Botë

Vazhdojnë vonesat në fluturimet nëpër Evropë për shkak të sulmit kibernetik

Aeroport

Foto: Associated Press

Pasagjerët po përballen të hënën me një ditë tjetër vonesash të fluturimeve në të gjithë Evropën, ndërsa aeroportet e mëdha vazhdojnë të përballen me pasojat e një sulmi kibernetik ndaj kompanisë që qëndron pas softuerit të përdorur për regjistrimin dhe hipjen në bord.

Disa nga aeroportet më të mëdha në Evropë, përfshirë London Heathrow, janë përpjekur të rikthejnë operacionet normale gjatë ditëve të fundit, pasi një sulm të premten ndërpreu softuerin automatik të regjistrimit dhe hipjes në bord.

Problemi rrjedh nga kompania Collins Aerospace, një ofrues softuerësh që punon me disa linja ajrore në të gjithë botën.

Kompania, e cila është një degë e kompanisë amerikane të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes RTX, ka thënë të hënën se ishte duke punuar me katër aeroporte dhe klientë të linjave ajrore të prekura, dhe se ishte në fazat e fundit të përfundimit të përditësimeve të nevojshme për të rikthyer funksionalitetin e plotë.

Aeroportet në Bruksel, Dublin dhe Berlin kanë përjetuar gjithashtu vonesa. 

Teksa kioskat dhe makinat e dorëzimit së çantave kanë qenë jashtë linje, stafi i linjave ajrore është mbështetur në përpunimin manual.

Një zëdhënës i aeroportit të Brukselit ka thënë se Collins Aerospace nuk e kishte konfirmuar ende se sistemi ishte përsëri i sigurt. Të hënën, 40 nga 277 fluturimet e saj në nisje dhe 23 nga 277 shërbimet e saj në mbërritje janë anuluar.

Një zëdhënës i Heathrow ka thënë se "shumica dërrmuese e fluturimeve në Heathrow po funksionojnë normalisht, megjithëse regjistrimi dhe hipja në bord për disa fluturime mund të zgjasin pak më shumë se zakonisht".

Sulmi ka nxjerrë në pah rreziqet rreth varësisë së aeroporteve nga furnizuesit për teknologji kritike.

Komisioni Evropian ka thënë të shtunën se po e monitoronte nga afër incidentin dhe se "shenjat aktuale nuk tregojnë një sulm të përhapur ose të rëndë".

Incidenti është i fundit në një seri sulmesh të rënda kibernetike. Këtë muaj, prodhuesi britanik i veturave Jaguar Land Rover ka thënë se një incident kibernetik e detyroi të ndalonte prodhimin, ndërsa në fillim të këtij viti një sulm ndaj shitësit me pakicë Marks & Spencer i kushtoi atij qindra miliona funte.