Botues shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia sërish janë mbledhur në Prishtinë, në Panairin e 20-të të librit, ku do të prezantojnë tituj të rinj e të vjetër.
Akti solemn i hapjes së kësaj feste të librit, që mbahet në ambientet e Pallatit të Rinisë e të Sporteve dhe që do të zgjasë deri më 10 qershor, do të ndodhë në orën 18, shkruan sot “Koha Ditore”.
Si shtand që çdo vit sjell botime ekskluzive, është më i vizituari i Panairit dhe ofron zbritje të mëdha në mënyrë që të jetë sa më afër lexuesve, Botimet KOHA edhe këtë vit do të vazhdojë traditën.
Në panairin e 20-të të librit “Prishtina 2018”, Botimet KOHA prezantohet me tetë tituj të rinj, tetë të tjerë të botuar midis dy panaireve e në total kjo shtëpi botuese ofron 150 tituj. Nga një udhëtim aventure intelektuale të historisë personale e familjare deri tek shtetndërtimi në Kosovë me librin e ri të shkrimtarit e publicistit Veton Surroi, “Lopa e Macchiatos”, për të vazhduar me Shqipërinë staliniste të diktatorit Enver Hoxha që arreston e pushkaton ata që i shikon si armiq në veprën “Ridënimi” të Fatos Lubonjës, Botimet KOHA vazhdon të sjellë vepra të reja që zgjojnë interesim tek lexuesit. Vëllimi i pestë i “Monument” me autor Artan Krasniqi - që ofron një udhëtim nëpër trashëgiminë kulturore të shekujve të fundit në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë e Pejë - “Naltësimi i Iskanderit” me autor Benjamin Disraelin, “Vet’ e katërdhjeta” me autore Drenusha Zajmi- Hoxhën e romani “Vegim” i Ardian Haxhës, bëjnë pjesë në pakon ekskluzive të edicionit jubilar të Panairit që nis sot (e martë).
“Pos titujve të rinj, që edhe kësaj radhe kanë zgjuar interesimin ende pa dalë në shitje, ne jemi kujdesur që të jemi pranë lexuesve edhe me çmime”, ka thënë Menaxheri i shitjes, Fidan Imeri. Zbritja do të jetë deri në 70 për qind, përderisa vepra të vlerësuara të letërsisë botërore do të vazhdojnë të shiten për nga një euro.
Edhe
Panairi i çerekshekullit afër lexuesit, Botimet KOHA me ofertë unike
“Lexuesit tanimë kanë mësuar një adresë ku në çdo formë jemi në shërbim të tyre”, ka thënë Imeri. Veprat e Veton Surroit janë kompletuar në një pako, e cila do të ketë çmim të volitshëm për blerësit.
Nënkryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Besian Zeneli, ka thënë se gjatë ditës botuesit kanë nisur t’i rendisin veprat nëpër shtandet e tyre. Këtë vit në përgjithësi do të prezantohen 1500 tituj të rinj.
“Nga viti në vit është rritur numri i shtëpive botuese që marrin pjesë në ngjarjen e librit. Këtë vit numri i shtëpive botuese kalon mbi 100”, ka thënë ai.
Zeneli këtë vit pret edhe rritje të numrit të vizitorëve. Sipas tij, një e mirë sa u përket vizitorëve është fakti që pothuajse asnjë prej tyre nuk shëtit nëpër shtande pa blerë vepra.
Edhe
Njëqind botues, gati për Panairin e Librit i cili pret 40 mijë vizitorë
“Tejet të rrallë janë ata që vijnë dhe dalin pa blerë tituj”, ka thënë ai.
Mysafir special i edicionit jubilar të Panairit është shkrimtari francez François-Henri Désérable. Në edicionin e sivjetmë jubilar do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare, si 550-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit, 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit, 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit, 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos, 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës, 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit, 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit, 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit e 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit. Pos tyre, aktivitetet e Panairit do të vazhdojnë edhe me çmimet e përvitshme.