Agjencia e sigurisë kibernetike e Bashkimit Evropian thotë se kriminelët po përdorin program “ransomware” për të shkaktuar kaos në aeroporte në mbarë botën, raporton “BBC”.
Disa prej aeroporteve më të ngarkuara të Evropës kanë kaluar ditët e fundit duke tentuar të rikthehen në operim normal, pasi sulmi kibernetik të premten ndërpreu softuerin për regjistrim automatik dhe po ashtu softuerin që mundëson verifikimin e pasagjerëve para hipjes në aeroplan.
Agjencia e Bashkimit Evropian për Siguri Kibernetike, ENISA, i tha BBC-së të hënën se softueri po përdoret për të ngatërruar sistemet e regjistrimit automatik.
“Lloji i programeve ‘ransomware’ është identifikuar. Forcat ligjzbatuese janë përfshirë për të hetuar”, thuhet në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Nuk dihet ende se kush qëndron prapa sulmit, por bandat kriminale shpesh përdorin programe “ransomware” për të prishur seriozisht sistemet dhe kërkojnë nga viktimat pagesa në “Bitcoin” për ta rikthyer funksionimin.
BBC-ja ka parë komunikimet e brendshme nga stafi i Aeroportit Heathrow në Londër, që u bën thirrje kompanive ajrore të vazhdojnë të përdorin zgjidhjet manuale për regjistrim të pasagjerëve, ndërsa po vazhdon rimëkëmbja.
Heathrow ka kërkuar falje të dielën, ndërsa ka thënë se po vazhdon të zgjidh situatën.
Sulmi ndaj prodhuesit amerikan të softuerit Collins Aerospace u zbulua të premten mbrëmja dhe rezultoi me çrregullime në disa aeroporte të shtunën.
Derisa ka pasur lehtësime në Berlin dhe Londër të dielën, vonesat dhe anulimet e fluturimeve kanë vazhduar.
Aeroporti i Brukselit, gjithashtu i prekur, ka thënë se po punohet për zgjidhje të problemit. Mësohet se u kanë kërkuar kompanive ajrore të anulojnë gati 140 prej 276 fluturimeve të planifikuara për të hënën, sipas agjencisë “AP”.
Mësohet se hakerët prapa sulmit kanë shënjestruar softuerin e famshëm për “checkin” Muse.
Sulmet kibernetike në sektorin e aviacionit janë rritur për 600 për qind në vitin e fundit, sipas një raporti të fundit të kompanisë franceze “Thales”.