Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Seminari përmbyll edicionin sfidues, por të suksesshëm si kryengjarje e albanologjisë

I suksesshëm është vlerësuar edicioni i sivjetmë i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili përkundër kushteve me pandeminë, arriti ta vazhdojë traditën po jo vetëm. “Kemi arritur të kemi një Seminar që ka plotësuar kushtet shkencore e arsimore”, ka thënë drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi. Organizatorët e disa nga seminaristët janë pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se studimi dhe njohja e shqipes janë të domosdoshme për të kuptuar historinë e vendit

Organizimi i cili tashmë ka një traditë gjysmëshekullore si kryengjarje në fushën e albanologjisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka mbyllur një edicion sfidues, por të suksesshëm. Përmbyllja e punimeve të edicionit të 39-të u shënua me një ceremoni modeste në Fakultetin e Filologjisë, në të cilën drejtori Shkumbin Munishi ka përshëndetur pjesëmarrësit vendorë e të huaj.

Në prononcim për KOHËN, Munishi ka thënë se ky organizim ka arritur t’i ruajë traditën dhe vazhdimësinë e tij.

“Ka qenë një Seminar i suksesshëm, sidomos kur e kemi në konsideratë situatën me pandeminë”, ka vlerësuar Munishi.

Me synimin për të ruajtur vijimësinë me të kaluarën, edicioni i sivjetmë, për dhjetë ditë ka sjellë në mjediset e Fakultetit të Filologjisë sesione shkencore, tryeza, diskutime, ligjërata, kurse për mësimin e gjuhës shqipe e aktivitete të tjera. Edicioni i vjetëm qe shtyrë për në tetor, por u anulua për shkak të pandemisë.

Vazhdimësia e kryengjarjes në fushën e albanologjisë

Edhe Seminari – traditë që rinohet, urë komunikimi e albanologjisë Kulturë Seminari – traditë që rinohet, urë komunikimi e albanologjisë

Munishi ka thënë se pjesa e kurseve të gjuhës shqipe ka qenë një ndër pikat më të rëndësishme edhe të këtij edicioni.

“Seminari ka arritur t’i ruajë kontaktet me studentë e gjuhëtarë, të cilët kanë ardhur edhe këtë vit”, ka thënë Munishi. Ka theksuar se pavarësisht masave të vështira nën të cilat u organizua edicioni i sivjetmë, “kemi arritur të kemi një Seminar që ka plotësuar kushtet shkencore e arsimore”.

“Seminari vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e albanologjisë”, ka thënë Munishi.

Organizatorët e disa nga seminaristët e edicionit të 39-të, pas ceremoninë përmbyllëse, u pritën edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Kurti: “Shqiptarët janë kombi i gjuhës”

Në takim kryeministri Kurti ka theksuar se studimi dhe njohja e shqipes janë të domosdoshme për të kuptuar historinë e vendit.

“Shqiptarët janë kombi i gjuhës, mbase dhe më shumë sesa i flamurit dhe i simboleve të tjera”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Qeveria po angazhohet për mundësinë e mësimnxënies së gjuhës shqipe nëpër shkollat jashtë vendit.

“Jemi në kohën kur kemi hartuar një program qeverisës që angazhohet edhe për shkollën shqipe në mërgatë, sepse besojmë që është i mundur integrimi pa asimilim i shqiptarëve në Evropë dhe në botë. E mësimi i gjuhës shqipe është çelësi i integrimit pa asimilim”, ka thënë kryeministri Kurti.

Rast i mirë për albanologët nga mbarë bota

Themelet e Seminarit datojnë këtu e 48 vjet më parë.

Edhe Seminari – bosht i integrimit të shqipes e shqiptarëve në botë Shtojca për Kulturë Seminari – bosht i integrimit të shqipes e shqiptarëve në botë

“Në dimër të vitit 1973/74 në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të (atëherë) Fakultetit Filozofik me nismën e shefit shumëvjeçar dhe albanologut të shquar, profesor Idriz Ajetit, u diskutua për nevojën e themelimit brenda këtij fakulteti të një qendre për mësimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare për të huajt”, kishte shkruar akademik Rexhep Ismajli në artikullin “Historiku i fillimit të Seminarit” botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore” më 18 gusht 2018.

E mësimi i gjuhës dhe i kulturës shqiptare për të huajt mbetet thelbësore në Seminar krahas shpalosjes së të arriturave të fundit shkencore në fushat e albanologjisë.

“Kam ardhur në Seminar që ta mësoj gjuhën shqipe, që të mund të flas shqip me nënën time”, ka thënë arbëreshja nga Italia, Tinna Zaccato, në takimin me kryeministrin ku morën pjesë edhe dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lendita Rugova, drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, shefi i Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe ish-drejtor i Seminarit, Bardh Rugova, shefi i Departamentit të Studimeve Orientale Abdulla Rexhepi, studiuesi nga Universiteti i Shën Petersburgut, njëherësh konsull i Shqipërisë për atje, Alexander Novik, studiuesi dhe përkthyesi nga Çekia, Martin Surovçak, e të tjerë.

Përtej jetës akademike me sesionet e gjuhësisë, letërsisë, kulturologjisë; tryezave e referimeve shkencore, ky Seminar ka edhe një dimension. Atë të përafrimit kulturor.

Profesori universitar në Shën Petersburg, Alexander Novik, merr pjesë në Seminar që prej vitit 1990.

Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra për të mirë për mua”, ka thënë ai në prononcim për KOHËN. Anëtari i Akademisë së Shkencave të Rusisë ka studiuar shqipen në Universitetin e ish-Leningradit, teksa e cilëson si “gjuhë ekzotike”.

“Seminari i Prishtinës është rast shumë i mirë për albanologët nga mbarë bota”, ka thënë profesori duke shtuar se Seminari u jep mundësi të takohen dhe të diskutojnë çështje shkencore.

“Seminari është vatra e albanologjisë dhe Universiteti i Prishtinës duhet ta mbështesë tutje atë”, ka vlerësuar Novik.

Ai ka shtuar se ndihet mirë që ka pasur rastin të rikthehet në Seminar bashkë me kolegët e tij pas dy vjetëve të pandemisë.

“Sivjet është organizuar tejet mirë, sepse është organizuar në kushte të vështira të pandemisë. Fakti që ka arritur të organizohet është shumë pozitiv”, ka thënë Novik.

Edhe Seminari – bosht i studimeve albanologjike për 4 dekada Kulturë Seminari – bosht i studimeve albanologjike për 4 dekada

Sipas tij, albanologët e kanë “fushën e gjerë për ta studiuar” përderisa shqipen e konsideron si gjuhë të pasur.

“Mesazhi im është që Seminari duhet të organizohet në mënyrë të përsosur dhe unë shpresoj që do të vijnë më shumë studiues nga shtetet evropiane”, ka thënë Novik.