Skulpturat lëvizëse bëhen formë e narracionit të së kaluarës në rrënojat e objektit të braktisur. Ringjallin trashëgiminë shpirtërore dhe arkitektonike të një fshati të vogël, por me histori të madhe.
Një numër i madh i njerëzve, në mesin e tyre banorë të fshatit Runik, dhe pjesa tjetër të ardhur nga qendra të ndryshme të Kosovës, u mblodhën të shtunën mbrëma për t’u bërë pjesë e një performance unike. E krijuar dhe e drejtuar nga artisti kosovar me nam botëror, Petrit Halilaj, “Shkrepëtima” erdhi si eksplorim i një kujtese kolektive mbi objektin i cili mbi 30 vjet do të shërbente si simbol i identitetit të fshatit që gjendet 64 kilometra larg kryeqytetit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Është fjala për Shtëpinë e Kulturës, e cila dikur do t’i shërbente komunitetit si bibliotekë, teatër, kinema dhe kooperative bujqësore. Në këtë formë, Halilaj bashkë me 30 aktorë bënë që Runiku të shndërrohej për pak orë në qendër të artit bashkëkohor, krahas faktit dhe rëndësisë arkeologjike që ka ky vend.
Runiku është vatra e okarinës ilire e gjetur në atë hapësirë në vitin 1968 dhe i përket periudhës së neolitit, duke dëshmuar edhe traditën e lashtë të popullit të asaj treve.
“Shkrepëtimës”, titulli i performancës, nuk erdhi krejt rastësisht.
Kjo performancë e ndarë në tri akte vazhdoi me fragmente të katër dramave të njohura shqipe, të cilat ishin luajtur nga aktorët amatorë të Runikut mes viteve ’70 e ’80.
Aktorja Agnes Nokshiqi bashkë me Qëndresa Kajtazin sollën dialogun që vjen mes nënës dhe bijës, ku kuptohet se për shkak të disa konflikteve, vajza është detyruar t’i jap fund dashurisë me armikun e familjes. Pas saj erdhi një fragment tjetër i shkurtër i dramës “Cuca e Maleve” nga Leon Papa e vitit 1967. Me të vjen rrëfimi i një gruaje të guximshme e cila sfidon ligjin vetëm për t’u mësuar shkrim-lexim grave të reja. Prej një teme të tillë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme që trajton kjo vepër, rrëfimi vazhdon me fragmentin nga drama “Nita” (1968) e Josip Relës. Flet për një fenomen shqiptar që njihet gjithandej. Është rrëfimi i një vajze të re e cila vendos të bëhet burrneshë para komunitetit. Kjo flet shumë për fenomenin e burrneshave, por edhe për rolin e gruas asokohe në shoqëri. Akti i dytë përmbyllet kështu me fragmentin nga drama e Jusuf Kelmendit “Hakmarrja” (1966), që flet për hakmarrjen dhe faljen.
Këto drama të rëndësishme për kohën e tyre u sollën nga aktorë të njohur kosovarë, mes të cilëve Bislim Muçaj, Tristan Halilaj, Emral Sadiku, Alekta Sylaj etj.
Petrit Halilaj jeton e punon mes Gjermanisë, Kosovës e Italisë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)