Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shqipëria dhe Italia merren vesh për bashkëpunim trevjeçar në kulturë

Shqipëria dhe Italia janë marrë vesh për bashkëpunim kulturor për tre vjetët e ardhshëm. Përtej kulturës, edhe për arsim, sport dhe programe rinore.

Marrëveshja e nënshkruar midis ministres së Kulturës, Elva Margariti, dhe ministrit italian të Kulturës, Dario Franceschini, përfshin një serë programesh të përbashkëta. Po ashtu obligon institucionet për të bashkëpunuar.

“Si ministre e Kulturës jam krenare që sot ngritëm një tjetër urë komunikimi me shtetin fqinj, Italinë. Bashkë me ministrin italian të Kulturës, Dario Franceschini, firmosëm një program të shëndoshë trevjeçar bashkëpunimi mes institucioneve të kulturës të dy vendeve tona, por edhe në arsim, sport e rini, ku mësimi i gjuhëve përkatëse në institucionet arsimore dhe vendosja e lidhjeve mes të rinjve janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ministrja Margariti.

Sipas saj, ky program parashikon bashkëpunime në muzikë, teatër e vallëzim, arte pamore përmes ekspozitash të artistëve tanë apo fonde të galerive, përfaqësime në festivale dhe aktivitete të ndryshme ndërkombëtare.

“Po ashtu marrëveshja parashikon binjakëzime institucionesh, bashkëprodhime kinematografike, shkëmbime eksperiencash dhe specialistësh në trashëgimi kulturore, arkeologji, restaurim, muzeologji, binjakëzime mes teatrosh dhe universitetesh”, nënvizoi Margariti.

Ministri Franceschini ka thënë se marrëveshja e bashkëpunimit forcon raportet dypalëshe në një investim që do të përfshijë jo vetëm sektorët tradicionalë, ku bashkëpunimi është tashmë i fortë, por do të vijojë edhe në arkeologji, muze e në luftën kundër trafikimit e pasurive kulturore.

“Kjo marrëveshje do të jetë një investim i madh për të ardhmen, duke krijuar lidhje që do të forcohen edhe më shumë me kohën, që duhet të çojnë sa më shpejt që të jetë e mundur pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, diçka të cilën Italia e mbështet me bindje dhe do të vijojë ta mbështesë edhe më shumë se ç’kemi bërë gjatë këtyre viteve, duke shpresuar që të pranohet sa më shpejt”, citohet të ketë thënë Franceschini.

Edhe Shqipëria, pjesë e katër itinerareve turistike në tri kontinente Kulturë Shqipëria, pjesë e katër itinerareve turistike në tri kontinente

Sipas Ministrisë së Kulturës, qëllimi i Marrëveshjes është zhvillimi me efikasitet i bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në sektorin e kulturës, arsimit, sportit dhe rinisë, fuqizimi dhe intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit.

Në njoftim shkruhet se në fushën e kulturës Marrëveshja ka si qëllim bashkëpunimin në fushat e trashëgimisë kulturore duke mbështetur kontaktet dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet studiuesve dhe publikimeve nga institucionet e specializuara, si dhe organizimin e ngjarjeve që promovojnë misionet arkeologjike italiane në Shqipëri, organizimin e programeve të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe të arkeologjisë.

“Po ashtu marrëveshja ka si qëllim promovimin dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare edhe në shkollat italiane dhe asaj italiane në shkollat shqiptare; ofrimin e bursave të shkëmbimit për studentë dhe studiues; shkëmbimin e delegacioneve, të atletëve, trajnerëve dhe ekspertëve të tjerë sportivë; mundësinë për binjakëzim mes institucioneve të arsimit parauniversitar të dy vendeve; vijimësia e bashkëpunimit jo vetëm përmes programeve aktuale ekzistuese në Evropë për lëvizjen, duke iu referuar veçanërisht programit ‘Erasmus’ dhe për kërkimin referuar programit ‘Horizon Europe’, por edhe duke mbështetur në rrafsh evropian përftimin e programeve të reja të mundshme të përbashkëta”, shkruhet në njoftim.