Kulturë

Skulpturat greke përballë skandalit diplomatik midis Athinës e Londrës

Athina prej dekadash kërkon që Londra të kthejë skulpturat antike të Partenonit. Anulimi i takimit mes kryeministrit britanik, Sunak, dhe homologut grek, Mitsotakis, tregon ashpërsimin e fronteve mes Londrës dhe Athinës

Në fillim të vitit mediat njoftuan për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për kthimin në Greqi të skulpturave të lashta të Akropolit. Në janar të 2023-tës Muzeu Britanik në Londër i konfirmoi diskutimet me Athinën për dorëzimin e përkohshëm të tyre. Pak më vonë Qeveria britanike i mohoi ato dhe përjashtoi kthimin e përhershëm.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, nuk donte të fliste me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, në Londër rreth kthimit të skulpturave të Partenonit. Ndaj anuloi takimin e planifikuar me të këtë javë. Tani madje flitet për një skandal diplomatik. Anëtari i Qeverisë britanike, Mark Harper, e arsyetoi anulimin e takimit me fjalët se qëndrimi britanik nuk mund të lëkundet.

“Mermerët e Elginit” duhet të mbeten pjesë e koleksionit të përhershëm në Muzeun Britanik, ka thënë Haper për BBC. Kryeministri grek Mitsotakis reagoi me zemërim ndaj anulimit në minutën e fundit të takimit. Ai tha (28.11.2023) se ishte i zemëruar. “Pozicionet e Greqisë për çështjen e skulpturave të Parthenonit janë të ditura”, e citon Mitsotakisin Agjencia Gjermane e Shtypit, DPA. “Shpresova të kisha mundësinë të diskutoja për to me homologun tim britanik, ashtu si dhe për sfidat kryesore të situatës ndërkombëtare: Gazën, Ukrainën, krizën e klimës, migrimin”. Mitsotakis refuzoi sërish një takim alternativ me zëvendësin e Sunakut, Oliver Dowden, dhe shprehu indinjim.

Para anulimit të takimit nga Britania e Madhe, kreu i Qeverisë greke njoftoi se gjatë vizitës së tij do të insistonte për rikthimin e skulpturave të Partenonit. “Ato thjesht rrinë më mirë në Muzeun e Akropolit, një muze avangardist i ndërtuar për këtë qëllim”, tha ai për BBC. Kreu i Qeverisë greke tërhoqi vëmendjen edhe me këtë krahasim: “Të ndash këtë thesar arti është njëlloj si të presësh në dy pjesë ‘Mona Lisan’, pikturën me famë botërore të Leonardo da Vinçit dhe ta ekspozosh në Louver të Parisit dhe në Muzeun Britanik”. Në të njëjtën kohë ai theksoi se Athina ishte e interesuar për një partneritet me muzeun e Londrës.

Kryetari i Bordit mbikëqyrës të Muzeut, George Osborne, pati folur së fundmi hapur për dhënien hua Greqisë – me kushtin që “Mermerët e Elginit” të ktheheshin përsëri në Londër. Por për Sunakun nuk bëhet fjalë as për hua. Por duket se po fryn një erë e re.

Të martën edhe gazeta konservatore “Times”, e cila më parë kishte mbështetur qëndrimin e Qeverisë, bëri thirrje për kthimin e tyre: “Skulpturat e kanë vendin në Athinë”, thuhet në artikullin kryesor. Ato janë thelbësore për identitetin kulturor të Greqisë.

Në mars 2023, Vatikani ia ktheu Athinës disa fragmente të relievit të Partenonit. Relievi fillimisht zbukuronte murin e sipërm të jashtëm të tempullit 2500-vjeçar të Partenonit në Akropolin e Athinës. Ai paraqet shumë figura dhe blatime për perëndeshën Athina me rastin e një procesioni për festën më të madhe, që zhvillohej në Athinën antike. Sot një pjesë e relievit ndodhet në Muzeun e Akropolit në Athinë dhe një pjesë më e madhe në Muzeun Britanik në Londër. Pjesët e tjera janë në pronësi të muzeve franceze, italiane, austriake dhe gjermane.

Në Britaninë e Madhe konsiderohet se 56 pjesët e relievit të Partenonit 75 metra të gjatë janë blerë ligjërisht. Greqia e kundërshton dhe thotë se ato janë vjedhur. Mosmarrëveshja rreth kësaj vazhdon prej një kohe të gjatë. Skulpturat e mermerit paraqesin skena të mitologjisë greke. Në Britaninë e Madhe ato janë mbiquajtur “Elgin Marbles”, sipas emrit të Lord Elgin, ambasadorit britanik në Perandorinë Osmane në Kostandinopojë. Ishte Elgin ai që hoqi figurat nga pjesa e jashtme e tempullit të Partenonit në Akropolin e Athinës në fillim të shekullit të 19-të. Ato u sollën në Britaninë e Madhe në marrëveshje me Perandorinë Osmane, e cila sundonte Greqinë në atë kohë.

Mosmarrëveshja për kthimin ishte në fillim të vitit edhe një temë elektorale. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili i rifitoi zgjedhjet në verën e vitit 2023, e bëri kthimin e relievit pjesë të strategjisë së fushatës së tij elektorale. Së fundmi, kryeministri foli për një “progres” dhe “ndjenjë dinamizmi”, ndërsa Muzeu Britanik nuk donte të pranonte se ishin zhvilluar bisedime për këtë temë.

Mbretëria e Bashkuar këmbëngul se i ka blerë ligjërisht skulpturat e mermerit. “Kjo pyetje është në qendër të debatit të kthimit”, thotë Alexander Herman, zëvendësdrejtor i Institutit për Art dhe Drejtësi dhe autor i librit "Restitution: The Return of Cultural Artefacts", i botuar në vitin 2021. “Kjo temë ka qenë në agjendën kulturore në Britaninë e Madhe dhe natyrisht në Greqi prej më shumë se 200 vjetësh”, thotë Herman për “Deutsche Welle” në një intervistë të vitit 2021.

Ndryshe nga Britania e Madhe, debati i kthimit ka marrë vrull në shumë vende evropiane, madje edhe në SHBA. Muzeut Britanik i duhet të pranojë kritika për refuzimin deri më tani të të gjitha kërkesave për kthim. Ndërkohë Gjermania ka nisur t'ia kthejë Nigerisë skulpturat e bronzta të Beninit. Në Gjermani dhe Francë kthimi i objekteve nga kontekstet koloniale është tani një çështje e rëndësishme e politikës kulturore.

Por edhe sikur Muzeu Britanik të vendosë t’i kthejë pjesët e relievit në Greqi, duhet të anulohet fillimisht një ligj kombëtar. Deri tani “British Museum Act” i vitit 1963 e ka penguar Muzeun Britanik të dorëzojë objektet nga koleksionet e tij, sepse i konsideron zotërimet e muzeut si “trashëgimi kombëtare”. Kështu friza e Partenonit mund të përfundonte në Greqi vetëm si hua. Por kjo është shumë pak për Athinën.

Një zëdhënës i kryeministrit Rishi Sunak deklaroi se nuk ka plane për të ndryshuar ligjin: “Qëndrimi ynë për këtë çështje nuk ka ndryshuar”, pati thënë ai që në dhjetor 2022 në “Euronews”. “Vendimet për kujdesin dhe menaxhimin e koleksioneve bien në kompetencën e muzeut dhe administratorëve të tij. Skulpturat e Parthenonit janë ligjërisht pronë e administratorëve dhe janë funksionalisht të pavarura nga Qeveria”, shtoi zëdhënësi i Sunakut.

Anulimi i takimit me homologun e tij, Mitsotakis, dëshmon se Londra nuk ka lëvizur asnjë centimetër në këtë çështje.