Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria e SHBA-ja në luftë të përbashkët kundër trafikimit të pasurisë kulturore

Shqipëria ka ratifikuar të mërkurën një memorandum bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do t’i shërbejë Qeverisë shqiptare në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore, raportojnë mediat shqiptare. Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë është ratifikuar memorandumi me SHBA-në për vendosjen e kufizimeve të importit për kategoritë e materialeve arkeologjike dhe etnografike shqiptare. Sipas saj, puna për hartimin e memorandumit ka nisur që në vitin 2018.

“Ministria e Kulturës ka bashkëpunuar me Departamentin Amerikan të Shtetit për hartimin e këtij memorandumi, i cili sjell në vëmendje nevojën e Shqipërisë për t’u pozicionuar në luftën e trafikimit të pasurive kulturore”, citohet të ketë thënë ministrja Margariti.

Sipas ministres, pjesëmarrja në Konventën e UNESCO-s të vitit 1970, një sërë aktesh nënligjore dhe udhëzimesh, si dhe ky memorandum, e pozicionojnë Shqipërinë ndër vendet aktive në luftën e trafikimit të pasurive kulturore.

Margariti u shpreh se tashmë Shqipëria ka një databazë me listën e pasurive kulturore të vjedhura, ndërsa do të krijohet edhe një databazë tjetër ku do të përfshihen koleksionistët dhe tregtarët e veprave të artit.

Për këtë ajo ka thënë se do të bashkëpunohet si me gjendjen civile, edhe me Policinë e Shtetit.

Margariti ka deklaruar se tashmë Shqipëria nuk është më në listat e zeza të trafikimit të pasurisë.

Në zbatim të memorandumit, ministrja ka bërë të ditur se do të ngrihet një grup ekspertësh nga Ministria e Kulturës dhe nga Policia e Shtetit që do të bashkëpunojnë me Departamentin Amerikan të Shtetit në kuadër të bashkëpunimit në luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore.

“Ky memorandum do të çojë luftën kundër trafikimit të pasurisë kulturore në një stad tjetër dhe do të kompletojë kuadrin ligjor”, ka thënë Margariti, teksa ka vlerësuar se bashkëpunimi me SHBA-në është një tregues për rezultate në këtë luftë.

Artikuj të ngjashëm