Kulturë

Shtëpia e Kulturës në renovim, institucionet u përshtaten rrethanave

Fillimi i punimeve për renovimin e tërësishëm të ndërtesës së shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha” i ka detyruar institucionet kulturore në Prizren që punën e tyre ta përshtatin me rrethanat e reja, derisa Biblioteka do të zhvendoset tërësisht në hapësira të tjera. Drejtuesit e Komunës së Prizrenit kanë pohuar se pas përfundimit të punimeve, do të krijohet një ndërtesë reprezentative për të gjithë komunitetin artistik. Së paku dy vjet zgjat realizimi i projektit të renovimit me kosto prej 750 mijë eurosh

Autoritetet komunale të Prizrenit, të mërkurën, kanë paralajmëruar fillimin e punimeve për renovimin e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”. Sipas tyre, pas përfundimit të punimeve do të krijohen kushte më të favorshme për komunitetin artistik. Ndërkohë institucionet që veprojnë në kuadër të kësaj ndërtese duhet ta adaptojnë veprimtarinë e tyre deri në përmbylljen e projektit.

Drejtori i teatrit të qytetit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa, ka theksuar se renovimi i kësaj ndërtese ka qenë i nevojshëm, meqë ajo është trashëguar me infrastrukturë të vjetërsuar dhe se pas funksionalizimit do të vihet në shërbim të komunitetit artistik. Sipas tij, Teatri nuk do ta ndalë punën, por do t’u përshtatet rrethanave të reja.

“Teatri në fillim të çdo viti bën planifikimin për repertorin dhe projektet e reja, kështu që do të jetë pak sfiduese. Disa projekte besoj se do të shtyhen për më vonë, mirëpo puna e Teatrit nuk do të ndalet, duke e ditur se Teatri do të marrë pjesë në festivale të ndryshme. Por do të gjenden format dhe modalitetet e ndryshme për të krijuar shfaqje të reja, ndoshta të formatit më të vogël nëpër ambiente dhe lokacione të tjera në qytetin e Prizrenit, ku do të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Drejtoresha e Bibliotekës në Prizren, Sahadete Sadikaj, ka njoftuar se ky institucion do të zhvendoset në lokalet e Komunës që ndodhen në “Sheshin e Lidhjes” dhe se aty do të ofrojnë shërbime për lexuesit.

Image

“Më e mira e mundshme për qytetin e Prizrenit, për lexuesit, është që biblioteka të ketë një objekt adekuat për bibliotekën. Kudo që jemi, jemi në shërbim të lexuesve dhe do të tentojmë që në cilado hapësira të kryejmë funksionin tonë dhe të jemi gjithsesi në shërbim të lexuesve tanë", ka deklaruar ajo.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Adem Morina, ka bërë të ditur se ndërtesa nga vitet e ’60 nuk ka pasur renovim të tërësishëm dhe se punimet duhet të kryhen brenda afatit dyvjeçar.

“Një investim që do të jetë diku rreth 750 mijë euro, është investim komunal në këtë rast, i DKRS-së”, ka treguar ai.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se Prizreni është një qytet me traditë sa u përket artit e kulturës, që duhet të ruhet e të begatohet, dhe se konform kësaj, në këtë ndërtesë do të krijohet edhe galeria e qytetit.

përfundimit të renovimit, do ta kemi një objekt reprezentativ, i cili do të jetë shumë funksional, i cili do të jetë multidimensional, edhe në këtë mënyrë po jetësohet një vizion i DKRS-së për të renovuar objektin, për të pasur një objekt reprezentativ edhe për të ofruar kushte shumë më të mira për të gjithë artistët”, ka thënë Totaj.

Ndërtesa e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha”, sipas përshkrimeve zyrtare, u takon objekteve të periudhës moderne, respektivisht të viteve ‘50 të shekullit të kaluar, që është ndërtuar me materiale bashkëkohore të periudhës përkatëse.