Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Balerini Sinan Kajtazi lë skenën për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës

Prishtinë, 28 shkurt – Balerini Sinan Kajtazi ka bërë edhe një hap për t’u ulur në karrigen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Si kandidati më i vlerësuar qe shpallur edhe para gati tre vjetësh. Por nuk ia kishte dalë të udhëhiqte institucionin ku punon si solist.

Në konkursin e fundit prapë është shpallur si kandidat i suksesshëm. I bie që është zgjedhur drejtor. Ka lënë prapa kundërkandidatët. Pas periudhës së ankesave, Baleti Kombëtar i Kosovës mund të bëhet me drejtor tre vjet pasi kjo pozitë është boshe. Zëvendësues i drejtorit është balerini Kreshnik Musolli.

Kajtazi nuk ka dashur të flasë për planet e tij në drejtim të institucionit me arsyen se do të presë që të përfundojë afati i ankesave dhe të lidhë kontratë me Ministrinë e Kulturës.

E në Ministrinë e Kulturës kanë thënë se procesi deri tash ka qenë në harmoni me bazën ligjore.

“Afati i ankesave është 15 ditë. Nëse ka ankesa mund të shkojë edhe më gjatë procesi. Ne kemi shpallur kandidatin e suksesshëm i cili ka marrë vlerësimin më të lartë të Këshillit Drejtues dhe do të respektohen të gjitha procedurat”, ka bërë të ditur administrata e institucionit më të lartë kulturor në vend.

Edhe Pas tre vjetëve pa udhëheqës, pesë kandidatë për drejtor të Baletit Kulturë Pas tre vjetëve pa udhëheqës, pesë kandidatë për drejtor të Baletit

Kësaj radhe në garë ishin edhe balerini Kreshnik Musolli, ish-anëtarja e kësaj trupe baleti, Sabrije Spahiu, dhe koreografët Labinot Rexhepi e Driton Saqipi.

Balerini Sinan Kajtazi ishte zgjedhur në këtë pozitë para më shumë se dy vjetësh. Saktësisht në qershor të vitit 2018. Por një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që ai të mos qëndronte më shumë se 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një konkursi të brendshëm në fund të qershorit të vitit 2018, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë. Por AKK-ja kishte konstatuar se ai nuk mund ta mbajë pozitën pa kaluar dy vjet prej largimit nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni.

Në konkursin publik të hapur në nëntor të vitit 2020 nuk ishin paraqitur të paktën tre kandidatë që plotësonin kriteret e konkursit dhe për pasojë thirrja qe anuluar.

Sipas konkursit, ata që duan ta drejtojnë BKK-në duhet të kenë: përgatitje profesionale universitare në fushën e artit dhe të kulturës, 7 vjet përvojë pune, duke përfshirë 4 vjet përvojë pune në vend udhëheqës. Po ashtu kërkohen shkathtësi organizative dhe menaxheriale.

Drejtori udhëheq punën e BKK-së, përfaqëson dhe përgjigjet për veprimtarinë financiare të institucionit, miraton programin vjetor të punës me pëlqimin paraprak të Këshillit Drejtues e zbaton vendimet e Këshillit Drejtues. Këshilli Drejtues aktualisht është në përbërje të Luljeta Rexhepit, Luljeta Ademit, Lejla Pulës, Agim Selimit dhe Fatbardha Nasufit.

Sa u përket drejtorëve, MKRS-ja është duke tentuar që t’i mbushë vendet vakante. Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës janë pa drejtorë. Së voni si kandidati më i vlerësuar për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës rezultoi aktori Kushtrim Sheremeti. Menjëherë më pas pasuan akuzat me prapavijë politike, pasi Sheremeti njihet si kritikues i militantëve të partisë në pushtet. Nëpër rrjete sociale, diskursi qe kryesisht politik, nga anëtarë të partisë në pushtet ka pasur të ashtuquajtura distancime prej përzgjedhjes e Ministria e Kulturës ka shpejtuar të sqarojë se “procesi ende nuk ka përfunduar”. Aktorit, që është nisur drejt postit të kreut të institucionit më të lartë teatror në vend, i janë “nxjerrë nga arkivi” edhe sharje që dikur ia bënte VV-së a militantëve të saj.

MKRS-ja në ditën e 18-të të këtij muaji kishte dalë me njoftim se procesi i zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk ka përfunduar dhe se do t’i ndjekë afatet ligjore për zhvillimin e hapave të mëtutjeshëm, përfshirë afatin e ankesave, që është një muaj.

Edhe Ministria i kthehet synimit që ta bëjë Baletin me drejtor Kulturë Ministria i kthehet synimit që ta bëjë Baletin me drejtor

Aktori Sheremeti nuk ka pranuar të prononcohet me arsyetimin se pret që të përfundojë procesi.

Pos Sheremetit, për drejtor të TKK-së kishin konkurruar edhe aktorët Vlora Merovci-Berisha e Avni Dalipi, që kishin “debutuar” në këtë garë, e konkurrentë të sërishëm, njashtu sikurse Sheremeti, kanë qenë edhe Xhemail Agaj e Blerim Krasniqi. Aktorja Vlora Merovci nuk i kishte plotësuar kriteret e konkursit. Vlerësimet janë bërë prej Këshillit Drejtues të TKK-së në përbërje të Shkurtë Aliut, Armend Smajlit, Ben Apollonit, Gresa Pallaskës, Rebeka Qenës, Visare Aliut dhe Brikena Mulliqit.