Panairi veror i librit është mbajtur për të parën herë buzë bregdetit të Adriatikut në Shëngjin të Lezhës. Për dy ditë, kjo zonë është kthyer pak edhe në panair ku letërsia e kultura gjetën vend midis pushuesish.
Krejt në fund u ndanë edhe çmimet e edicionit të parë.
Juria e kryesuar nga Liridon Mulaj, me anëtarë Alda Bardhyli dhe Monika Stafa, i ka shpallur fituesit.
Çmimin për poezinë më të mirë e mori shkrimtari Preç Zogaj. Shkrimtari Rudolf Marku u vlerësua me Çmimin e Karrierës “Ndoc Gjetja”.
Vepra më e mirë studimore iu dha profesorit Sherif Bundo, Çmimi për Prozën më të Mirë për Odise Kote dhe Çmimi Special për Pashko Camaj.
Edhe
Me rreth 30 mijë vizitorë mbyllet Panairi, fluks më i vogël këtë vit
Kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka shprehur mirënjohje për Klubin e Letrave “Ndoc Gjetja” dhe Shtëpinë Botuese “Fishta” si organizatorë të ngjarjes.
“Një panair që e ktheu librin në kryefjalë dhe që do të vazhdojë si traditë në vitet që vijnë”, ka shkruar Ndreu.
Shtëpitë botuese shqiptare i prezantuan në këtë panair botimet e tyre më të fundit. Për dy ditë u organizuan gjashtë panele me emra të njohur të letërsisë shqipe, ku diskutuan mbi tema që e prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë.
Rudolf Marku, Marash Mirashi, Namik Dokle, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Meliza Kasniqi, Bujar Hudhri e Laif Mustafa kanë qenë veç disa prej emrave që kanë diskutuar për postmodernizmin në letërsinë e re shqipe, për autorrëfimin e trillimin dhe jo vetëm.
Shkrimtari Liridon Mulaj ka thënë se të gjashtë panelet me mbi njëzet personalitete e kanë afruar publikun me letërsinë.
“Gjashtë panele, me mbi 20 shkrimtarë, studiues, botues dhe poetë i dhanë publikut të Shëngjinit afeksionin e receptimit të letërsisë në mënyrë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, ashtu siç në fakt lexuesi e kërkon. Dhe auditori i mbushur plot në dy net, ishte konfirmimi më i mirë për atë që e synuam dhe u rrekëm ta bënim. Një falënderim shkon për ta dhe për botuesit të cilët i japin kuptim jo vetëm Panairit të Shëngjinit, por secilit panair që organizohet”, ka shkruar Mulaj.
Edhe
Çmimet e Panairit, dëshmi e hapësirës së përbashkët të letrave shqipe
Më tej ka shkruar se “’Valë dhe fjalë’ nuk lindi si nevojë për Lezhën e traditës dhe të kulturës, por si një nderim dhe krenari për një qytet i cili frymon me artin dhe letërsinë prej më shumë se një shekull”.
Edicioni i parë e nisi rrugëtimin më 22 gusht me diskutimin me temë “Letërsia e viteve 70-80 dhe thyerja e kodit letrar”.