Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria, pjesë e katër itinerareve turistike në tri kontinente

Shqipëria është pjesë e katër itinerareve turistikë, rrugë që përshkojnë shtete të ndryshme në tre kontinente dhe që synojnë promovimin e të shkuarës historike, kulturore dhe arkitekturore.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, është ndalur të enjten në fjalën e saj në Kuvend te përfitimet që do të sjellë aderimi i Shqipërisë në “Marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar për rrugët kulturore, miratuar me rezolutën CM/RES (2013) 66”.

“Në të gjithë botën, për kohë me radhë këto itinerare kanë qenë burim i madh të ardhurash ekonomike. Sot është koha që ne t’i rihapim këto porta, këto rrugë kulturore dhe bashkëpunimin me fqinjët ta çojmë më tej. Këtë duhet ta bëjmë jo vetëm për të njohur rrënjët e identitetit tonë, por edhe për ta promovuar atë më tej”, citohet të ketë thënë Margariti.

Ministrja ka theksuar se miratimi i këtij projektligji vjen në vazhdën e nismave të shumta të Ministrisë së Kulturës për të tërhequr investime dhe për ta bërë Shqipërinë një stacion të itinerareve turistike tematike.

“Ky projektligj vjen i lidhur me nisma të tjera të Ministrisë së Kulturës dhe strategjinë tonë për të sjellë forcimin e marrëdhënieve kulturore në vendet e tjera, por edhe për promovimin e vlerave tona”, ka thënë ajo.

Edhe Mbi 600 mijë vizitorë në vit në monumentet e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë Kulturë Mbi 600 mijë vizitorë në vit në monumentet e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë

Duke u ndalur te këto rrugë, Margariti ka veçuar Atrium, rrugëtimin në arkitekturën e regjimeve totalitare të shekullit XX në kujtesën urbane të Evropës. Kjo rrugë, sipas saj, është certifikuar në vitin 2014 dhe Shqipëria ka marrë pjesë tashmë me një ekspozitë.

Rruga e Ullirit e certifikuar në vitin 2005, sipas Margaritit, lidh shumë brigje e kultura në 15 shtete në tre kontinente.

Një tjetër itinerar është Rruga e Fenikasve e certifikuar në vitin 2003, që lidh stacione të shumta arkeologjike, një tjetër potencial të cilin Shqipëria nuk e ka promovuar ashtu si duhet.

“Kjo do të jetë një tjetër mënyrë për ta lidhur ngushtësisht në një tjetër itinerar që do të sjellë më shumë vizitorë dhe studiues akademikë dhe do t’i shërbejë edhe ndërkombëtarizimit të universiteteve duke sjellë në vendin tonë jo vetëm turizëm kulturor, por edhe turizëm akademik”, ka thënë ajo.

Edhe Shqipëria dhe Italia merren vesh për bashkëpunim trevjeçar në kulturë Kulturë Shqipëria dhe Italia merren vesh për bashkëpunim trevjeçar në kulturë

Itinerari tjetër, sipas ministres, është Rruga e Eneas, një tjetër itinerar arkeologjik që fillon në Turqi dhe lidh pesë vende evropiane mesdhetare.

Margariti ka thënë se “këto itinerare sigurojnë promovimin, shkëmbimin kulturor dhe thithjen e fondeve, por edhe përmirësimin e plotë të infrastrukturës që përshkojnë këto itinerare dhe zhvillimin e komuniteteve në këto zona”.