Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Neighbours – from motherland” me trupat që u kthehen rrënjëve

Koreografia e Brigel Gjokës dhe Rauf Yasit ka lëvizur midis gjuhës bashkëkohore të kërcimit dhe elementeve të vallëzimit tradicional (Foto: BKK)

Koreografia e Brigel Gjokës dhe Rauf Yasit ka lëvizur midis gjuhës bashkëkohore të kërcimit dhe elementeve të vallëzimit tradicional (Foto: BKK)

Bashkëpunimi koreografik midis Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, ka sjellë në Prishtinë rrëfimin për rrënjët, identitetin dhe të përbashkëtat midis kulturave shqiptare e kurde. Shfaqja e koreografëve Brigel Gjoka dhe Rauf Yasit është shfaqur të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar, si një rrëfim për rikthimin te rrënjët e përbashkëta

Në skenë, dy trupa afrohen dhe largohen njëkohësisht. Të lidhur me njëri-tjetrin, por në përpjekje të vazhdueshme për t’u shkëputur, komunikojnë nëpërmjet lëvizjes, frymëmarrjes dhe ritmit të trupit. Edhe kur muzika ndalet, komunikimi nuk pushon. Përkundrazi, heshtja duket si çlirim i përkohshëm nga tensioni që e ka shoqëruar lëvizjen.

Kështu ka nisur rrëfimi i “Neighbours – From Motherland”, shfaqjes që të mërkurën mbrëma ka bashkuar në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë. Vepra, e realizuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tiranë, është prezantuar më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, para se të vinte në Prishtinë.

Koreografia e Brigel Gjokës dhe Rauf Yasit ka lëvizur midis gjuhës bashkëkohore të kërcimit dhe elementeve të vallëzimit tradicional. Në disa prej sekuencave, balerinët kanë ndjekur ritmin e njëri-tjetrit, janë drejtuar nga lëvizjet e partnerëve ose kanë mbetur jashtë ritmi që grupi ka formuar në skenë.

Një nga momentet kulmuese ka bashkuar dy balerina me një prej protagonistëve, i cili njërës i ka ofruar një duvak, ndërsa tjetrës i është drejtuar përmes lëvizjes. Më pas, të dyja janë mbuluar me të njëjtin material, duke krijuar imazhin ku trupi fizik dhe identiteti abstrakt janë shkrirë në një.

Në sfond, tingujt e këngës tradicionale shqiptare “Fustanin që ta solla mbrëmë” janë ndërthurur me elemente të muzikës kurde, ndërsa shamitë e kuqe dhe lëvizjet e vallëzimit tradicional kanë sjellë në skenë një pjesë të trashëgimisë që shfaqja e ka vendosur në dialog me gjuhën bashkëkohore të baletit.

Muzika kurde, turke dhe shqiptare është bërë pjesë e së njëjtës performancë. E rrënjët janë trajtuar si pikënisje për ta kuptuar njëri-tjetrin (Foto: BKK) 

Muzika kurde, turke dhe shqiptare është bërë pjesë e së njëjtës performancë. E rrënjët janë trajtuar si pikënisje për ta kuptuar njëri-tjetrin.

Koreografi Rauf Yasit ka treguar se puna është zhvilluar në disa etapa. Pjesa e parë është krijuar në vitin 2019, ndërsa në vitin 2021 është ndërtuar pjesa e dytë, duke i dhënë muzikës rol në zhvillimin e saj.

“Është ndërthurje e muzikës kurde, turke dhe shqiptare. Ne festojmë rrënjët tona dhe prejardhjen tonë. Kjo pjesë fillimisht u krijua në vitin 2019, me pjesën e parë, e cila ishte tërësisht në heshtje. Në vitin 2021 ndërtuam pjesën e dytë, kësaj here me muzikë”, ka thënë Yasit.

Ai ka shpjeguar se koncepti është zhvilluar gradualisht.

“Na është dashur një kohë për ta zhvilluar konceptin dhe për të hulumtuar lëvizjen. Gjithçka nisi me ide të vogla dhe, me kalimin e kohës, filluam t’i zhvillojmë konceptet. Tani, në vitin 2026, kemi dhjetë valltarë në skenë me ne”, ka treguar Yasit, që ka rrënjë e prejardhje shqiptare.

Për Brigel Gjokën, i cili për herë të parë ka punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës, ky proces ka qenë njëkohësisht sfidues dhe emocional.

“Ka qenë një rrugëtim tepër sfidues, tepër emocionues dhe tepër i veçantë. Ishte hera e parë që punoja me Baletin Kombëtar të Kosovës, por që në fillim ndjeva një energji të shtëpisë, një energji familjare, sepse edhe vetë pjesa ‘Fqinjët’ e përkthen tërësisht tematikën e shfaqjes”, ka thënë Gjoka, i cili edhe vetë luan në shfaqje, sikurse edhe Yasit.

Ai ka treguar se ideja e projektit është zhvilluar nga bashkëpunimi me Yasin dhe nga kërkimi i përbashkët mbi rrënjët e tyre dhe ato të Ballkanit.

“Unë nuk do të them se ka të bëjë me humbjen e rrënjëve; do të them se ka të bëjë me rikthimin te rrënjët. Mendoj se jemi më afër secilit person tjetër, pavarësisht kombësisë së tij. Duhet të zgjohemi dhe ta shohim se mund të kemi shumë gjëra të përbashkëta”, ka thënë Gjoka.

Balerina Rovena Shqevi ka theksuar se shfaqja vë në qendër kulturën shqiptare dhe atë kurde, por mesazhi i shfaqjes shkon përtej këtyre dy kulturave.

“Mendoj se mesazhi më i rëndësishëm është se, në fund të ditës, të gjithë jemi njerëz, pavarësisht kombësive të cilave u përkasim. Marrëdhënia jonë duhet të jetë gjithmonë e mirë, e bukur, me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, pa dhunë, pa luftë dhe pa të gjitha ato gjëra që e kanë mbytur botën”, ka thënë ajo.

Sipas saj, shfaqja kërkon që njerëzit t’i afrohen njëri-tjetrit dhe ta njohin më mirë njëri-tjetrin.

“Le t’i afrohemi njëri-tjetrit, le të qëndrojmë pranë dhe ta njohim njëri-tjetrin më mirë. Ndoshta kështu do ta bëjmë botën më të bukur”, ka thënë Shqevi.

Në Prishtinë, shfaqja është dhënë në një hapësirë dukshëm më të vogël se ajo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Por, balerina Shqevi ka thënë se afërsia me publikun ka ndikuar pozitivisht në emocionin e performancës.

“Sepse këtu publiku është shumë afër. Është sikur mund ta prekim me dorë dhe emocionet janë pak më të forta. Kur e sheh publikun dhe e ndien se e ke kaq afër, në krahasim me teatrin në Tiranë, mendoj se kjo na ka dhënë emocione pozitive dhe na ka karikuar për të qenë edhe më të mirë”, ka treguar ajo.

Balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli, ka thënë se procesi i punës midis dy trupave ka qenë sikur të jenë një shpirt i vetëm.

“Ne e ndiem veten si në shtëpinë tonë kur ishim në Tiranë. Kemi qëndruar rreth pesë javë dhe kemi punuar me intensitet të lartë. Bashkëpunimi mes koreografëve dhe balerinëve ka qenë fantastik. Mendoj se kemi qenë si një shpirt i vetëm dhe jemi munduar t’i realizojmë të gjitha kërkesat e koreografëve. Kemi bashkëpunuar tepër mirë dhe energjia ka qenë shumë e mirë. Koreografët kanë qenë fillimisht shumë njerëzorë dhe, natyrisht, edhe shumë profesionistë”, ka thënë Musolli.

Në shfaqje kanë interpretuar edhe dy koreografët, Isa Gjocaj, Aulonë Nuhiu, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Isida Mollaymeri, Livia Lara, Armando Meci dhe Enea Qiriçi.

“Neighbours – From Motherland” është ndërtuar si takim midis dy trupave, dy kulturave dhe dy mënyrave të menduarit për rrënjët.