Kulturë

“Të lirë” gjen moralin e individit nën diktaturën komuniste

Historia e saj familjare duket “ekzotike” për mediat më të njohura botërore, prej “The Guardian” e shumë të tjera, për shumë shqiptarë realitet i hidhur, e për Lea Ypin njëlloj mashtrimi e më pas mundësi për ta kapërthyer të vërtetën. “Të lirë” është titulli i librit që filozofen e shkrimtaren Ypi, ligjëruese në “London School of Economics” e ka sjellë edhe në Prishtinë, e me të cilin njihet gjithandej. Libri gjen lirinë e njeriut nën diktaturë, e në përurim ka pasur edhe pyetje se përse aty mungon Kosova

Lea Ypi u lind më 1979, në prag të dekadës së fundit të regjimit komunist në Shqipëri. U rrit në kohën kur regjimi ishte fort i ashpër, pasi sa më shumë që vjetrohej, mendësia enveriste peshonte më rëndë për të keq. Bëhej më mizor. Por Lea i adhuronte diktatorin Enver Hoxha dhe idhullin e tij, Stalinin.

Adhurimi i saj si fëmije shkonte deri te gara se kush mërzitej më shumë për Enver Hoxhën, kur ai vdiq në prillin e vitit 1985. Si mjet që të reflektonte dhimbjen për diktatorin, ajo, midis të tjerash, kishte zgjedhur edhe të mos hante bukë për disa orë. I kishte rezistuar edhe presionit të gjyshes, Leman Ypi (Nini) që të shijonte byrek shtëpie. E Gjyshja është personazhi, nëpërmjet së cilës ajo i përcjell mesazhet në librin “Të lirë”, me nëntitull “Të rritesh në fund të historisë”.

Vepra e saj midis romanit e eseistikes është promovuar të martën mbrëma më librarinë “Dukagjini” në Prishtinë. Bashkë me autoren të pranishmit kanë pasur mundësinë që të shoshitin shumë gjëra, duke filluar nga ajo se çfarë është lira e deri te përfundimet se autorja edhe sot nuk është e lirë.

Adhurimi i diktatorit si mashtrim

Në dekadën e parë të jetës, Ypi do të bënte jetën uniformë që e bënin krejt shqiptarët e Shqipërisë. Mendonte njëmend se krejt shoqëria dhe familja e saj e adhurojnë udhëheqjen komuniste dhe sistemin në përgjithësi. Krejt këto, Ypi, profesoreshë e filozofisë politike në “London School of Economics”, i sqaron në librin e saj. Filozofja Ypi në vepër vjen si fëmijë e personazhet kryesisht janë familjarët e saj. Deri në demokraci nuk do ta merrte vesh se Xhafer Ypi – kryeministrit i dhjetë shqiptarë prej vitit 1922 – ishte stërgjyshi i saj. Gjyshi i shkrimtares ishte detyruar të hiqte dorë nga i ati publikisht, pasi regjimi Xhafer Ypin e konsideronte armik. Për këtë arsye, Lea Ypit në shtëpi i thoshin se Xhafer Ypit rastësisht i kishte qëlluar mbiemri i njëjtë me të sajin. Regjimi kishte hyrë aq thellë, saqë shkaku i kujdesit ndaj familjes pasardhësit gënjeheshin me vetëdije. Krejt këto Ypi i tjerr fort me një stil të shkrimit lehtë të kapshëm për të gjithë, por të mbështjellë me filozofi që ngre shumë pyetje.

Në promovim, filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se më 1990 Lea Ypi ishte një pioniere e pasionuar me komunizmin enverist apo stalinist. Ai ka përshkruar librin e ndarë në dy pjesë.

“Pjesa e parë e librit përshkruan me shumë humor procesin e deiluzionimit të vogëlushes Lea kur ajo më të vërtetë kupton se jeton në një familje që i takon taborit antisocialist në luftën permanente të klasave”, ka thënë ai. Sipas tij, libri i Lea Ypit pasuron korpusin e madh të kujtimeve dhe trajtesave të tjera që merren me mizoritë e sistemit komunist në Shqipëri. Por mizoritë, ajo në libër i përthekon edhe me ironi e humor. Për këtë stil, ajo është vlerësuar lart. Gazetari e historiani i njohur britanik, Noel Malcolm, ka vlerësuar kokëfortësinë e Ypit në kureshtje.

“Ky libër kujtimesh fëmijërie – si shumë pak të tjerë – të zhytë në mendime dhe është i shkruar mrekullisht, me humor e ndjeshmëri dhe vëzhgim të mprehtë – një libër vërtet magjepsës”, ka thënë Malcolm në vlerësimin e tij që gjendet në kopertinat e librit. Malcom e ka lexuar librin në gjuhën angleze, siç është shkruar fillimisht. Ka bërë bujë në mediat më prestigjioze botërore dhe ka qenë në garë të ngushtë për disa çmime të rëndësishme, si ai “Baillie Gifford” për vepra joletrare. Pritet në shndërrohet edhe në film.

Ironia midis lirisë dhe robërisë

Por sa u përket vlerësimeve dhe kritikave, Lea Ypi ka thënë se të tilla ka lexuar shumë edhe nga Kosova dhe e kanë bërë të mendojë goxha. Si autore ka thënë se libri është një përpjekje filozofike që të shkruhet nga ana e jetëve njerëzore për lirinë. Titullin e ka përshkruar si ironik. “Ironia është e një fëmije që kujton se është e lirë dhe e kupton që nuk është e lirë. Është një popull që kërkon lirinë. Është gjysmëroman, gjysmëese e gjysmautobiografi dhe asnjëra nga këto”, ka thënë ajo. Ka vazhduar duke thënë se bëhet fjalë për libërformimi që flet për mënyrën se si njerëzit e zbulojnë të vërtetën gradualisht, si individ e ashtu edhe si shoqëri. Sipas saj, arsyeja që personazhi kryesor i librit është një fëmijë, ishte shumë e rëndësishme që të krijonte një marrëdhënie mirëbesimi me lexuesit dhe që lexuesi të jetë sa më i lirë nga Lea filozofe.

“Por personazhi mundohet që të lërë të tjerët të flasin sa më shumë. Një prej mesazheve kryesore që gjyshja përçon në libër është se në çfarëdo sistemi shoqëror dhe politik, sado shtypës që të jetë ai, njeriu nuk ka humbur kurrë dinjitetin njerëzor dhe duke mos humbur kurrë dinjitetin njerëzor nuk humb as lirinë e brendshme”, ka thënë ajo. Në këtë kontekst, ka thënë se duke mos humbur kurrë lirinë e brendshme njeriu s’e humb syrin kritik për të parë çfarë nuk shkon në atë që e rrethon.

Sipas saj, liria e brendshme e jep shkëputjen morale që për të është e domosdoshme për t’i vlerësuar shoqëritë.

Pikënisja e reflektimit

Duke folur për veten si personazh e si autore, ajo ka thënë se Lea nuk mundohet që t’i bindë njerëzit. Ka treguar se mesazhi i gjyshes dhe i librit është që njerëzit të kuptojnë forcën e brendshme morale të çdo individi në çdo shoqëri sado shtypëse të jetë ajo.

“Nëpërmjet forcave morale duhet ndërtuar kritika shoqërore në të cilat liria nuk shihet vetëm si liria e një individi, por të kuptohet se në qoftë se të gjithë jemi të lirë, asnjëri nga ne nuk është i lirë, pavarësisht se dukemi sikur jemi të lirë”, ka thënë ajo duke e përshkruar këtë si idenë kryesore të veprës. “Por nuk përpiqem të bind lexuesit me këtë mesazh. Është një pikënisje reflektimi”, ka thënë ajo.

Si folës krahas Maliqit, për librin e Ypit ishte edhe gazetari Lirim Mehmetaj. Ai ka thënë se Ypi e ka nxjerrë debatin nga bota akademike dhe e ka sjellë te njerëzit. Sipas tij, libri për shkak të stilit lexohet shpejt, por për shkak të përmbajtjes tretet ngadalë.

“Ka shkruar si shkrimtare duke e kryer detyrën si filozofe. Ka hapur horizonte. Ta lexosh këtë libër është e pamundur të mos i futesh njëfarë rishqyrtimi të lirisë dhe njëfarë destruktimi se çfarë është liria”, ka thënë ai.

Por se a është sot e lirë autorja, Ypi në një bashkëbisedim me audiencën ka thënë se ndihet e lirë në kuptimin që ndihej gjyshja e saj. Ka treguar të ndihet e lirë, sepse ndien përgjegjësi morale. “Pjesa tjetër e përgjigjes është që në një shoqëri që nuk është e lirë, individi nuk mund të jetë i lirë, sepse ne nuk jetojmë vetëm për veten tonë. Jetojmë në emër të brezave të kaluar dhe për brezat e ardhshëm. Jam e lirë pasi konsideroj se jam e ndërgjegjshme, por nuk jam e lirë pasi besoj që nuk jetoj në një shoqëri të lirë”, ka thënë ajo.

Mungesa e Kosovës

Në bashkëbisedim me audiencën, autorja – që ka botuar librin e parë të këtij stili pas disa veprave profesionale – ka marrë pyetje të shumta.

Lexuesi Riza Krasniqi, inxhinier me profesion, ka ngritur disa çështje. Ka thënë se nuk e kupton faktin që i ati i saj ishte i majtë kur majtistët ia kishin sjellë të gjitha të këqijat në jetë. Ka shtuar se nuk mund ta kuptojë se si momenti më i rëndë i të atit ishte kur ka larguar disa punonjës nga puna e jo fakti që regjimi si familje i kishte detyruar të hiqnin dorë nga paraardhësit.

“Më pas përshkruani shumë biseda me familjarët. Ju vini nga një familje intelektuale dhe për dallim nga të gjithë ne këtu në sallë, keni edhe gjyshen intelektuale. Si ka mundësi që në një familje të tillë nuk bisedohet asnjëherë për Kosovën, pasi Kosova nuk përmendet në libër?”, ka thënë ai.

Kësaj pyetjeje Ypi i është përgjigjur jo veç një herë. Ka thënë se në familje është diskutuar për Kosovën, por në atë moshë, Kosova nuk ka qenë në ndërgjegjen e saj.

“Kam dashur të jem e sinqertë. Injoranca nuk është gjithmonë justifikim. Mami di arsyen se përse unë nuk kam qenë e ndërgjegjshme për këtë. Është diktatura”, ka thënë ajo. Në këtë rast është përgjigjur edhe e ëma e Ypit, e cila ishte për herë të parë në Kosovë. Ajo e ka elaboruar këtë çështje me një shembull. Ka thënë se një kolege e saj, mësuese gjeografie ishte përjashtuar nga puna pasi u kishte thënë nxënësve se “Shqipëria kufizohet me Jugosllavinë dhe me Kosovën që dikur ishte pjesë e jona”. Ajo ka folur edhe për historinë familjare se si kishin strehuar kosovarë – me gjasë në periudhën e Jugosllavisë së Vjetër – kur shumë familje nga Kosova kishin ikur për në Shqipëri.

Përtej marrëdhënieve midis shqiptarëve të të dyja shteteve që nuk është që ecin edhe fort mirë, libri i Ypit është duke ecur me hapa të shpejtë. Vepra që revista amerikane “The New Yorker” e ka renditur ndër më të mirat e vitit 2021 është duke u përkthyer në 15 gjuhë.