Kulturë

“Rrugës” me të vërtetat që njeh artisti, për shkëndijat e shpresës

“Ajo që i bashkon krejt këngët e mia është e vërteta që e njoh”, ka thënë Deda teksa ka përshkruar albumin e tij të tretë. “Rrugës” me dhjetë këngë vjen si një udhëtim jete. “Prej kur lindim, të gjithë jemi ‘Rrugës’ drejt fundit të pashmangshëm të udhëtimit që vjen një ditë për secilin, e përgjatë rrugës të gjithë observojmë, rrëzohemi, rritemi, dashurohemi, hidhërohemi, pajtohemi, gabojmë, qeshim, qajmë”, ka thënë Deda. Ndër të tjera, në album është edhe bashkëpunimi i tij me të famshmen Joss Stone. “Marinari i vogël”, është kënga që këndohet në shqip, e që përshkruan fatin e fëmijëve të humbur në kërkim të shpëtimit nga lufta

Dëshira për t’i dhënë hapësirë anës shpirtërore, është ajo që e shtyn kantautorin Shpat Deda drejt muzikës. Kështu ishte në albumin e tij debutues “Molla e parë” (2010), në të dytin “Shkëndijë” (2014) dhe tani në albumin e ri, “Rrugës”. Një album që i qëndron besnik stilit të Dedës, por që është më i lirë në eksperimentim me tinguj. Në këtë kohë të vështirë për shkak të pandemisë, ku njerëzit gjejnë strehë të forma të ndryshme të artit, Deda sjell dhjetë këngë me “Rrugës”. Ka thënë se albumi është dhuratë për të gjithë, me shpresën se do t’i ngrohë sadopak zemrat e njerëzve.

Për kantautorin 35-vjecar – i njohur si artist bashkëkohor në skenën alternative të popit – albumi inspirohet nga udhëtimi i ekzistencës njerëzore.

“Prej kur lindim, të gjithë jemi ‘Rrugës’ drejt fundit të pashmangshëm të udhëtimit që vjen një ditë për secilin, e përgjatë rrugës të gjithë observojmë, rrëzohemi, rritemi, dashurohemi, hidhërohemi, pajtohemi, gabojmë, qeshim, qajmë”, ka thënë Deda që debutoi në skenë në vitin 2007 me këngën “Ëndërroj".

Në albumin e tij të ri ka ndarë disa momente dhe emocione që i ka përjetuar deri tani në rrugëtimin e tij. Tekstet e këngëve shpërfaqin ndjenjat e artistit në momente të caktuara, reflektojnë edhe mbi ato të një personi të tretë, por janë edhe observime apo reflektime mbi situata a ngjarje të caktuara shoqërore.

Aty është edhe “Marinari i vogël”, dueti i parë zyrtar i Dedës me artisten e njohur britanike Joss Stone, e cila këndon në gjuhën shqipe. Kënga u dedikohet fëmijëve të humbur nga kriza globale e refugjatëve. “Era fryn/Uji ja lag kamtë e vogla/ Dikun larg/ Kanë mbet lodrat qe i ka lanë mas”, e nis këngën Deda. Pas tij vazhdon Stone, e cila në vitin 2016 e kishte vizituar Prishtinën dhe kishte mbajtur koncert si pjesë e turit të saj botëror me emrin “Total World Tour”. Atë vit takoi edhe Dedën e dy vjet më vonë dyshja publikuan një cover të këngës “N'shpirt m'ka rritë” nga albumi i parë i Dedës, “Molla e parë”, shoqëruar në kitarë edhe nga Art Lokaj. Fama e Stones u rrit në vitin 2003, kur u shitën më shumë se 1 milion kopje të albumit të saj debutues “The Soul Sessions”. Është fituese e dy çmimeve “Brit Awards” dhe një “Grammy Award” nga pesë nominime.

“Andrra e tij/ Gjithë ka qenë me e lundru detin/ S'po kupton/ Pse të rritunit po qajnë kaq shumë”, këndon Stone te “Marinari i vogël”. Këto vargje ndiqen nga refreni ku zërat e Dedës dhe të artistes britanike shkrihen në një. “Oooooo Oooooo/ Marinari i vogël n'det/ Oooooo Oooooo/ Po lundron për n'tjetrën jetë/ Pa jetë/ Pa jetë”, vazhdon dyshja. Këtë këngë e thekson më shumë edhe Deda, duke shtuar se pavarësisht kësaj, me të gjitha ka një lidhje të fortë personale.

Albumi përfshin një periudhë katërvjeçare gjatë së cilës Deda ka hulumtuar, ka shkruar tekstet dhe ka bërë kompozimin e këngëve. “Rrugës” është incizuar në muajin maj të vitit të kaluar në “Studio C” në Prishtinë, për të vazhduar me fazat e miksimit dhe masterizimit të tij.

“Ajo që i bashkon krejt këngët e mia është e vërteta që e njoh”, ka thënë Deda. Ka shtuar se “Rrugës” si tërësi ka karakter introspektiv në pjesën më të madhe të tij, megjithatë nuk ka një temë të caktuar eksplicite e cila e përshkon krejt albumin.

“Fëmijë unë kur kam qenë/ nuk asht dashtë me lypë shumë, dashuninë me e gjetë/ Diçka më ka hupë/ Rrugës...Gjithçka je kur kurrgjo s'je/ Krejt i ki kur krejt i jep”, është një pjesë e tekstit të këngës “Rrugës” nga e cila ka marrë emrin albumi. Kënga ishte publikuar më 27 tetor të vitit të kaluar bashkë me videoklip.

Para saj, në vitin 2017, kishte publikuar këngën “Ninullë” – pjesë e albumit “Rrugës” – që shërben më së shumti si një urë lidhëse me hitet e albumeve paraprake. Për ndjekësit e kantautorit ngjall dëshirën për të dëgjuar këngën “Shkëndijë”, pasi që ka mjaft ngjashmëri sa u përket instrumenteve të përdorura në orkestrim. “Ninullën” Deda, siç kishte treguar në promovim të këngës tre vjet më parë në “Dit’ e nat’”, ia ka dedikuar gjyshes së tij. E kishte cilësuar atë si tregimtaren më të mirë. Kënga ishte shoqëruar edhe me videoklip, në të cilin paraqiten edhe aktorët: Melihate Qena, Adriana Matoshi, Armend Smajli dhe Blerta Ismaili.

Deda, më 14 dhjetor të këtij vitit publikoi edhe videoklipin e këngës “Instiktivisht”. Kjo këngë ishte edhe ajo që paralajmëroi një drejtim të ri muzikor të artistit. Por, thyerja pa dyshim vërehet të këngët e tjera të papublikuara më herët nga Deda, që përfshihen në album. Teë kënga “T'huj”, vërehet qartësisht diçka e tillë.

“Kur jena mirë unë me ty beb/ nuk ka qashtu kërrkun/ po sonte flejtëm shpinë ballë shpine/ Kamtë ftohtë pa i prekë”, nis kënga, ku Deda pos vokalit e vokalit përcjellës luan në kitarë elektrike, moog bas, moog beat, ksilofon, e Dritëro Nikqi në kitarë elektrike, sint.

“Kisha me thanë se ky album ka natyrë pak ma indie edhe alternative se dy albumet e mia të para. Kemi eksperimentuar me efekte edhe me timbra tingujsh të ndryshëm në disa prej këngëve, gjë që ia jep albumit një karakter pak ma elektronik”, ka thënë Deda.

Albumi “Rrugës” i lansuar të dielën, tashmë gjendet në të gjitha platformat digjitale si “Youtube”, ku shoqërohet me ilustrime origjinale të realizuara nga “inkswim” dhe mund të dëgjohet falas.

Ilustrimet janë si një ekspozitë më vete. Një pasqyrë ku reflekton një shtëpi në mes të detit është vizatimi që zbërthen këngën “Rrugës”. Te kënga “Nesër” ilustrimi shpalos një personazh duke shikuar nga dritarja tek ngjall ndjenjën e pritjes. Të kënga “T’huj” personazhet janë në shtrat dhe larg njëri-tjetrit e të “S’ka kurgjo” të përqafuar. Të “Ninulla” gjyshja mban për dore një fëmijë brenda një kavanozi të punuar me xham, e te “Marinari i vogël” në atë që ngjan me një akuarium shihet duke lozur një fëmijë me një të rritur.

Rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të Dedës për këtë album përfshin Dritëro Nikqin dhe Nesim Maxhunin, ndërsa në album marrin pjesë edhe një numër i madh muzikantësh si Armend Xhaferi, Liburn Jupolli, Jeton Dolaku, Visar Kuçi, Fatjon Miftari, Enver Muhamedi, Tomor Kuçi, Pëllumb Ballata, Blerta Ismaili, Shpend Ballata, Adorel Haxhiaj dhe Festim Fanaj.