Kulturë

Ministria i kthehet synimit që ta bëjë Baletin me drejtor

Një konkurs publik i nëntorit të vitit të kaluar ishte i pasuksesshëm. E tash prej së martës, Ministria e Kulturës është vënë në kërkim të drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Synon që ta heqë këtë “barrë” për tre vjetët e ardhshëm, aq sa zgjat edhe mandati i drejtorit. Po ashtu, në dhjetor të këtij viti bëhen tre vjet prejse ky institucion udhëhiqet me ushtrues detyre apo zëvendësdrejtor, siç quhet tani

Gati një vit pas një konkursi të dështuar, Ministrisë së Kulturës i ka rënë ndërmend se Baletin Kombëtar të Kosovës duhet ta bëjë me drejtor. Ky institucion është pa drejtor prej dhjetorit të vitit 2018, kur u pensionua ish-drejtori tashmë i ndjerë, Ahmet Brahimaj. MKRS-ja nëpërmjet një rekrutimi të brendshëm doli se kishte gabuar në hapa.

Një konkurs publik i nëntorit të vitit të kaluar ishte i pasuksesshëm. E tash prej së martës, MKRS-ja është vënë në kërkim të drejtorit të BKK-së. Synon që ta heqë këtë “barrë” për tre vjetët e ardhshëm, aq sa zgjat edhe mandati i drejtorit.

Është një balerin që mendon t’ia mësyjë pozitës më të lartë ekzekutive në këtë institucion: Kreshnik Musolli. E solisti Sinan Kajtazi ishte zgjedhur në këtë pozitë para gati tre vjetësh, të martën nuk është përgjigjur nëse do të konkurrojë. Kajtazi qe zgjedhur në këtë pozitë në qershor të vitit 2018. Por një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që ai të mos qëndronte më shumë se 12 ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet një konkursi të brendshëm në fund të qershorit të vitit 2018, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë. Por AKK-ja kishte konstatuar se ai nuk mund ta mbante pozitën pa kaluar dy vjet prej largimit nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni.

Tash zëvendës i drejtorit të BKK-së është balerini Kreshnik Musolli. Në konkursin publik të hapur në nëntor të vitit të kaluar, ai kishte konkurruar bashkë me koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha. Kërkohej që ata të kenë nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Në këtë rast merret përvoja e punës pas diplomimit në studimet bachelor. Pikërisht ky kriter ka bërë që të mos jenë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet për të vazhduar me procedurën e rekrutimit. Si pasojë, konkursi qe anuluar.

Musolli të martën ka thënë se prapë do t’i hyjë garës.

“Me siguri që do të konkurroj. Punën që e kam bërë që nga korriku i vitit 2019, e kam bërë me shumë kënaqësi dhe përkushtim të madh. Me të njëjtin qëllim prapë do të konkurroj, që të kontribuoj edhe më shumë në institucionin tonë duke realizuar shumë projekte e plane afatgjate, që veç i kam nisur”, ka thënë ai.

Po ka qenë vetë Musolli i cili javën e kaluar ka përmendur krizën e kushtet në këtë institucion që vijnë edhe si pasojë e proceseve burokratike në raport me Ministrinë e Kulturës. Në konferencën për media, një ditë para premierës së dytë për sivjet, “Tanzminiaturen dhe Tangata” me koreografi të Ricardo Fernandos, që u dha të enjten që shkoi, Musolli bëri të ditur për anulimin e projektit të tretë për sivjet. “Nuk dëshiroj të rrezikoj, të dëmtoj reputacionin e baletit, por edhe të vetë Kosovës, që të dalim një shtet joserioz”, kishte thënë Musolli, tek kishte shtuar se për këtë vendim ka njoftuar Këshillin Drejtues të BKK-së dhe se shpreson që të nxitet MKRS-ja që të reflektoje e të kthejë sytë nga nevojat e këtij institucioni.

E, sipas konkursit, ata që ia mësyjnë ta drejtojnë BKK-në duhet të kenë: përgatitje profesionale universitare në fushën e artit dhe të kulturës, 7 vjet përvojë pune, duke përfshirë 4 vjet përvoje pune në vend udhëheqës. Po ashtu kërkohen shkathtësi organizative dhe menaxheriale.

Drejtori udhëheq punën e BKK-së, përfaqëson dhe përgjigjet për veprimtarinë financiare të institucionit, miraton programin vjetor të punës me pëlqimin paraprak të Këshillit Drejtues e zbaton vendimet e Këshillit Drejtues.

Por Ministria e Kulturës nuk i ka punët më mirë as me përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të tjera. Konkursi i marsit për pozitën e udhëheqësit artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës të Kosovës është anuluar këtë muaj. Qysh në korrik ishin mbajtur testet me shkrim. Sipas arsyetimit të anulimit, ky veprim ishte rekomandim i Këshillit Drejtues. Në anën tjetër, është hapur konkursi për drejtor të përgjithshëm të TKK-së e po ashtu edhe ai për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. I pari qe anuluar pasi Naser Shatrolli ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i TKK-së në mars. Komisioni i ankesave në MKRS kishte konstatuar se ishin bërë shkelje procedurale. E në janar qe anuluar konkursi për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës, pasi nuk ishin bërë tre kandidatë që plotësonin kushtet për të vazhduar procesi i vlerësimit.