Konkursi paraprak kishte dështuar shkaku i kritereve të përcaktuara. Ministria e Kulturës nuk i ka ndërruar “rregullat e lojës”. Duhen shtatë vjet përvojë pune profesionale dhe katër në pozitë udhëheqëse. Institucioni më i lartë kulturor në vend është duke i shikuar aplikacionet nëse të paktën tre nga kandidatët kanë dëshmuar se janë të përgjegjshëm në raport me kriteret e përcaktuara. Pas këtij procesi dosjet do të shkojnë te pesëshja e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës
Më 6 dhjetor janë bërë fiks tre vjet prej kur Baleti Kombëtar i Kosovës është pa drejtor. Po në këtë muaj, Ministria e Kulturës ka pranuar aplikacionet nga pesë veta që ia kanë mësyrë kësaj pozite. Por ende nuk dihet se si do të jetë epilogu i këtij konkursi. Ai i nëntorit të vitit të kaluar kishte dështuar shkaku i kandidatëve që nuk i plotësonin kushtet.
Kësaj radhe në garë janë balerinët e BKK-së Kreshnik Musolli e Sinan Kajtazi. Musolli aktualisht është zëvendësues i drejtorit. Ish-anëtarja e kësaj trupe baleti, Sabrije Spahiu, është po ashtu në garë. Konkurrentë janë edhe koreografët Labinot Rexhepi e Driton Saqipi. Ministria e Kulturës nuk i ka ndërruar “rregullat e lojës”. Duhen shtatë vjet përvojë pune profesionale dhe katër në pozitë udhëheqëse. Institucioni më i lartë kulturor në vend është duke i shikuar aplikacionet nëse të paktën tre nga kandidatët kanë dëshmuar se janë të përgjegjshëm në raport me kriteret e përcaktuara. Pas këtij procesi dosjet do të shkojnë te pesëshja e Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Ende nuk i kemi marrë kandidaturat. Shpresojmë që kandidatët t’i plotësojnë kushtet në mënyrë që ta zgjedhim drejtorin”, ka thënë anëtari i Këshillit Drejtues, Agim Selimi.
Balerini Sinan Kajtazi ishte zgjedhur në këtë pozitë para më shumë se dy vjetësh. Saktësisht në qershor të vitit 2018. Por një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që ai të mos qëndronte më shumë se 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një konkursi të brendshëm në fund të qershorit të vitit 2018, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë. Por AKK-ja kishte konstatuar se ai nuk mund ta mbajë pozitën pa kaluar dy vjet prej largimit nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni.
Tash zëvendës i drejtorit të BKK-së është balerini Kreshnik Musolli. Në konkursin publik të hapur në nëntor të vitit të kaluar, ai kishte konkurruar bashkë me koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha. Nuk ishin bërë tre veta që i plotësonin kriteret.
Kur qe hapur konkursi i fundit, në tetor, Musolli kishte thënë se prapë do t’i hyjë garës.
“Me siguri që do të konkurroj. Punën që e kam bërë që nga korriku i vitit 2019 e kam bërë me shumë kënaqësi dhe përkushtim të madh. Me të njëjtin qëllim prapë do të konkurroj, që të kontribuoj edhe më shumë në institucionin tonë duke realizuar shumë projekte e plane afatgjata, që veç i kam nisur”, kishte thënë ai. Solisti Sinan Kajtazi nuk ishte deklaruar nëse do të konkurronte.
Gjatë fundjavës KOHA ka komunikuar me dy balerinë të BKK-së. Nuk kanë dashur të flasin për nevojën e zgjedhjes së drejtorit me arsyetimin se kanë dy kolegë në garë dhe mund të ketë ngjyrime animesh.
E, sipas konkursit, ata që ia mësyjnë ta drejtojnë BKK-në duhet të kenë: përgatitje profesionale universitare në fushën e artit dhe të kulturës, 7 vjet përvojë pune, duke përfshirë 4 vjet përvojë pune në vend udhëheqës. Po ashtu, kërkohen shkathtësi organizative dhe menaxheriale.
Drejtori udhëheq punën e BKK-së, përfaqëson dhe përgjigjet për veprimtarinë financiare të institucionit, miraton programin vjetor të punës me pëlqimin paraprak të Këshillit Drejtues e zbaton vendimet e Këshillit Drejtues.
Por Ministria e Kulturës nuk i ka punët më mirë as me përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të tjera.
Ky institucion nëpërmjet përsëritjes së konkursit është vënë prapë në kërkim të kandidatëve për drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Në pjesën e parë të këtij muaji u hap konkursi në të cilin afati i konkurrimit është prej 8 deri më 22 janar. Hapja e konkursit është bërë në të njëjtën javë në të cilën MKRS-ja ka anuluar konkursin paraprak, të dytin me radhë.
Aktorët Kushtrim Sheremeti dhe Blerim Krasniqi i kishin plotësuar kushtet sipas kritereve të MKRS-së, përderisa regjisori Kushtrim Mehmeti dhe aktori Xhemail Agaj kanë dalë se nuk i kanë përmbushur kërkesat e konkursit. Për këtë arsye Ministria e Kulturës të martën e javës së kaluar kishte bërë të ditur se konkursi i hapur në tetor është anuluar. TKK-ja është afër vitit të dytë pa drejtor të përgjithshëm. Ish-drejtorit të TKK-së, Agim Sopi, i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.
Deri në nëntor të vitit 2020 nuk u hap konkursi fare. Më pas, në mars të këtij viti, zyrtari ministror e regjisor Naser Shatrolli qe zgjedhur drejtor. Në prill Ministria e Kulturës erdhi në përfundim se procesi nëpërmjet të të cilit qe zgjedhur Shatrolli drejtor nuk ishte në përputhje me ligjin. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Aktualisht MKRS-ja nëpërmjet konkursit është duke kërkuar edhe udhëheqës artistik për TKK-në. Institucioni më i lartë teatror në vend nuk ka udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019. Fatos Berisha qe zgjedhur, por nuk e kishte pranuar detyrën. Konkursi tjetër për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës po ashtu është në prag të dështimit. Ky institucion është pa drejtor qysh prej gushtit të vitit 2020, kur Arta Agani kishte përfunduar mandatin.