Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

SHBA-ja ia kthen Palestinës lugën 2.700 vjet të vjetër

Zyrtarët amerikanë ia kanë dorëzuar autoriteteve palestineze artefaktin 2.700 vjet të vjetër, një lugë e gdhendur. Kjo është hera e parë që Shtetet e Bashkuara ia kanë kthyer një antikitet qeverisë palestineze. Relikti besohet të ketë qenë i grabitur. Dorëzimi është bërë në një ceremoni, në Betlehem.

E përshkruar si një ”lugë kozmetike”, artefakti është mjet i gdhendur në fildish dhe daton diku nga mesi i viteve 800- 700 para erës sonë. Ai përdorej për të hedhur temjan në zjarre apo në mangall gjatë riteve që nderonin perënditë dhe të vdekurit. Një figurë me krahë është gdhendur në anën e përparme të saj.

Ministrja palestineze e Turizmit dhe Antikiteteve, Rula Maayah, e cila u takua me delegacionin amerikan, ka thënë se “ky artefakt është i rëndësishëm pasi në vendndodhjen e tij autentike fiton vlerën e tij të vërtetë shkencore dhe arkeologjike”. Ajo ka shtuar se ai i takon qytetërimit të gjerë asirian dhe se ka të ngjarë të jetë vjedhur nga ajo që tani njihet si Hebroni, në Bregun Perëndimor.

Shefi i Zyrës së SHBA-së për marrëdhënie me shtetin palestinez, George Noll, ka thënë në ceremoni se ishte “një moment historik mes popullit amerikan dhe palestinez dhe një demonstrim i besimit tonë në fuqinë e shkëmbimeve kulturore në ndërtimin e mirëkuptimit, respektit dhe partneritetit të ndërsjellë”.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, objekti u sekuestrua gjatë një hetimi të gjatë mbi sendet e mbledhura nga Michael H. Steinhardt, një kapitalist i shquar sipërmarrës i New Yorkut dhe një koleksionist i madh i objekteve të moçme. Në vitin 2021, pasi hetuesit sekuestruan 180 gjësende të vjedhura me vlerë 70 milionë dollarësh nga Steinhardt, ai ra dakord për një ndalim të përjetshëm për blerjen e antikiteteve.

Zyrtarët kanë thënë se “luga e kozmetikës” u shfaq për herë të parë në tregun ndërkombëtar të artit më 21 janar 2003, kur Steinhardt e bleu atë nga një tregtar izraelit i antikiteteve, i cili është akuzuar për qindra thesare të paligjshme izraelite dhe të Lindjes së Mesme, të paktën 28 prej të cilave iu shitën Steinhardtit.

Edhe SHBA-ja ia kthen Italisë një sasi të madhe artefaktesh të vjedhura Botë SHBA-ja ia kthen Italisë një sasi të madhe artefaktesh të vjedhura

Matthew Bogdanos, shefi i Njësisë së Trafikimit të Antikiteteve të Prokurorit të Qarkut, ka thënë se hetuesit e tij ishin në gjendje të zbulonin origjinën e saj duke ekzaminuar e-mailet e sekuestruara nga Steinhardt, ku përfshiheshin biseda rreth objektit dhe faktin se si ai ishte marrë në mënyrë të paligjshme.

Shkurtin e kaluar, përpara se të shpallej vendimi për kthimin e lugës, disa palestinezë shprehën shqetësimin që artefaktet e Steinhardt, që ata besonin se dilnin nga territoret e tyre, do t'i dorëzoheshin qeverisë izraelite. Ata kanë kërkuar publikisht kthimin e më shumë artefakteve të grabitura.

Marrë nga: “The New York Times”. Përktheu: Mirjetë Sadiku