Një pyetje është duke marrë më shumë vëmendje sesa më herët: A është Evropa serioze lidhur me dekolonializimin e muzeve? Nëse po, përse e ka kaq të vështirë t’ia rikthejë Afrikës trashëgiminë kulturore të grabitur gjatë periudhës së kolonializimit?
Në vitin 1897, ushtarët britanikë bastisën përgjakshëm pallatin mbretëror të Mbretërisë së Beninit, që ndodhet në Nigerinë e sotme. Pushtuesit plaçkitën mijëra skulptura me zbukurime të punuar në fildish, bronz argjendi. Më pas i shitën ato në krejt Evropën.
Edhe sot, bronzet e Beninit – dëshmi e një qytetërimi të lashtë dhe të fuqishëm – janë të shpërndara nëpër muze dhe koleksione private anembanë globit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë pyetje është duke marrë më shumë vëmendje sesa më herët: A është Evropa serioze lidhur me dekolonializimin e muzeve? Nëse po, përse e ka kaq të vështirë t’ia rikthejë Afrikës trashëgiminë kulturore të grabitur gjatë periudhës së kolonializimit?
“Bronzet e Beninit janë prove e parimeve”, ka thënë për DW historiania nga Göttingeni, Rebekka Habermas. “Debati i kthimit ka të bëjë me rivlerësimin e historisë evropiane”.
Muzeu Britanik në veçanti, i cili mban pjesën më të madhe të artit të veçantë të Beninit – rreth 900 copë – deri më tani ka hedhur poshtë çdo pretendim për kthim. Çështja shkon përtej Bronzeve të Beninit.
Gjendja prapa në kohë
Për shembull, rast tjetër i spikatur është mosmarrëveshja mbi të ashtuquajturat Mermerët e Parthenonit, që përbën një kapitull qendror në Muzeut Britanik të Londrës. Akti i Trashëgimisë Kombëtare të Britanisë së vitit 1983 përdoret vazhdimisht si arsyeja kryesore pse skulpturat antike nuk mund të kthehen në Greqi. Ligji parashikon që objektet që konsiderohen si pjesë e trashëgimisë kombëtare të vendit nuk mund të nxirren jashtë vendit.
Kjo gjë nuk arrin të kuptohet jashtë territorit të Britanisë, veçanërisht në Athinë, ku, për dekada me radhë, autoritetet greke kanë bërë thirrje për kthimin e Mermerëve të Parthenonit.
Vendimi britanik duket se është prapa në kohës. Sipas historianes, Habermas, ai është thjesht një justifikim për të mos i kthyer skulpturat dhe sendet e tjera të blera nga vende të ndryshme, në rrethana të panjohura. “Ligjet janë për t’u ndryshuar”, thekson ajo.
Krejt ndryshe nga Franca, Spanja, Gjermania apo Holanda, për shembull, britanikët nuk janë pajtuar me të kaluarën e tyre koloniale deri më sot, shton ajo. “Identiteti i Britanisë ende bazohet në një masë të madhe te Perandoria”, thotë historiania. “Kjo është jashtëzakonisht irrituese, veçanërisht nëse jeni gjerman dhe keni një marrëdhënie disi të prishur me të kaluarën tuaj”.
Asnjë justifikim moral
Pse është kaq i rëndësishëm kthimi i pronës së grabitur kulturore. “Thjesht nuk ka asnjë justifikim moral për konfiskimin e objekteve afrikane në muzetë perëndimore”, deklaroi filozofi kamerunas, Achille Mbembe në vitin 2021. “Do ta marrë kohën që i duhet, por përpjekjet nuk mund të ndalen”, ka thënë ai.
Rebekka Habermas beson gjithashtu se një “fund simbolik i epokës koloniale” është i nevojshëm – për hir të ish-perandorive koloniale, si dhe të territoreve të dikurshme të kolonizuara. “Në fund të fundit, këto marrëdhënie jetojnë në një nivel ekonomik dhe kulturor”.
Debati i kthimit të artefakte mori hov në vitet ‘60, kur, në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore, shtetet e para afrikane u pavarësuan.
Megjithatë, kërkesat për kthim të Beninëve nga Muzeun Britanik dhe Franca nuk sollën rezultat.
Situata filloi të ndryshojë në vitin 2017 kur, në një fjalim të bërë në Burkina Faso, presidenti francez, Emmanuel Macron, foli për kthimin e përhershëm të objekteve të marra nga Afrika Sub-Sahariane.
Një “pikë kthese”
Prej atëherë, debati pati një moment kthese.
Në Gjermani, për shembull, ajo u bë një çështje e nxehtë gjatë fazave të planifikimit dhe ndërtimit të Forumit Humboldt, të hapur së fundmi në Berlin – pika kryesore e së cilës ishin Bronzet e Beninit.
Ndërkohë, në Belgjikë, në shkurt të vitit 2022, AfricaMuseum në Tervuren i dorëzoi Republikës Demokratike të Kongos 84 mijë artefakte.
Debate të ngjashme për kthimin po zhvillohen në Holandë, Zvicër dhe Spanjë.
Kohë më parë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe komisionarja për Kulturë dhe Media, Claudia Roth, bënë thirrje që kthimi i 20 bronzeve të Beninit në Nigeri të kuptohet si një “pikë kthese në politikën kulturore ndërkombëtare”.
Për vite me radhë, artefaktet u përkisnin muzeve në Berlin, Hamburg, Köln, Stuttgart dhe Dresden.
Gjatë ceremonisë së dorëzimit, Baerbock ka thënë se kthimi tregon një “gatishmëri për të vlerësuar në mënyrë kritike veprimet e veta” me një “vesh të hapur kundrejt shqetësimeve të atyre që ishin viktima të mizorive koloniale”. Ajo ka thënë se kërkesa e Nigerisë për kthim ishte injoruar prej kohësh.
Në Britaninë e Madhe, qasja gjermane – kthimi i sendeve në vendet nga u grabitën – ka të ngjarë të jetë parë në mënyrë kritike, pasi debati për kthimin e dëmeve po bën pak përparim.
Muzeu Britanik, i drejtuar nga historiani i artit gjerman, Hartwig Fischer, ka thënë në të kaluarën: “Shkatërrimi dhe plaçkitjet e bëra në qytetin e Beninit gjatë ekspeditës ushtarake britanike të vitit 1897 pranohen plotësisht nga muzeu dhe rrethanat e blerjes së objekteve të Beninit, shpjegohen në tabelat dhe faqen e internetit të galerisë së muzeut”. Një faqe në ueb-faqen e internetit e muzeut i kushtohet shpjegimit të tragjedisë dhe mënyrës se si sendet erdhën në zotërim të muzeut.
Megjithatë, siç thekson historiania Rebekka Habermas, meqenëse shumë muze të botës po i rikthejnë artefaktet e tyre nëpër koleksionet përkatëse të vendeve prej nga janë marrë, “presioni mbi Muzeun Britanik ka të ngjarë të jetë rritur ndjeshëm”.
Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Mirjetë Sadiku.