Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rrëfimi i tre të rinjve – thirrje kolektive për liberalizim vizash

Janë tre të rinj, që kurrë s’kanë hipur në aeroplan për të aterruar në një vend të huaj, por historia e tyre nuk ndalet këtu. Ata s’mund ta bëjnë lehtë një gjë të tillë, njashtu si krejt shtetasit e Kosovës. Arsyeja: mosliberalizimi i vizave. Por, “I have never been on an airplane” nën regji të Redon Kikës synon t’i kapërcejë kufijtë. Së paku gjatë procesit të punës po e bën këtë. Shesh-xhirimi i fundit i këtij dokumentari të gjatë është Gjermania. Regjisori Kika ka zbardhur disa detaje të dokumentarit të tij dhe mesazhin e thirrjen që synon t’i përcjellë

Tre personazhe në dokumentarin artistik personifikojnë qindra e mijëra kosovarë që kurrë nuk patën fatin të shkelin tokën e huaj. Këtë herë, bashkë me kreativitetin e tyre, artistët e rinj synojnë t’i japin zë çështjes që i mban peng jo vetëm ata: liberalizimin e vizave për Kosovën. “I have never been on an airplane” shpalos ngjarjen aktuale me personazhe realë e histori të vërtetë.

Rastet kur arti depërton përkundër izolimit të krijuesve të veprave, po rriten çdo ditë e më shumë. Për ngjarjet e vërteta dhe autentike që kanë trajtuar, shumë filma kanë tejkaluar limitet e pritshmërive të suksesit. Filma me tematika të ndryshme për pasojat e luftës e për mentalitetet e ulëta të shoqërisë kanë zbritur në skenat ndërkombëtare, por “I have never…” synon “të pushtojë” qendra kinematografike nëpërmjet temës së izolimit të të rinjve me potencialin që barrikadohet në rendet e gjata të pritjes për t’u pajisur me dokumentacion për udhëtim jashtë vendi. Ekipi po vazhdon punën në këtë projekt – nën regji të Redon Kikës, me producent Dardan Hotin e Luca Tesei Li Bassi nga shtëpia filmike “Katarzë Films” – përderisa Gjermania së fundmi është shesh-xhirimi i radhës. Është subvencionuar me konkursin e vjetëm nga Qendra Kinematografike e Kosovës me 25 mijë euro.

Për filmin dokumentar të metrazhit të gjatë si karaktere janë përzgjedhur tre të rinj. Regjisori Redon Kika ka thënë për KOHËN se përmes tij synohet të lulëzojë tema e liberalizimit të vizave edhe në vendet e tjera dhe të aktivizohen të gjithë akterët në shoqëri.

“Ky film tenton ta hapë dialogun mbi çështjen e liberalizimit të vizave, duke përfshirë shoqërinë civile për të folur se sa ndikim ka mungesa e lëvizjes së lirë nëpër botë në mirëqenien tonë si shoqëri”, ka thënë regjisori Kika.

Image
Nëpërmjet tre të rinjve, “I have never been on an airplane” synon ta dërgojë publikun në një udhëtim i cili parashtron shumë pyetje në lidhje me identitetin e tyre personal dhe gjetjen e vetvetes si qytetarë të botës

Dokumentari për të cilin Kika ka shkruar edhe skenarin ndërtohet mbi rrëfimet e Tringa Sefedinit, Atdhe Behlulit dhe Jeta Veselit, për aktivitetet e tyre pa kaluar kurrë kufijtë e Ballkanit, që rrjedhimisht as nuk kanë hipur asnjëherë në aeroplan. Fokus primar i tij është shtjellimi i pasojave që izolimi u sjellë të rinjve, ndërkaq është vazhdimësi e filmit të metrazhit të shkurtër me të njëjtin titull, që u shfaq edhe në edicionin e kaluar në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” përderisa rrugëtimi i këtij produksioni të “DokuLab” ende vazhdon. Muajin e kaluar u shfaq në galerinë “ChertLuedde” në Berlin të Gjermanisë.

Edhe “Nuk kam hipur kurrë në aeroplan” pret ditën pa viza Kulturë “Nuk kam hipur kurrë në aeroplan” pret ditën pa viza

“Nga suksesi i filmit të shkurtër ka lindur ideja për ta zhvilluar këtë dokumentar në projekt më të madh. Ne si ekip kemi vendosur që këta të rinj që kurrë nuk kanë hipur në një aeroplan, t'ua mundësojmë atyre fluturimin e parë në Evropë dhe t’i dërgojmë në tri vende që ata gjithmonë kanë ëndërruar t’i vizitojnë. Ky është edhe koncepti i filmit të gjatë, ku karakteret e filmit na dërgojnë në një udhëtim i cili parashtron shumë pyetje në lidhje me identitetin e tyre personal dhe gjetjen e vetvetes si qytetarë të botës”, ka thënë Kika.

Xhirimet e filmit që kishin filluar në janar të këtij viti, kanë përfunduar në Kosovë, vazhdojnë në Gjermani, e më pas shesh-xhirimet do të vendosen në Suedi e Portugali. Për të arritur deri në këto vende, Kika ka thënë se tre të rinjtë janë përballur me refuzime vizash e shtyrje të datave të parapara për udhëtim dhe kjo i ka frustruar jo pak. Por thirrjen e tyre për të mos u përballuar më me telashe të tilla, e bëjnë me art nëpërmjet “I have never been on an airplane”.