Kënga “Zjerm” nën interpretimin e grupit Shkodra Elektronike është kualifikuar në finalen e “Eurovisionit 2025” që po mbahet në Basel të Zvicrës.
Shqipëria u kualifikua e dyta, menjëherë pas Norvegjisë.
Biletë në finale, veç Shqipërisë e Norvegjisë, siguruan edhe Suedia, Islanda, Holanda, Polonia, San Marino, Estonia, Portugalia dhe Ukraina.
Të enjten do të jetë gjysmëfinalja e dytë. Aty 10 nga 16 shtetet shkojnë në finale. Finalja është më 17 maj, e shtunë.
Shqipëria vazhdon të mbajë rekordin e përfaqësuar me Rona Nishliun në vitin 2012. Ajo me këngën “Suus” qe radhitur në vendin e pestë. Në top 10, Shqipëria hyri edhe në vitin 2017, e përfaqësuar nga Lindita Halimi me këngën “World”.
Shqipëria për herë të parë mori pjesë në “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012.
Zvicra e organizon pas 36 vjetëve “Eurovisionin”. Këngëtari zviceran Nemo e fitoi “Eurovisionin” e vitit të kaluar. Para tij, për herë të fundit e kishte fituar Celine Dion në vitin 1988.
Zvicra gjithashtu ka qenë nikoqir i Eurovisionit të parë në histori.
