Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Vazhdojnë problemet e funksionimit në aeroportin e Brukselit

Aeroporti i Brukselit

Foto: Associated Press

Pasojat e një sulmi kibernetik që preku sistemet e regjistrimit në disa aeroporte evropiane të shtunën, po vazhdojnë edhe të dielën, teksa pasagjerët u përballën me dhjetëra fluturime të anuluara dhe të vonuara. 

Duke filluar nga e premtja vonë, aeroportet kryesore në Bruksel, Londër dhe Berlin u goditën nga ndërprerjet në sistemet elektronike, që penguan regjistrimin dhe detyruan stafin e linjave ajrore të provonin opsione si shkrimi me dorë i kartave të hipjes në bord ose përdorimi i laptopëve rezervë.

Shumë aeroporte të tjera evropiane nuk u prekën.

Nuk është ende e qartë se kush mund të qëndronte pas sulmit kibernetik, por ekspertët kanë thënë se mund të jenë hakerë, organizata kriminale ose aktorë shtetërorë.

Sulmi kibernetik preku softuerin e Collins Aerospace, sistemet e së cilës ndihmojnë pasagjerët të regjistrohen, të shtypin kartat e hipjes në bord dhe etiketat e çantave, dhe të dërgojnë bagazhet e tyre.

Edhe Vazhdojnë vonesat në fluturimet nëpër Evropë për shkak të sulmit kibernetik Botë Vazhdojnë vonesat në fluturimet nëpër Evropë për shkak të sulmit kibernetik

Kompania me seli në SHBA përmendi të shtunën një "ndërprerje të lidhur me kibernetikën" në softuerin e saj në aeroporte "të zgjedhura" në Evropë.

Teksa aeroportet Heathrow i Londrës dhe Brandenburg o Berlinit njoftuan për mbërritje dhe nisje më të rregullta të dielën, Aeroporti i Brukselit ende po përballet me probleme të konsiderueshme.