. Angelina Jolie, Brad Pitt, Robert de Niro, Orlando Bloom, Morgan Freeman, Gerard Depardieu, Benicio del Toro, janë disa prej emrave që i ka mirëpritur ky festival.