Kurrë më shumë sesa tash nuk është folur për trashëgiminë kulturore. Por, për të, më të zëshëm janë politikanët. Debati politik – që ka prapa edhe interesa biznesore e fushata elektorale – lë në hije atë profesional. Përtej trashëgimisë, sheshi është shndërruar në fushëbetejë se narrativa e kujt dominon opinionin publik. Por çdo gjë nisi mbrapsht dhe në kundërshtim me ligjin. Pastaj u shndërrua në spektakël. Nisja e punimeve nga Komuna e Prishtinës pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore ka rezultuar me zënka jo të vogla. Sheshi “Xhorxh Bush” tash është shndërruar edhe në betejë publike
Situatat me përleshje verbale e deri në kufi të nisjes së atyre fizike midis Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe zyrtarëve komunalë s’janë parë më herët. Kurrë më shumë sesa tash nuk është folur për trashëgiminë kulturore. Por, për të, më të zëshëm janë politikanët. Debati politik – që ka prapa edhe interesa biznesore e fushata elektorale – lë në hije atë profesional. Përtej trashëgimisë, sheshi është shndërruar në fushëbetejë se narrativa e kujt dominon opinionin publik.
Por çdo gjë nisi mbrapsht dhe në kundërshtim me ligjin. Pastaj u shndërrua në spektakël.
Nisja e punimeve nga Komuna e Prishtinës pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore ka rezultuar me zënka jo të vogla. Sheshi “Xhorxh Bush” tash është shndërruar edhe në betejë publike.
Zyrtarët e Komunës në krye me kryetarin Përparim Rama synojnë që të vazhdojnë punimet. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndalur tri herë deri tash. S’është dashur shumë kohë që të nisin edhe përplasjet politike.
Nisja e punimeve pa leje
Komuna e Prishtinës ua ka mësyrë punëve ndërtimore në një prej hapësirave qendrore të kryeqytetit. Projekti, për të cilin ka lidhur kontratë me vlerë 18.4 milionë euro, përfshin një hapësirë të madhe që prek sheshin “Zahir Pajaziti”, rrugën e dikurshme “Xhorxh Bush”, atë “Garibaldi” dhe hapësirën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në krejt këtë sipërfaqe gjenden 5 monumente. Katër nën mbrojtje të përkohshme dhe Biblioteka Kombëtare nën mbrojtje të përhershme..... dhe për projekte si këto, leja prej organeve të trashëgimisë është obligative.
Në fillim të marsit, Komuna ua ka prerë shiritin nisjes së punimeve. E më 12 mars Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndalur punimet me arsyetimin se po punohet midis monumenteve dhe brenda zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se për punime në zona të mbrojtura duhet leje me shkrim nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Komuna nuk e ka përfillur këtë. Më pas ka dorëzuar projektin për shqyrtim në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ende pa e marrë përgjigjen, ka rifilluar punimet në prill. I janë ndaluar prapë dhe është hapur rast në Policinë e Kosovës.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk e ka miratuar projektin. Midis tjerash, ka konstatuar se ky projekt cenon integritetin e monumenteve dhe ka rekomanduar që Komuna ta plotësojë lëndën me dokumente shtesë. Problem në vete është ndërtimi i lokaleve të reja.
Situata është përshkallëzuar javën e kaluar. Komuna ka rifilluar implementimin e projektit të Shërbimit të Arkitektit të Qytetit dhe një nënkontraktuesi nga Shqipëria.
Të hënën, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka konstatuar se po punohet jashtë zonës së mbrojtur. Sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, zona e mbrojtur ka kufirin midis ish-rrugës së makinave. Ana e majtë është nën mbrojtje, kurse e djathta jo. Komuna atë ditë ka vazhduar punimet vetëm nga ana e djathtë. E të nesërmen situata ka ndërruar. Pas nisjes së punimeve në anën tjetër, Inspektorati ka tentuar t’i ndalë ato.
Akuza për të pavërteta
“E ke këtu një draft-dokument, në të cilin thirresh se nuk është i aprovuar dhe ke fytyrë ta thërrasësh Policinë, t’ua humbësh kohën... Ta ndalësh projektin e madh transformues për kryeqytetin, me një draft-dokument. Ky nuk është i aprovuar në këtë që thirreni, kjo është hajgare”, i është drejtuar javën e kaluar kryetari Rama drejtorit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj. Ia ka kontestuar kufirin e Qendrës Historike të Prishtinës. Hakaj është përgjigjur shkurt.
“Krejt çfarë thoni janë të pavërteta”, ka thënë ai.
Zyrtarët komunalë kanë kundërshtuar me çdo kusht kufirin. Sipas tyre, s’ka kufij. Inspektorati ka kërkuar ndihmë nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë.
“Aseti i Qendrës Historike të Prishtinës është iniciuar shumë vite më parë, por në vitin 2019 ka mbërritur të listohet si aset i trashëgimisë kulturore në fushën e konservimit dhe restaurimit. Për momentin në zonën ku po flasim, pjesa në të majtë është zonë e mbrojtur e trashëgimisë kulturore. Ky është formulari, është i nënshkruar prej ish-ministres Vlora Dumoshi. I keni parë edhe shkresat që më herët i kemi shkëmbyer me Komunën dhe institucionet e trashëgimisë kulturore”, ka sqaruar Afërdita Gashi-Sinanaj, arkitekte në QRTK-në e Prishtinës.
Për zyrtarët komunalë as këto sqarime s’kanë qenë të vlefshme. Sipas tyre, harta është veç një draft dhe s’është pjesë e dosjes nëpërmjet së cilës më 2020 Qendra Historike e Prishtinës është bërë aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.
Por për ekspertët e trashëgimisë kulturore, sheshi “Xhorxh Bush” nuk është hapësirë e thjeshtë.
Sheshi si hapësirë kulturore
“Sheshi “Xhorxh Bush” shtrihet në një hapësirë, e cila nuk është ndërtesë por hapësirë me status të trashëgimisë kulturore. Do të thotë është hapësirë kulturore, e cila ka hapësirë të mbrojtjes me ligj. E gjithë përplasja fillon në këtë çështje, sepse ka probleme të kuptohet statusi i hapësirës. Një hapësirë me status çfarë ka ky shesh për çfarëdo zhvillimi i nënshtrohet legjislacionit. Legjislacioni është i ndërthurur ndërmjet detyrimeve, kushteve dhe kritereve që parashtrohen në Ligjin e trashëgimisë kulturore, Ligjin e planifikimit hapësinor dhe Ligjin e ndërtimit”, ka thënë arkitektja Gjejlane Hoxha. Hoxha, e cila deri në pensionim ka qenë zyrtare e institucioneve të trashëgimisë kulturore në pozita udhëheqëse, thotë se hapësirat kulturore janë shumë komplekse dhe duhet pjesëmarrje e të gjitha palëve në projektime që ndërrojnë rrënjësisht këto sipërfaqe.
Kurse arkitektja e politikania Eliza Hoxha konstaton se krejt procesi s’ka nisur siç duhet.
“I gjithë procesi ka qenë i ndërtuar mbrapsht. E para, ne nuk e kemi parë një projekt të plotë. Unë personalisht si person i kësaj fushe apo edhe kolegët e mi le ta japin mendimin e tyre, nuk e kam parë një projekt të plotë me të gjitha fazat, siç është një projekt i cili duhet të shkojë dhe në fund të pajiset me leje dhe me gjithë këto vendime që duhet të merren si pasojë e ndjeshmërisë së objekteve të caktuara apo të zonës së caktuar për të kaluar më pas në një proces të gjerë të diskutimit publik dhe të akterëve që jetojnë aty, punojnë aty, qofshim edhe këtu ku jemi dhe si e shohin njerëzit.... zgjatimin e sheshit deri te katedralja”, ka thënë Hoxha.
Për Komunën e Prishtinës, situata e krijuar s’ka të bëjë me trashëgimi kulturore por krejtësisht me urdhra politikë. Për këtë arsye edhe ka insistuar me pengim të ndaljes së punimeve në njërën anë të sipërfaqes. Madje insiston se krejt kjo po bëhet për të mirën e monumenteve dhe kryeqytetit.
Përplasja politike
“Instancat më të larta po na thonë, pra ministrat, si ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Kulturës, të cilët sot atë detyrë e gëzojnë jashtëligjshëm, po ashtu punojnë jashtëligjshëm dhe bëjnë presion te Policia. E shfrytëzojnë Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore që të marrin veprime të jashtëligjshme që nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe e ndërpresin punën në gjysmën e rrugës. Tash thonë se ajo qenka e mbrojtur dhe kjo s’është e mbrojtur. Vendime ad hoc, puro politike, për të ndërprerë punët e mira që po ndodhin në kryeqytet”, ka thënë kryetari Rama të martën kur janë ndaluar punimet për herë të tretë.
Komuna thotë se është në harmoni të plotë me kornizën ligjore. Por, ekspertët flasin ndryshe.
“Sa i përket planifikimit të projekteve, të ndërhyrjeve transformuese në qendër të qytetit, siç është sheshi, ndërhyrje transformuese rrënjësore, do të thotë komplet përmbajtja e funksioneve, volumet e format do të ndryshojnë. Arteria kryesore e qytetit, qendra e qytetit me status hapësirë kulturore nën mbrojtje ligjore që kërkon standarde e standarde që duhet të respektohen që ne të arrijmë ta formësojmë një qendër të qytetit si hapësirë kulturore të periudhës së arkitekturës moderne që i takon arkitekturës moderne, ka standarde, ka rregulla, ka ligje. Të gjitha këto janë shkelur, janë shpërfillur nga ekipi i ngarkuar me projektim”, ka thënë arkitektja Gjejlane Hoxha.
Komuna e Prishtinës synon të mos ndalet. Plotësimet e kërkuara nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk i ka dërguar ende. Bazohet në lejen e marrë nga Drejtoria e Urbanizmit. Por Ligji për planifikim hapësinor dhe ai i ndërtimit përcaktojnë të tjera rregulla për zona të mbrojtura. Kurse Ligji për trashëgimi kulturore ua jep të drejtën e vetos institucioneve të trashëgimisë kulturore.
“Për çudi, ky projekt ka filluar pa leje, pa planifikim, pa asnjë procedurë. Po të hyjmë në detaje ta elaborojmë, do të dalë që Komuna nuk ka të drejtë as të planifikojë në këtë hapësirë, sepse Ligji i planifikimit hapësinor ia ndalon”, ka thënë Hoxha.
Kallëzimet penale për këtë rast kanë marrë hov në të dyja rastet. Përtej kësaj është paralajmëruar edhe ftesë ndaj qytetarëve për të demonstruar pakënaqësi ndaj institucioneve të trashëgimisë kulturore.
“Ne do t’i ftojmë edhe qytetarët e kryeqytetit të demonstrojnë ndaj këtyre vendimeve puro politike të jashtëligjshme. Nuk duhet rënë pre e këtyre shantazheve, sabotazheve të njerëzve që nuk ia duan të mirën këtij populli”, ka thënë kryetari Rama.
Marrë parasysh hapësirën ku synohet të realizohet projekti, situata është shumë komplekse. Por Ligji për trashëgimi kulturore e bën përgjegjëse Ministrinë e Kulturës për politikat e mbrojtjes dhe trajtimit të trashëgimisë kulturore. Dhe ky ligj është me interes vital.
“Një çështje dua ta theksoj, se Ligji i trashëgimisë kulturore është midis 5 ligjeve si ligje vitale në Kushtetutën e Kosovës. Ky ligj ka plot mangësi dhe mund të iniciohet plotësimi për arsye politike. Por si ligj vital është mbi të gjitha ligjet e tjera. Jo për dëshirë apo për ndonjë arsye tjetër, por për arsye se trashëgimia kulturore është çështje vitale, jetike për një vend dhe shteti ka detyrime”, ka thënë arkitektja Hoxha.
Tri projekte të Komunës – pa leje
Komuna është në konflikt të vazhdueshëm me institucionet e trashëgimisë kulturore. Vitin e kaluar kishte nisur punimet për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”. Hekurudha është kufiri midis zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe pjesës tjetër, asaj të Arbërisë, që s’përfshihet në këtë zonë. Edhe aty janë ndalur punimet. Tash punohet shkarazi në anën tjetër. Kontrata peshon 6.5 milionë euro.
Për projektin e tunelit te rruga “Agim Ramadani”, Komuna ka kërkuar leje. I është refuzuar. Tenderi me vlerë të parashikuar 6 milionë euro është në finalizim. Mungon vetëm nënshkrimi i kontratës.
Te rruga “Rexhep Luci” punimet janë duke u bërë po ashtu pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Por në këtë rast, Inspektorati nuk i ka ndalur ato, pasi ekziston vendimi i gjykatës që e ka ndaluar mbylljen e rrugës. Pavarësisht kësaj, punimet vazhdojnë.
Mbi 20 milionë euro peshojnë kontratat për punët që tashmë i janë ndalur Komunës. Përfshirë edhe ato për të cilat s’ka leje, por ka zhvilluar procedura, vlera shkon mbi 30 milionë. Ministria e Kulturës i ka bërë kërkesë Policisë së Kosovës që të nisë hetime për të gjitha këto projekte.
Se cili do të jetë epilogu i këtyre nismave dhe sidomos më të madhes, sheshit “Xhorxh Bush”, mbetet të shihet. Këto ditë është shndërruar në teatër, në ambient të hapur. Në shesh të trashëgimisë kulturore dhe të politikës.