Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Shkrimtarja shqiptare Lea Ypi merr çmimin britanik “Ondaatje”

Lea Ypi është shpallur fituese e çmimit “Ondaatje” të Royal Society of Literature (RSL) (Shoqata Mbretërore e Letërsisë). Shkrimtarja shqiptare u shpall laureate për romanin e saj “Të lirë” të botuar më 2021, libër kujtimesh i vendosur midis trazirave politike. Sipas organizatorëve, çmimi që ka vlerë prej 10 mijë sërlinash britanike (11 e 700 euro) ndahet për një vepër të jashtëzakonshme letrare, joletrare ose në poezi që “ngjall më së miri frymën e një vendi”.

Duke folur pas ndarjes së çmimit, Ypi ka thënë se shpreson që libri i saj “do t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm ndaj realitetit” të një vendi siç është Shqipëria dhe të nxisë interesimin për historinë e tij.

“Vepra ka nisur si një libër për konceptet dhe është e pabesueshme të marrësh këtë çmim për librin më të mirë, që ngjall shpirtin e një vendi”, citohet të ketë thënë ajo, raportojnë mediat e njohura britanike, si “The Guardian” e “The Independent”. Sipas saj, kjo dëshmon se konceptet dhe vendet janë të lidhura me njëra-tjetrën.

“Për mua kjo është shumë e rëndësishme sepse vendi, të cilit i ngjallet shpirti, është Shqipëria, një vend rreth të cilin njerëzit zakonisht nuk mendojnë – nuk është vend që bën bujë përderisa nuk ndodh diçka problematike. Shpresoj se kjo do t’i bëjë njerëzit të kenë interes për historinë e këtij vendi, e cila gjithashtu është një histori e rëndësishme për gjithë botën… dhe t’i bëjë njerëzit më të ndjeshëm ndaj realiteteve që duhet t'u kushtohet vëmendje, pavarësisht nëse ka një krizë të njohur në një vend apo jo”, ka thënë ajo.

Ypi ishte në listë të ngushtë për këtë çmim bashkë me Sathnam Sanghera, AK Blakemore, Cal Flyn, Yousif M. Qasmiyeh, dhe Elif Shafak.

Edhe Kapërcimi i poshtërimit me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit Kulturë Kapërcimi i poshtërimit me imagjinatë dhe fuqinë emancipuese të artit

Çmimi iu dorëzua nga Colin Thubron, presidenti emeritus i Shoqatës Mbretërore të Letërsisë, e themeluar më 1820, në ceremoninë e mbajtur të mërkurën mbrëma në “Two Temple Place” në Londër.

Anëtarët e jurisë, Sandeep Parmar, Patrice Lawrence dhe Philippe Sands, në arsyetim kanë shkruar se Ypi është “mjeshtër në përballje midis narrativave madhështore dhe personale”.

“Duke lexuar dhe rilexuar romanin, ‘Të lirë’ të Lea Ypit, ne ndiejmë fuqishëm se shqetësimet qendrore të librit – politika, historia personale, vetë kuptimi i lirisë – folën në mënyrë rezonante për momentin e tanishme të jetës”, shkruhet në arsyetim. “Prania e humorit të zi dhe thellësisht serioze e Ypit na bëri të reflektojmë fuqishëm mbi nevojën për vërtetësi rreth historive që na tregohen dhe se si ne e negociojmë jetën tonë brenda tyre”.

Ypi është ligjëruese e Teorisë Politike dhe Shkencave Politike në Shkollën Ekonomike të Londrës, si dhe profesor-asistente e Filozofisë në Universitetin Kombëtar Australian. Ka marrë çmime të njohura si ai i Akademisë Britanike për Ekselencë në Shkenca Politike dhe Çmimin Leverhulme për arritje të jashtëzakonshme në kërkime. Lea Ypi u lind më 1979 në Tiranë. U rrit në vitet e fundit të regjimit komunist në Shqipëri, në kohën kur regjimi ishte fort i ashpër, pasi sa më shumë vjet që kalonin, mendësia enveriste bëhej më e rëndë, më mizore. Vepra është shkruar nga perspektiva e një fëmije duke pasur për bazë vetë jetën e Leas, e cila, tani e rritur, ka vendosur ta hedhë në letër të kaluarën e saj nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës.

“Ky libër kujtimesh fëmijërie – si shumë pak të tjerë – të zhytë në mendime dhe është i shkruar mrekullisht, me humor e ndjeshmëri dhe vëzhgim të mprehtë – një libër vërtet magjepsës”, ka shkruar për këtë libër historiani i njohur britanik, Noel Malcolm, vlerësim i cili gjendet në kopertinat e librit në gjuhën shqipe.

“Free” së pari është botuar nga shtëpia prestigjioze e librave, “Penguin Books” në Londër dhe deri më tani është pritur mjaft mirë nga kritika e shtypit elitar britanik.

Në shqip ky libër u botua në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa në janar të këtij viti Ypi e përuroi atë edhe në Prishtinë ku mbajti edhe ligjëratën me titull “Feja e besimi, pikëtakimi midis Kantit e Marksit”, në Fakultetin Filozofik. Në përurimin e librit në Prishtinë, ajo kishte thënë se “Të lirë” paraqet një përpjekje filozofike që të shkruhet nga ana e jetëve njerëzore për lirinë. Titullin “Të lirë” e kishte përshkruar si ironik, duke e cilësuar herë si gjysmëroman, herë si gjysmese, gjysmautobiografi apo asnjërën nga të tria.

Edhe Dua Lipa dhe Lea Ypi diskutojnë për lirinë dhe komunizmin në Shqipëri Showbiz Dua Lipa dhe Lea Ypi diskutojnë për lirinë dhe komunizmin në Shqipëri

“Ironia është e një fëmije që kujton se është e lirë dhe e kupton që nuk është e lirë. Është një popull që kërkon lirinë. Është gjysmëroman, gjysmese e gjysmautobiografi dhe asnjëra nga këto”, kishte thënë ajo.

Më tej, Lea kishte potencuar se bëhet fjalë për libërformim që flet për mënyrën se si njerëzit e zbulojnë të vërtetën gradualisht, si individ e ashtu edhe si shoqëri. Sipas saj, arsyeja që personazhi kryesor i librit është një fëmijë, ishte shumë e rëndësishme që të krijonte një marrëdhënie mirëbesimi me lexuesit dhe që lexuesi të jetë sa më i lirë nga Lea filozofe.

Gjatë muajit të kaluar, Lea Ypi u shpall fituese e çmimit “Lumo Skendo” në Shqipëri, i cili jepet për veprën më të mirë në lëmin e studimeve, eseistikës apo publicistikës.

“Lea Ypi nderohet me këtë çmim për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të transicionit demokratik në Shqipëri”, ishte arsyetimi i jurisë së çmimit “Lumo Skendo”.

Vitin e kaluar çmimin “Ondaatje” – i cili ndahet që prej vitit 2004 dhe mban emrin e Sir Christopher Ondaatje, filantrop, biznesmen e shkrimtar kanadezo-anglez – e kishte marrë Ruth Gilligan me “The Butcher”, përderisa fitues të mëhershëm kanë qenë ish-deputeti Alan Johnson për kujtimet e tij “This Boy”, dhe gazetarja e “The Guardianit”, Aida Edermariam, për rrëfimin e për jetën e gjyshes së saj, “The Wife’s Tale”.

Shoqata Mbretërore e Letërsisë është shoqata bamirëse e Mbretërisë së Bashkuar për avancimin e letërsisë. Ajo vepron si një zë për vlerën e letërsisë, angazhon njerëz në vlerësimin e letërsisë dhe inkurajon dhe nderon shkrimtarët.

Edhe “Të poshtëruar” nga Lea Ypi – jeta e ribërë në reliktet e historisë Shtojca për Kulturë “Të poshtëruar” nga Lea Ypi – jeta e ribërë në reliktet e historisë

Përgatiti: Mirjetë Sadiku