Sesioni Shkencor i Gjuhësisë ka qenë njëri nga tri sesionet që ka shënuar aktivitetet e ditës së fundit të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Siç ka ngjarë përgjatë ditëve të tjera të punimeve, edhe në dita e 11-të është zhvilluar me prezantime të njëpasnjëshme të kumtesave. Të premten, studimet për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare janë shpalosur në tri salla të Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.
Nën temën “Shqipja në kontakt” kanë filluar punimet e Seminarit paraditen e së premtes përgjatë tri seancave që, ndër të tjera, në fokus kanë pasur mohimin e gjuhëve klasike, gjuhën shqipe në kuadrin e translingualizmit, vështirësitë e përkthimit të shqipes në gjuhë të tjera. Kumtesat e studiuesve janë shpalosur paralelisht edhe në dy salla të tjera të Fakultetit të Filologjisë. Brenda këtij institucioni edhe janë zhvilluar të gjitha punimet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Përjashtimin e gjuhës latine në shkollat vendore e më gjerë e ka trajtuar studiuesja Majlinda Bregasi në punimin “Lehtësia e padurueshme e mohimit të gjuhëve klasike dhe nevoja urgjente e edukimit gjuhësor të integruar”. Para prezantimit iu është drejtuar të pranishmëve me fjalë përshëndetëse në gjuhë latine e më pas ka thënë se “njeriu e zbulon botën nëpërmjet gjuhës”. Është shprehur se aq shumë është përhapur mendimi se nuk ka kuptim të mësohet sot gjuha latine, saqë ka bërë që në Kosovë të minimizohet në nivele të frikshme në kurrikulat shkollore. “Ky spastrim i kurrikulave nuk do të thotë vetëm çlirim nga mësimdhënia e një gjuhe që nuk flitet, tek e fundit nuk ka asnjë komb që flet latinisht me të cilin mund të lidhim marrëdhënie diplomatike, por edhe shkëputje nga tradita 25-shekullore e letërsisë, filozofisë, shkencës dhe e të gjithë asaj mendësie të botës klasike e deri në mesjetën e vonë evropian,e që te shqiptarët erdhi dhe u përcoll nëpërmjet latinishtes”, ka cituar Bregasi nga kumtesa e saj.
Gjuhën e ka vlerësuar si mjetin themelor më të vetëmjaftueshëm për ta zbuluar botën dhe si gjendje e përhershme udhëtimi e kërkimi. “Ky do të duhej të ishte thelbi i qasjes së mësimdhënies së gjuhëve të huaja, veçmas te fëmijët, ku të tria këto karakteristika, zbulimi, udhëtimi drejt së panjohurës dhe kërkimi i misterit, gjejnë terrenin më fertil”, ka vazhduar Bregasi më tej.
Praktikat translinguale të shfaqura përmes një kursi me studentët e nivelit universitar janë objekt studimi për amerikanen Julie Kolgjeni. Në studimin e saj me titull “Vështrim mbi (ri)shfaqjen e shqipes në kuadrin e translingualizmit”. Translingualizmin e përkufizon si aftësi të folësve shumëgjuhësh për të lëvizur midis gjuhëve, duke i trajtuar gjuhët e ndryshme që formojnë repertorin e tyre si një sistem të integruar. Për studentët, nga ku i ka marrë mostrat për studimin e saj, ka thënë se zotërojnë repertorë gjuhësorë që përbëhen nga “rezervuarë të shumanshëm të burimeve gjuhësore, që nuk pengohen nga kufijtë fiks të gjuhëve të varieteteve statike standarde”. “Në vend që të përqafojnë mundësinë për të integruar elementë të repertorëve heteroglasikë të tyre, shumë studentë, megjithatë, u shmangen, siç është evidente në përdorimin e ulët të praktikave translinguale në gjetjet e këtij studimi”, ka thënë studiuesja Kolgjeni në prezantimin e studimit të saj.
Edhe
Seminari – traditë që rinohet, urë komunikimi e albanologjisë
Fushën e përkthimit të gjuhës shqipe e ka trajtuar studiuesja Albana Gashi. Në bashkëpunim me studiuesen Teutë Blakqori-Salihu kanë shpalosur vështirësitë e përkthimit të gjuhës shqipe në atë frënge. “Në frëngjisht, vënia e përemrit vetor është e detyruar, gjë që nuk është në shqip. Frëngjishtja e përdor shumë rrallë kohën e kryer të thjeshtë, përkundër shqipes. Në frëngjisht nuk lejohet shpesh përsëritja e fjalëve, ndërsa në shqip nuk është shumë problem. Në frëngjisht ka shumë fjali pasive, duhet të përkthehen me ato aktive në shqip. Për nga renditja e fjalëve në fjali, frëngjishtja është gjuhë si shqipja, por rasa nuk ka, prandaj rendi i fjalëve brenda fjalisë luan rol tejet të rëndësishëm në frëngjisht, por nuk duhet harruar që në shqip ky rend është më i lirë”, ka thënë Gashi për problemet që ka renditur në punim për përkthimin e frëngjishtes në shqip. Ajo ka vlerësuar se përkthimi e detyron përkthyesin të jetë vazhdimisht kureshtar dhe të jetë në dijeni për ngjarjet e përditshme, pasi “i duhet të ketë një formim të gjerë arsimor dhe të dijë t’i përdorë mjetet përkatëse të përkthimit pa e harruar rëndësinë e internetit që e siguron komunikimin e gjithanshëm”. Gashi ka thënë se qëllimi i studimit të tyre është të integrohet përkthyesi fillestar në këtë botë komunikimi, të ndihet mirë e ta dojë profesionin e tij.
Olivier Winistorfer nga Zvicra ka prezantuar “Varietetet shqiptare në kontekstin e gjuhëve ballkanike”. Derisa u është referuar studiuesve Friedman dhe Joseph, ka thënë se gjuhët anëtare të Ballkanit janë “shqipja, greqishtja, gjuhët sllave, bullgarishtja, maqedonishtja dhe disa dialekte të kompleksit boshnjak-kroato-serbo-malazez, gjuhët romantike lindore arumune, rumanisht dhe meglenorumanisht, dialektet bashkëterritoriale të gjuhës indike, rome dhe deri diku dialektet bashkëterritoriale të judezmos dhe turqisht”. Derisa ka krahasuar varietetet gegë dhe toskë ndaj atyre arbëreshe, ka konsideruar se ai i toskërishtes është më ballkanik. Për termin “ballkanizma” ka thënë se quhen ashtu pasi shfaqen në gjuhët që janë konsideruar të tilla dhe kjo, sipas tij, kjo është problematike.
Përmes një videolidhjeje, studiuesi Dhori Qirjazi ka prezantuar “Shqipja dhe greqishtja, të reja nga brezi i kontaktit”. Ndër objektet e studimit të tij janë edhe dokumentet e arkivave të Ali Pashë Tepelenës të ruajtura dhe të botuara në pesë vëllime nga Enti i Përkthimeve Shkencore në Athinë. Qirjazi ka thënë se tekstet janë të shkruara në gjuhën greke, por që në shumicën e këtyre dokumenteve, shkruesit e tyre janë shqiptarë. Ka vlerësuar se ata kanë riprodhuar konstruktet e shqipes duke shkruar në greqisht. Këtë dokumentacion, por edhe të tjera, i ka vlerësuar si burim shumë të pasur i të dhënave. “Në një artikull tjetër që ka të bëjë me përkthimet e hershme të Biblës në shqip janë trajtuar çështjet e përkthimit nga greqishtja në shqip dhe në përgjithësi është trajtuar problematika e një botimi krahasues, që, siç dihet, shumica janë përkthyer nga greqishtja”, ka thënë ai.
Mbi bilinguizmin në fshatin Nartë të Vlorës e ka elaboruar studimin e saj Migena Balla. Ka thënë se për këtë shkak, në objekte të ndryshme, siç është ai në Manastirin e Zbranecit, banorët e vjetër kanë treguar për format e komunikimit atje. “Banorë të vjetër tregojnë se mbaron te këneta dhe fillon te territori i Manastirit, ka ekzistuar një mur i madh në formë harku dhe në të kanë qenë të gdhendura katër forma, që ata i deshifronin në greqisht me fjalët shok, sjell, ha dhe ik. Sipas shpjegimit të banorëve, këto gdhendje u tregonin besimtarëve se duhet të vinin si shokë, ta sillnin ushqimin me vete, të hanin dhe të iknin”, ka thënë studiuesja Migena Balla gjatë prezantimit të kumtesës së saj. Ka treguar se ky Manastir është institucion fetar që dëshmon praninë e kulturës së vjetër greke bizantine në fshatin Nartë. “Fshati i Nartës dallon nga fshatrat e tjerë dhe për nga zakonet e traditat. Festat tradicionale janë kryesisht të lidhura me fenë e tyre të krishterë dhe martesat brenda fshatit kanë qenë argëtimet e tyre të vetme”, ka treguar ajo.
Studiuesi Izmit Durmishi ka prezantuar studimin e tij të përbashkët me studiuesin Berton Sulejmani. “Ndikimet ndërgjuhësore midis shqipes e maqedonishtes” zbërthen kuptimësinë që gjuha shqipe ua ka dhënë gjuhëve të tjera, e në veçanti gjuhës maqedonase. “Disa gjuhëtarë që kanë studiuar dukurinë e ndikimit të gjuhëve në kontakt, e sidomos të shqipes mbi gjuhët e tjera, kanë ardhur në përfundim se shqipja u ka dhënë gjuhëve të tjera më shumë sesa dinin. Ç’është e vërteta në huazimet e shqipes nga gjuhë të tjera është folur më gjatë, ndërkaq për brumin që ua jep shqipja gjuhëve të tjera flitet pak”, ka thënë studiuesi Durmishi. Dy gjuhët, atë shqipe dhe maqedonase, si bashkësi etnike të folura nga shumica e popullsisë krahas pakicave të tjera, e ka vlerësuar si bashkëjetesë për një periudhë të gjatë kohore. “Pa mëtuar të përzihen në maqedonishten e vjetër, sigurisht nuk është fjala për këtë maqedonishte që është sot si substrakt sllavo-jugor, ne u përqendruam në ndërlidhjen e kontakteve të këtyre dy gjuhëve sot”, ka thënë ai.
Studiuesja Evalda Paci iu referohet ekzemplarëve që për tematikë kanë atë që ka trajtuar: “Letërsia e vjetër shqipe në vështrim të një konteksti tipik kulturor e socio-letrar”. Ka thënë se letërsia e vjetër shqipe përbën një objekt të veçantë studimi nga pikëpamja e periudhës përkatëse historike, si dhe e faktorëve që jo rrallë janë bërë pjesë e trajtesave studimore mbi këtë të fundit. “Letërsia e vjetër shqipe duhet parë në një optikë krahasimi që përfshin shqyrtime kritike mbi vepra të ngjashme në pikëpamje tematike, por dhe të rrethanave kohore në të cilat u realizuan. Pothuaj për secilën prej veprave të kësaj letërsie, do të mund të gjenden si burime referenciale modele të ngjashme, pse jo dhe të përpiluara nën qëllime a shtysa të së njëjtës natyrë”, ka thënë ajo.
Edhe
Sesionet shkencore të gjuhësisë e letërsisë krahas mësimit të shqipes si gjuhë e huaj
Edicioni i 40-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka qenë nikoqir i studimeve të aspekteve të ndryshme të tri fushave. Studiues e mysafirë nga shtetet e Evropës kanë sjellë studimet e tyre, derisa për dallim nga edicionet e kaluara, këtë vit kanë munguar studiuesit rusë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Seminari është themeluar në vitin 1974 dhe organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë. Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore kanë qenë “Shqipja në kontakt”, “Letërsia shqipe në kontekstin komparatist” dhe “Dezinformimi e propaganda në mediat sociale”.