Varshavë, 11 gusht (The Jerusalem Post) – Në ujërat e cekëta të lumit “Vistula” në Varshavë është zbuluar një shpatë mesjetare kur peshkatari amator Andrzej Korpikiewicz e ka kapur derisa zinte peshq, sipas “The New York Post”. Vlerësimet fillestare e kanë përcaktuar armën t’i përkasë shekullit XIII ose XIV, kur qenë ngritur kasollet e para prej druri në kryeqytetin polak.
“Supozohej të ishte një peshk i madh, por doli të jetë një shpatë e madhe”, ka thënë me shaka grupi i Kryekonservatorit të Monumenteve në rrjete sociale, duke shtuar “Siç e shihni, ‘Vistula’ fsheh thesare të vërteta!”
Shpata luftarake është e gjatë 79 centimetra nga maja deri te doreza e saj dhe e përmban edhe tehun, një dorezë sferike dhe një pjesë mbrojtëse të drejtë afër saj. Ekspertët kanë konstatuar se masa e tehut është zvogëluar për shkak të qëndrimit disashekullor në llomin e lumit. Megjithëkëtë, shpata duket “befasisht e ruajtur mirë”. Një kryq i gdhendur në teh dhe pranë dorezës e tregon shenjën e atij që e ka krijuar dhe ka ngritur spekulime që mund të ketë lidhje me Tempullarin e Kalorësve, që ka qenë aktiv në Evropën Lindore deri në shuarje më 1312 të erës sonë.
“Për shkak të shenjës kryqore, mund të përcaktohet një datë më precize, shenja është ‘vula’ e farkëtarit që e ka rrahur”, ka thënë Anna Magdalena Łań, kryespecialiste për ruajtjen e monumenteve për Varshavën, sipas “ProTV News”. Łań ka shtuar se testet e mëtejshme metalurgjike mund të hedhin dritë nëse kryqi ka qenë një shenjë “devotshmërie”, apo ka qenë funksional në kuptim të parë. Ka potencuar gjithashtu se një shpatë kaq e vjetër, e gjetur në atë që tash është Varshava, është e veçantë.
Zyrtarët e kanë konfirmuar origjinalitetin e artefaktit dhe e kanë bartur atë në Punëtorinë për Ruajtjen e Metaleve në Muzeun Arkeologjik Shtetëror. Para se të konservohet në tërësi, Michał Krzuczkowski ka bërë disa fotografime me rreze rëntgen dhe mikrofotografi për ta dalluar ndonjë shenjë korrozioni apo ndonjë gdhendje të fshehur. Specialistët e metaleve do ta stabilizojnë hekurin, t’i largojnë fijet e drurit të mineralizuar nga sipërfaqja dhe ta përgatitin armën për ekspozim.
Për shkak se shpata është nxjerrë nga shtrati i lumit pa qeramika, monedha apo copëza veshjesh luftarake, arkeologët kanë thënë se mungesa e kontekstit e ka vështirësuar gjetjen e gjurmëve të kohës. Łań e ka shmangur mundësinë e të qenit një dhënie rituale, duke shpjeguar se hedhja e armëve në ujë ka qenë një traditë pagane, që asnjëherë më nuk është praktikuar në Poloninë e Krishterë prej viteve 1200. Një hipotezë mëton të tregojë se shtrati i lëvizshëm i lumit e ka zhvendosur shpatën nga një vendbanim eroziv prej më herët.
Ruajtësi i trashëgimisë së Varshavës, Michał Krasucki, e ka lavdëruar Korpikiewiczin për “njohuritë e procedurave të sakta për t’i bërë ballë zbulimet arkeologjike”. Peshkatari ka thënë se ka hasur në shpatë aksidentalisht, duke theksuar se shumë kërkues reliktesh nuk kanë sukses në “gërmimin” e lumit “Vistula”.
Ky zbulim ka ardhur pas një serie gjetjesh të tjera në Poloni. Në Gdańsk, disa ekipe që po e rinovonin një lokal akulloresh, e kishin zbuluar një varr të një kalorësi mesjetar, të ruajtur mjaft mirë, me mamuze dhe me pjesë armësh. Më herët, disa shëtitës të plazhit në bregdetin baltik kishin hasur në rërë një kamë bronzi, që datonte rreth 2500 vjet më parë.
Zyrtarët e trashëgimisë kanë thënë se shpata do të duhej të rrinte në gjendje laboratori për të paktën një vit, përpara se kuratorët ta ekspozojnë krahas artefakteve të tjera të vjetra të Varshavës, të cilat e paraqesin ngritjen e qytetit nga një dukatë e vogël te një kryeqytet mbretëror.
Përktheu: Sinan Berisha