“Shota” jo vetëm interpreton këngë e valle, por projekton imazhin e një arkivi të gjallë të kujtesës kolektive shqiptare. Në një sallë të vetme lidh brezat. Koncertet e tyre janë edhe lloj paraqitjesh edukative për të rinjtë të cilët përherë janë të shumtë në ngjarjet e Ansamblit dhe kjo u jep shpresë udhëheqësve të tij
Si një prej institucioneve më të rëndësishme të identitetit kulturor në vend, ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” e mban publikun të lidhur jo veç me ritmet e vargjet si dhe ritmet popullore, por edhe me shumë elemente të tjera që bart në paraqitje ansambli. Si veshja, trimëria, butësia e gruas, por edhe roli i saj në raste të jashtëzakonshme. Paraqitjet e ansamblit në skenë bartin te publiku pasurinë shpirtërore. Sivjet këtë synon ta pasurojë edhe me dy koreografi premierë krahas aktiviteteve në vend e në skenën ndërkombëtare.
“Shota” jo vetëm interpreton këngë e valle, por projekton imazhin e një arkivi të gjallë të kujtesës kolektive shqiptare. Në një sallë të vetme lidh brezat. Koncertet e tyre janë edhe lloj paraqitjesh edukative për të rinjtë të cilët përherë janë të shumtë në ngjarjet e Ansamblit dhe kjo u jep shpresë udhëheqësve të tij.
Drejtori artistik i “Shotës”, Ylber Asllani, i ka ftuar veçmas të rinjtë të njohin më mirë këngën e vallen tradicionale si pasuri kombëtare.
“Ftoj të gjitha moshat, e sidomos të rinjtë, që ta ndjekin aktivitetin e Ansamblit. Të vijnë ta shijojnë, ta njohin e ta mësojnë këngën, vallen e kostumet shqipe që janë një prej perlave të historisë sonë kombëtare dhe pasuri e padiskutueshme e kombit tonë. E çmon gjithë bota dhe ne duhet ta duam, ta kultivojmë dhe ta shijojmë sepse kemi fat që është e jona”, është shprehur ai.
Gjatë shkurtit “Shota” ka zhvilluar programin edukativ me nxënës në ambientet e Ansamblit, ndërsa më 16 shkurt mbajti koncertin e parë për sivjet për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prizren, shtëpinë e kulturës “Xhemali Berisha”.
Udhëheqësi artistik i Shotës, Ylber Asllani, ka bërë me dije se paraqitjet e para jashtë vendit do të jenë në Zvicër dhe në Turqi.
“Sikurse çdo vit, Ansambli ka planin e vet artistik dhe strategjik të cilin e përpilon në fund të vitit paraprak. Ne kemi filluar me zbatimin e tij i cili përmban shumë koncerte, shumë paraqitje brenda dhe jashtë vendit, qofshin ato koncerte premierë, repriza apo festive-protokolare. Një i tillë do të jetë për Epopenë e UÇK-së në Zvicër e një tjetër në Turqi, së paku në dy qytete. Kemi në plan të jemi edhe në dy festivale ndërkombëtare të cilat ende nuk janë të definuara saktësisht”, ka bërë me dije ai në një përgjigje me KOHËN.
Përgjatë koncerteve të tij, vitin e kaluar ansambli ka sjellë vallet epike të të gjitha trevave shqiptare duke ruajtur larminë e trashëgimisë së të gjitha trevave. Planifikohet që repertorit t’i shtohen edhe dy koreografi të reja këtë vit.
“Në kuadër të planit artistik planifikojmë të zgjerojmë repertorin natyrisht, së paku me dy koreografi të reja , me shumë këngë të cilat janë më lehtë të realizueshme, sepse koreografia është me kërkesa pak më të mëdha edhe financiare, edhe artistike. Por megjithatë, e kemi në plan që të paktën dy koreografi premierë t’i sjellim sivjet”, ka njoftuar Asllani duke bërë me dije se sikur vitin e kaluar, edhe këtë vit pritet të rritet trupa artistike e Ansamblit.
“Po ashtu po planifikojmë ta bëjmë një freskim të trupës artistike, e cila do të bëhet përmes audicionit përmes të cilit me kohë do t’i informojmë qendrat komunale për të zgjedhur të interesuarit eventual”, ka thënë ai më tej duke bërë me dije se “Shota” ka nevojë për valltarë, këngëtarë dhe instrumentistë.
“Shota” të paktën nuk e ka hallin se ku të përgatit projektet e saj, por telash është përherë prezantimi i tyre te publiku në kryeqytet. Sikur Teatri Kombëtar e Baleti edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve shfrytëzon Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Edhe pse Amfiteatri është pak i vogël, megjithatë po vazhdojmë ta zhvillojmë aktivitetin”, është shprehur Asllani.
Koncertet e “Shotës” automatikisht të njoftojnë me veshjet unike tradicionale, me detajet e tyre të bukura e plot ngjyra. Ansambli u ka dhënë atyre jo vetëm hapësirë ekspozimi, por edhe dinjitet skenik si ambasadore të kulturës sonë brenda dhe jashtë vendit.
Çdo fustanellë, jelek, shami e çka jo tjetër merr jetë në skenë.
“Arsyeja pse ekziston Ansambli është pikërisht ruajtja, kultivimi, prezantimi e avancimi i vlerave dhe traditave kulturore, qofshin muzikore, koreografike e një element i rëndësishëm edhe kostumet popullore. Ne ndoshta më shumë paraqitemi jashtë vendit. Suksesi i vitit të kaluar ka qenë edhe ai që kemi pasur mundësi të paraqitemi në disa qendra të Kosovës duke iu falënderuar faktit që janë rinovuar e rregulluar sallat. Fatkeqësisht, vitet e fundit e kemi pasur të pamundur për shkak të kushteve”, është shprehur Asllani.
Programi njëvjeçar i vjetshëm është kurorëzuar me premierën “Feniksët e lirisë” me koreografi nga Feim Leka dhe muzikë nga Valton Beqiri. Në funddhjetor qe dëshmuar si rrëfim i fuqishëm për dhimbjen, sakrificën, krenarinë dhe ringjalljen shpirtërore të popullit shqiptar të ngritur nga hiri drejt lirisë.
Udhëheqësi artistik, Ylber Asllani, e ka konsideruar vitin e kaluar si një prej viteve më të suksesshme për “Shotën”.
“Konsideroj se ka qenë një prej viteve goxha të suksesshme të Ansamblit. Kemi marrë pjesë në festivale ndërkombëtare, kemi arritur suksese të jashtëzakonshme, kemi mbajtur koncerte”, ka konsideruar ai.
Sa i përket rolit edukativ, Ansambli frymëzon brezat e rinj të njohin rrënjët e tyre dhe të kuptojnë tradicionalitetin në kohën moderne. Midis shumë aktiviteteve tjera, Asllani e konsideron bashkëpunimin e “Shotës” me shkolla dhe kopshte si prej sukseseve më të mëdha.
“Një prej momenteve që konsideroj të mira të Ansamblit është që tashmë ka arritur të tradicionalizohet bashkëpunimi me shkollat dhe me kopshtet tona. Shumë fëmijë po vijnë, po vizitojnë Ansamblin. Kemi mbajtur koncerte ’matine’ për moshat e reja, që për mua është element shumë i rëndësishëm i veprimtarisë së Ansamblit dhe e konsideroj si një prej sukseseve për t’u veçuar, përpos pjesëmarrjes në disa koncerte festive”, është shprehur ai.
Çdo hap valleve, çdo ritëm muzike e çdo varg kënge i “Shotës” është rrëfim për historinë e zakonet shqiptare. Pritet të sjellë rrëfim të veçantë edhe këtë vit.