Tema e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në letërsinë shqipe është trajtuar që herët, që prej Marin Barletit (1508), e sidomos ka lulëzuar në periudhën e Rilindjes Kombëtare.
E nisi Jeronim de Rada me “Skanderbegu i pafan” më 1837 dhe e mbaroi Fan Noli me “Histori e Skënderbeut” më 1921, shkruan Arben Veselaj, në numrin e sotëm të Kohës Ditore. Skënderbeu ka qenë padyshim edhe temë e veprave tek shumë autorë modernë shqiptarë, por për Ismail Kadarenë ai u bë subjekt i shumë librave të tij, si në romane, poezi, e sidomos në eseistikë e publicistikë, pastaj edhe në polemika e reagime publike etj.
Qysh me romanet e tij të hershëm, si: “Kështjella”, “Pashallëqet e mëdha”, por edhe ata të mëvonshëm si: “Qorrfermani”, “Pallati i ëndrrave” etj., Ismail Kadare ka vënë një marrëdhënie specifike mes letërsisë dhe historisë, duke krijuar kështu një skemë interesante brenda së cilës shkruhet dhe lexohet letërsia e tij. Historia e kombeve të Ballkanit dhe atyre mesdhetarë, që nga koha e miteve të mëdha antike e deri në kohëra moderne, është frymëzim i përhershëm për Kadarenë, fatet e të cilëve jo një herë bëhen reminishenca me fatet e personazheve të tij historikë dhe imagjinarë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)