Nevoja për ta dokumentuar atë që shoqëria shpesh e shtyn drejt harresës, është emëruesi i përbashkët i dokumentarëve “Ferdonija”, nën regji të Gazmend Bajrit e Shkurte Dautit, dhe “Sign” i Erblin Nushit që janë rikthyer në ekranin e madh jo vetëm si vepra, por si shembuj e antipode të dështimit kolektiv përballë kujtesës dhe dokumentimit të traumave të luftës. Janë dy filma të shkurtër që e shohin dokumentarin jo si regjistrim faktesh, por si proces të ngadaltë ballafaqimi me traumën, identitetin dhe kujtesën
Projektori i kinemasë “ABC” ka rikthyer filmin dokumentar të shkurtër si formë të përqendruar të dokumentimit, jo si ngjarje premierë, por si akt i domosdoshëm i ruajtjes së përvojës njerëzore. Në kuadër të projektit “Rrëfimtaria”, organizuar nga instituti i pavarur i filmave dokumentarë “Ciklop”, janë shfaqur dy dokumentarë që, ndonëse tematikisht të ndryshëm, ndërtohen mbi të njëjtin bosht: nevojën për ta dokumentuar atë që shoqëria shpesh e shtyn drejt harresës.
“Ferdonija”, nën regji të Gazmend Bajrit e Shkurte Dautit, dhe “Sign”, i Erblin Nushit, të shfaqur të mërkurën mbrëma, janë dy filma të shkurtër që e shohin dokumentarin jo si regjistrim faktesh, por si proces të ngadaltë ballafaqimi me traumën, identitetin dhe kujtesën.
Dokumentimi i traumës si përgjegjësi shoqërore
Në filmin e shkurtër “Ferdonija”, dokumentimi nuk është thjesht rrëfim i një historie personale, por përpjekje për të kapur një përvojë që i tejkalon kufijtë individualë. Historia e Ferdonije Qerkezit, gruaja nga Gjakova që gjatë luftës ka humbur burrin dhe të gjithë djemtë e saj, nuk trajtohet si rast i izoluar tragjik, por si nyjë ku përplasen dhimbja private dhe kujtesa kolektive.
Filmi ndërtohet mbi heshtjen, pritjen dhe përsëritjen e përditshmërisë, duke e zhvendosur fokusin nga ngjarja e dhunshme drejt pasojave të saj afatgjata, asaj që mbetet pas luftës dhe vazhdon të jetojë brenda trupit dhe mendjes së njeriut.
Regjisori Gazmend Bajri ka theksuar se procesi i realizimit ka zgjatur dy vjet, pikërisht për shkak të nevojës për të mos hyrë drejtpërdrejt, për të mos e imponuar kamerën si instrument ndërhyrës.
“Projekti ka zgjatur dy vjet, për shkak se ideja ime ka qenë të kemi qasje, të mos hyjmë direkt, të mos duket shumë televiziv që ka qenë e çuditshme për to, kemi ndenjur një kohë të gjatë për to, për ta kuptuar se çka po ndodh, çka janë duke kaluar”, ka thënë ai gjatë diskutimit me gazetaren e kulturës, Donjeta Abazi, pas shfaqjes së filmit.
Qasja e ngadaltë, larg estetikës televizive, është pjesë e vetë temës së filmit. Trauma nuk shfaqet menjëherë, ajo kërkon kohë për t’u artikuluar dhe shpeshherë nuk artikulohet fare me fjalë. Në këtë kuptim, “Ferdonija” funksionon si dokument i mungesës, i zbrazëtisë që lufta ka lënë pas, duke e kthyer filmin në një arkiv emocional të një periudhe që shoqëria kosovare ende nuk e ka dokumentuar sa duhet.
Bajri ka theksuar se dokumentimi i kësaj periudhe mbetet jetik për brezat e ardhshëm, duke vënë në pah dështimin kolektiv për të ndërtuar një kujtesë të qëndrueshme të traumës së luftës.
“Për mua është shumë e rëndësishme të dokumentojmë këtë periudhë, sepse mendoj që si shoqëri e kemi dështuar të dokumentojmë dhe mendoj se është shumë me rëndësi për krejt gjeneratat”, ka shtuar ai.
Filmi nuk kërkon zgjidhje, as drejtësi të menjëhershme, por kërkon vëmendje. Ai e pozicionon dokumentarin si mjet rezistence kundër harresës, si një formë të mbajtjes gjallë të historisë përmes një trupi dhe një zëri që vazhdon të jetojë mes humbjeve.
“Me Shkurten, kur kemi diskutuar për këto, për traumat, kanë qenë aktuale grevat e grave në Prishtinë. Kemi biseduar se çka mund të bëjmë ne si komunitet artistik, ose veç unë e Shkurta. E kemi nisur me atë idenë që të shkojmë e ta bëjmë një video, pa ndonjë farë ideje të madhe që do të përfundonte me dokumentarin. Kur kemi shkuar për të biseduar herën e parë me gratë në atë dhomën e rrëfimeve, ku rrëfejnë gratë nëpër çfarë kanë kaluar, aty na ka lindur pak ideja për ta vazhduar projektin”, ka thënë regjisori Bajri.

Identiteti si proces i ndërprerë
Në anën tjetër, filmi i shkurtër “Sign” e zhvendos dokumentimin nga trauma kolektive drejt një krize intime, por jo më pak shoqërore. Filmi ndjek përvojën e Tanës, një aktore e divorcuar në moshë të mesme, e cila nis procedurën për ta rikthyer mbiemrin e vajzërisë. Ky akt, në pamje të parë administrativ, shndërrohet në një proces të gjatë ballafaqimi me veten, me të kaluarën dhe me mënyrën se si identiteti i një gruaje është ndërtuar dhe shpërbërë përmes marrëdhënieve dhe institucioneve.
Irena Aliu, aktorja dhe producentja e filmit, ka sqaruar se rrëfimi buron nga një moment real i jetës së saj, duke e vendosur filmin në një zonë kufitare mes dokumentarit dhe filmit të bazuar në realitet.
“Filmi është i bazuar në një moment të jetës sime. Domethënë s’do të kisha mundur të them se është krejt dokumentar, është më shumë film i bazuar në një moment të jetës reale. Është i bazuar në momentin kur unë kam shkuar ta ndërroj mbiemrin dhe me krejt atë përtesën që e kam për burokracinë, me të cilën duhet të merrem e unë shumë e paorganizuar edhe vetë kështu me dokumente, e dija që do të kaloja në një fazë shumë të vështirë të krejt asaj pune”, ka thënë ajo.
Pikërisht kjo paqartësi formale i shërben temës. “Sign” nuk është dokumentar klasik, sepse identiteti që ai dokumenton nuk është i qëndrueshëm, por i fragmentuar, i ndërprerë dhe i mbushur me pasiguri. Momenti i nënshkrimit, kur protagonistja e kupton se nuk e mban mend më nënshkrimin e vet me mbiemrin e babait, shndërrohet në pikë kulmore të filmit, aty ku përplasen burokracia dhe trauma personale.
“Isha e lumtur, po e kthej njëfarë identiteti, po e gjej vendin tim... isha pak konfuze, nuk e dija se cilës familje i takoj, kah duhet të orientohem dhe vendosa ta qeras veten, ta ndërroj mbiemrin, ta kthej mbiemrin tim të çiknisë. Krejt procedurat i kam kaluar shumë lehtë, derisa kam ardhur në momentin për të nënshkruar, ta bëj nënshkrimin tim me mbiemër të çiknisë. Ia kam nisur, jam ndalur dhe aty e kam parë që unë kam harruar qysh kam nënshkruar kur e kam pasur mbiemrin e babës”, ka shtuar Aliu.
Filmi e trajton identitetin jo si diçka që merret një herë e përgjithmonë, por si proces të vazhdueshëm humbjeje dhe rikthimi. Aliu ka theksuar se ky moment e ka shtyrë ta shkruajë skenarin si nevojë për ta nxjerrë jashtë vetes një përvojë që e kishte rënduar emocionalisht.
“Ai moment për mua ka qenë momenti që më ka detyruar të shkruaja skenar, kisha nevojë ta heq prej vetes atë moment, më është dukur sikur më është shembur Ministria e Brendshme. Mbeta veç vetë, e pashë që s’jam kurrkah, që s’i takoj kurrkujt, as vetes, jam shumë konfuze. Më ka qitur në një moment shumë prekës për mua dhe ai moment më ka shtyrë ta bëj këtë film dhe, edhe kur e kemi xhiruar ka qenë njëri prej momenteve më të vështira”, është shprehur ajo.
Dokumentimi, në këtë rast, shërben si akt çlirimi, por edhe si reflektim shoqëror mbi mënyrën se si gratë shpesh e humbin veten brenda lidhjeve, martesave dhe pritshmërive kolektive.
“Sign” flet edhe për mekanizmat e stigmatizimit, për mënyrën se si gratë shpesh e gjykojnë njëra-tjetrën, duke e zhvendosur barrën e presionit shoqëror nga strukturat patriarkale drejt individëve.
“Ne e krijojmë atë rreth, gratë e krijojnë atë rreth. Deri në një kohë shumë të vonë burrat nuk janë marrë me këto punë, nuk kanë diskutuar, nuk janë bërë shumë thashetheme. Tash na bëjnë goxha konkurrencë edhe burrat, nganjëherë janë bile edhe më të këqij, por dimë ne njëra-tjetrën ta stigmatizojmë, se siç duket, na duket pak më lehtë ta gjuajmë barrën te dikush tjetër, ta ulim dikë tjetër që vetë të dalim në pah që je më e mira”, ka thënë aktorja Aliu në bashkëbisedim me gazetaren Abazi pas shfaqjes së filmit.
Titulli i filmit, i lënë qëllimisht në anglisht, luan mes kuptimit të shenjës dhe nënshkrimit, duke e hapur filmin drejt një leximi simbolik mbi aktin e të qenit i pranuar, i njohur dhe i identifikuar.
“’Shenjë’ e kam quajtur... pikërisht ia kam lënë titullin në anglisht, se ‘sign’ mund ta ketë kuptimin edhe të nënshkrimit, edhe të shenjës dhe kam dashur pak ta përziej, të mos jetë shumë e qartë, se a është titulli puna e një shenje, apo e nënshkrimit, mirëpo edhe në shqip përpara kanë thënë ‘Me qitë shenjë’”, ka thënë aktorja.
Dokumentari si arkiv i asaj që nuk shihet
Të dy filmat e shfaqur në kuadër të projektit “Rrëfimtaria” e trajtojnë dokumentarin si mjet për të kapur atë që zakonisht mbetet jashtë arkivave zyrtare, traumën e pazgjidhur dhe identitetin e paqëndrueshëm. Te “Ferdonija”, dokumentimi është akt kujtese kolektive, ndërsa te “Sign” është akt vetëdokumentimi. Njëri film flet për humbjen e pakthyeshme, tjetri për përpjekjen për ta rimarrë veten, por të dy e shohin kamerën si mjet dëshmie, jo si instrument spektakli.
Në këtë kuptim, mbrëmja kinematografike nuk ka ofruar thjesht dy shfaqje filmi, por dy forma të ndryshme të dokumentimit të realitetit kosovar, njëri i rrënjosur në historinë e dhunës, tjetri në përditshmërinë e heshtur të burokracisë dhe identitetit. Dokumentari i shkurtër, përmes këtyre dy veprave, shfaqet si formë e përqendruar reflektimi, që nuk kërkon zgjidhje të shpejta, por kërkon kohë, vëmendje dhe gatishmëri për të dëgjuar.