Prishtinë, 6 qershor – Entuziastë me shifrat në rritje nga viti në vit sa u përket vizitave në Panairin e Librit, por të brengosur me rënien e regjistrimeve të lexuesve në bibliotekat publike, janë paraqitur të mërkurën organizatorët e ngjarjes më të madhe të librit në Kosovë.
Hapja e edicionit të 21-të të ekspozitës së librit ka shërbyer për t’iu bërë thirrje institucioneve shtetërore që ta kthejnë vëmendjen nga bibliotekat publike. Por mesazhet e Shoqatës së Botuesve të Kosovës, udhëheqësit e institucioneve kryesore të vendit mund t’i shohin e lexojnë vetëm nëpërmjet mediave. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në hapjen e Panairit. Madje as ministri i Kulturës, Kujtim Gashi. Ashtu sikurse vitin e kaluar, hapja zyrtare e Panairit është bërë në hapësirën e rezervuar për të shënuar ngjarjet e këtij viti që vijnë në kuadër të organizimit.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se të mbash gjallë e madje të krijosh një ngjarje kulturore të rëndësisë së tillë, është një fitore e madhe për një vend të vogël si Kosova.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës nxori një rënie prej 120 mijë lexuesish më pak në nivel vendi në bibliotekat tona publike. Kjo shifër na ka alarmuar”, ka thënë ai. “Shifrat që vijnë nga Panairi tregojnë në fakt që interesi sa vjen e rritet, por bibliotekat tona publike nuk e kanë vëmendjen institucionale që duhet ta kenë. Këtë e them në nivel vendi. Ai ka përmendur se sivjet pjesë e Panairit janë mbi 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora. Ka thënë se janë 1500 deri në 1700 tituj të rinj. Shifrat, sipas Zenelit, vazhdimisht janë inkurajuese.
Mysafir special i këtij viti është shkrimtari shqiptar, Fatos Kongoli, ndërsa mysafir i veçantë i Panairit të sivjetshëm është edhe shkrimtari e kritiku francez, Juan Asensio, i cili është i pranishëm me librin e tij “Kënga e dashurisë e Judë Iskariotit”.
Në ditën e parë të Panairit nuk është parë ndonjë fluks i madh i vizitorëve. Sipas organizatorëve, edhe moti me shi e ka bërë të veten. Pritjet janë që deri të dielën shifra të arrijë deri në 40 mijë vizitorë. Sivjet midis ngjarjeve që shënohen gjatë Panairit janë edhe 400-vjetori i vdekjes së Lekë Matrëngës, 200-vjetori i lindjes së Walt Whitman, 200-vjetori i lindjes së Herman Melville, 200-vjetori i lindjes së George Elios, 100-vjetori i lindjes së Alain Bosquet e të tjera.
Siç ndodh tradicionalisht, qysh në ditën e parë shtandi më i vizituar ka qenë ai i Botimeve KOHA. Të dhënat flasin se sikurse në edicionet e kaluara libri më i kërkuar del të jetë ai i publicistit e shkrimtarit, Veton Surroi. Romani “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” është shitur në 100 kopje vetëm pasditen e së mërkurës. “Një rrëfim mjeshtëror për një shoqëri që nga Prishtina shikon misionin e Apollos në Hënë. Një thurje filigranike e qindra rrëfimeve që përbëjnë një të vetmin”, është përshkrimi që i bëhet kësaj vepre, romani i tretë i Surroit. Në Panair janë edhe veprat e tjera të këtij autori.. Shtatë vepra në shqip të tij vijnë me 50 për qind zbritje, për 25 euro. Me zbritje deri në 70 për qind janë edhe tituj të tjerë të njohur. “Tregoji botës” nga Eliott Behar, “Kosova: Një histori dokumentare” redaktuar nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, e “Politika serbomadhe nga Garashanini deri te Akademia” redaktuar nga Flaka Surroi janë prej librave më të kërkuar të Botimeve KOHA, që sivjet sjell 9 tituj të rinj e 16 nga Panairi në Panair.
Menaxheri i shitjes, Fidan Imeri, ka thënë se fluksi i njerëzve te shtandi pritet të rritet ditëve në vazhdim.
“Lexuesit e botimeve tona e dinë se për Panair ne vijojmë me ofertë speciale sa u përket titujve e çmimeve. Veprat e zhanreve të ndryshme e bëjnë shtandin tonë më atraktiv për lexuesit”, ka thënë ai.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")
{gallery}