Kulturë

Sheshi i përplasjeve të vitit

Nëpërmjet sheshit “Xhorxh Bush” do të mund të zbërthehej jo vetëm qasja ndaj trashëgimisë kulturore, por edhe përplasjet politike. Gjatë gjithë vitit 2025, ai u bë arenë e betejave politike, akuzave të ndërsjella e ai që pëson është qytetari. Në fund të vitit, sheshi është imazhi i kaosit.

Është zona qendrore e kryeqytetit. Prej marsit për gjatë gjithë vitit sheshi “Xhorxh Bush” është shndërruar në arenë të përplasjeve. Komuna e Prishtinës nëpërmjet një kontrate mbi 18 milionë euro synon të implementojë projektin e saj. E institucionet e trashëgimisë kulturore kërkojnë përfilljen e Ligjit për trashëgimi kulturore, pasi bëhet fjalë për një zonë që rrethohet nga pesë monumente. Gati krejt hapësira është zonë e mbrojtur e Qendrës historike të Prishtinës.

Çdo gjë nisi mbrapsht dhe në kundërshtim me ligjin. Pastaj u shndërrua në spektakël.

Nisja e punimeve nga Komuna e Prishtinës pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore ka rezultuar me zënka jo të vogla. Sheshi “Xhorxh Bush” gjatë gjithë vitit ishte arenë e betejës politike. Nisja e punimeve pa leje të institucioneve  të trashëgimisë kulturore ka rezultuar me ndalje të punëve tri herë. Dhe zënkat sa nuk shkuan deri në nivelin fizik.

Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar, “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, gjendjen e sheshit e sheh si tregues të shumë gjërave.

“Është njëfarë treguesi se si është gjendja e trashëgimisë sot në përgjithësi në Kosovë. Por në anën tjetër është edhe tregues i një lufte politike që ishte gjatë gjithë këtij vitit, gjatë gjithë 2025-s. Sheshi në një mënyrë ose tjetër ishte një lloj kurbani i kësaj lufte politike”, ka thënë Shoshi.

Ligji për trashëgimi kulturore kërkon që për çdo ndërhyrje në hapësira si kjo të ketë leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Komuna asnjëherë nuk e ka pasur këtë. Ka dorëzuar projektin për miratim pasi i janë ndaluar punimet. Instituti i ka kthyer rekomandime për plotësim të projektit, pasi konsideron se investimi cenon integritetin e monumenteve. Në shesh parashihet të ndërtohen edhe lokale afariste. Komuna nuk i ka bërë asnjëherë plotësimet dhe ka tentuar t’i vazhdojë punimet. Ka akuzuar se Ministria e Kulturës po vepron jashtëligjshëm. Çështja është në gjykatë dhe vendimet e deritashme s’kanë lejuar punimet.

Për çdo zonë si kjo institucionet e trashëgimisë kulturore duhet të kenë një dokument bazë, që përcakton kriteret e konservimit. Meqenëse një dokument i tillë nuk ekziston ende, investitorët duhet të kërkojnë kushtet e ndërhyrjes e më pas të hartojnë projekt dhe ta dërgojnë atë për miratim. Kjo është rruga që e sheh si zgjidhje edhe arkitekti Sali Shoshi.

“Hapi i parë është që Komuna duhet ta bëjë një shkresë dhe t’i kërkojë kriteret e konservimit të kësaj hapësire. Ministria, gjegjësisht IKMM-ja duhet ta bëjë një listë të kritereve se çka lejohet e çka nuk lejohet. Bazuar në këto kritere arkitektët e përfshirë në dizajnimin e kësaj hapësire duhet ta bëjnë një propozim i cili duhet të dërgohet në IKMM. Ne të gjithë dërgojmë propozime atje... dhe pastaj bazuar në vlerësimin që bën IKMM-ja ata lëshojnë leje ose kërkojnë plotësime dhe bazuar në vendimin final këta pastaj e vazhdojnë punët. Është fare e thjeshtë”, ka thënë Shoshi.

Kufiri midis zonës së mbrojtur dhe pjesës ku s’ka nevojë për leje tashmë është bërë edhe kufi i punimeve. Para zgjedhjeve lokale është punuar në njërën anë. Pas tyre, në asnjërën. Tash s’ka kurrfarë nisme për të gjetur zgjidhje dhe sheshi ngelet në hapësirën më kuptimplotë që zbërthen qasjen institucionale ndaj hapësirës publike e trashëgimisë kulturore.