Në fundjavë mbahet Grand Slami i Parisit, që llogaritet gara më e famshme e xhudos. Më të famshmen këtë garë e bënë numri shumë i madh i shikuesve, zakonisht mbi 15 mijë në blloqet finale, arena madhështore “Bercy” dhe pjesëmarrja e xhudistëve më të mirë në botë. Për më tepër, struktura e shikuesve dallon shumë nga garat e tjera. Për shkak të popullaritetit të madh të xhudos në Francë, shumë prej shikuesve janë njohës të mirë të xhudos, teknikave dhe rregullave të saj. Dhe kjo e bën atmosferën madhështore.
Gara mbahet përgjatë dy ditëve, të shtunën e të dielën, ndërsa aktualisht janë të evidentuar 518 pjesëmarrës nga 81 shtete të ndryshme.
Kosova përfaqësohet me pesë xhudiste dhe një xhudist. Erza Muminoviq garon në kategorinë deri 48 kilogramë, Distria Krasniqi e Fationa Kasapi në 52 kilogramë, Flaka Loxha në 57 kilogramë dhe Laura Fazliu në 63 kilogramë.
Te xhudistët, Akil Gjakova garon në kategorinë deri 73 kilogramë. Të gjithë paraqiten në tatami të shtunën.
Pos Distrisë, Laurës dhe Akilit, që janë sportistët më të mirë që ka Kosova, në ekip janë edhe Erza, Fationa e Flaka që fituan medalje fundjavën e kaluar në “European Open” në Sofje të Bullgarisë.
Distria është bartësja e parë në kategorinë deri 52 kilogramë dhe pretendente për medalje. Asaj konkurrencë pritet t’i bëjnë gjermanja Mascha Ballhaus, spanjollja Ayumi Leiva Sanchez, francezja Amandine Buchard, hungarezja Reka Pupp, italiania Odette Giuffrida. Si zakonisht në luftë për medalje pritet të përfshihen edhe dy japonezet pjesëmarrëse.
Distria e ka fituar Grand Slamin e Parisit në vitin 2020, në vitin 2023 dhe në vitin 2024. Medalje të argjendta fitoi në vitet 2019 e 2022, kurse të bronzta në vitet 2017, 2018 e 2025. Pra i ka të fituara plot tetë medalje në këtë ngjarje madhore.
Laura Fazliu është bartësja e katërt në kategorinë deri 63 kilogramë. Iva Oberan e Kroacisë, Joanne van Lieshot e Holandës dhe Kirari Yamaguchi e Japonisë janë më lart se Laura në renditje. Ajo e kërkon medaljen e parë në Grand Slamin e Parisit.
Për shkak të mungesës së gjatë në gara, Akil Gjakova ka rënë në renditje dhe nuk është bartës në Paris. Ai nuk ka garuar që nga qershori i vitit të kaluar për shkak të një lëndimi. Akili ka ngadhënjyer në Paris në vitin 2018. Vjet ishte i dyti, e në vitin 2024 i treti.
“Është gjithnjë e përkryer që Grand Slami i parë i sezonit na sjell në Paris, një bastion i përsosmërisë dhe një qytet me shkëlqimin dhe entuziazmin e shtuar nga Lojërat e fundit Olimpike. Parisi zë vend të veçantë në zemrat e xhudistëve në të gjithë botën dhe kujtimet e krijuara këtu çdo vit, do të qëndrojnë me ne përgjithmonë. Parisi është gjithmonë katalizator, duke ofruar nivelin më të lartë të xhudos, brohoritjet më të mëdha dhe është ngjarje që shërben si vitrinë për xhudon”, ka thënë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer.
Ky është edicioni i 52-të i turneut të Parisit. Është gara e parë e vitit në Turin Botëror të xhudos. Është kjo seria e garave më të mëdha të xhudos.