Aty ku e nisi rrugëtimin me premierë botërore, “Mua besoj më shpëtoi portreti” me skenar e regji të Alban Mujës do ta përmbyllë vitin. “Berlinalja” qe një biletë suksesi për filmin e metrazhit të gjatë, e rikthimi në Berlin e gjen në listën e ngushtë për nominim për Çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit që njihet si “Oscar” evropian European Film Awards, i cili ka ardhur si nominim nga ‘Kurzfilm Festival Hamburg’, ka qenë i mirëpritur, por rrugëtimi është pjesa më e rëndësishme e idesë dhe e filmit tonë”, ka thënë Muja
Ky vit qe përplot rrugëtime emocionuese për filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti” me skenar e nën regji të Alban Mujës dhe me producent Edon Rizvanollin. Historia familjare e mbijetesës shkoi edhe përtej kontinentit si rrëfimi për familjet e Kosovës. Shpërndarjes së kësaj historie i parapriu festivali prestigjioz “Berlinale”, në shkurtin e sivjetmë i cili e përfshiu atë në programin e edicionit të 75-të. E këtë cikël rrugëtimesh të filmit brenda një viti edhe e mbyll Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin përderisa “Mua besoj....” pret nominim edhe për të që konsiderohet “Oscar” i Evropës.
Në listën e ngushtë për nominim për Çmimin Evropian të Filmit në kategorinë e filmave të shkurtër, filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” është njëri prej 30 filmave që synojnë një hap tjetër më afër trofeut. Sivjet Akademia ndan Çmimet Evropiane të Filmit për të 38-n herë. Ceremonia do zhvillohet më 17 janar, në Shtëpinë e Kulturave Botërore në Berlin.
Në mesin e filmave në kategori janë “April tune” nga portugezi André Silva Santos, “Being John Smith” nga britaniku John Smith, “City of poets” nga holandezja Sara Rajael, “Common pear” nga slloveni Gregor Bozhiq e “Daddy’s little scratch” nga ukrainasi Yehor Harmash.
Regjisori Alban Muja, është shprehur se vetë vlerësimi i deritanishëm është sukses për filmin të cilin e konsideron modest.
“Pjesë e rëndësishme është edhe rrugëtimi në European Film Award i cili veçse ka filluar të votohet nga anëtarët po besoj. Në janar do ta marrim vesh se kush ka fituar. Gjithsesi nuk kemi menduar për çmime pasi që filmi ynë është një film modest, por me një ngjarje që tregon një histori familjare dhe nëpërmjet saj edhe historitë e shumë familjeve në Kosovë”, ka thënë Muja për KOHËN.
Ka thënë se para çmimeve, i rëndësishëm për filmin ka qenë rrugëtimi i rrëfimit të tij nëpër skenën ndërkombëtare.
“Për ne e rëndësishme, para së gjithash, para se të përmenden çmimet, patjetër është rrugëtimi i cili është shfaqur nëpër festivale dhe po vazhdon të shfaqet. European Film Awards, i cili ka ardhur si nominim nga ‘Kurzfilm Festival Hamburg’, ka qenë i mirëpritur, por rrugëtimi është pjesa më e rëndësishme e idesë dhe e filmit tonë”, ka thënë Muja.
Në fillimqershor, filmi u shfaq në Hamburg, në Festivalin e Filmit të Shkurtër. Suksesi në këtë ngjarje qe bileta për në çmimet që ndan institucioni më i lartë i filmit në kontinent – Akademia Evropiane e Filmit.
Në atë që konsiderohet si “Oscari” i Evropës, regjisori Samir Karahoda pati bërë histori. Në vitin 2021 filmi i tij “Pa vend” u bë i pari film nga Kosova që ishte nominuar bashkë me katër filma të tjerë për Çmimin për filmin më të mirë të shkurtër evropian.
Për ceremoninë e vitit që vjen, lista e ngushtë është zyrtare. E, më pak se një muaj para ceremonisë së Çmimeve Evropiane të Filmit, “Mua besoj më shpëtoi portreti” nga Alban Muja do ta ndez sërish ekranin e prestigjiozes “Berlinale”. Midis pesë aktiviteteve që janë planifikuar për nëntor dhe dhjetor në kuadër të programit “Berlinale Spotlight”, shfaqja e filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti” është njëra prej tyre, së bashku me filmin “Prekid vatre” (Armëpushimi) nën regji të boshnjakut Jakob Krese. Të dy filmat ishin pjesë e programeve “Berlinale Forum Expanded” dhe “Berlinale Shorts” të festivalit.
Regjisori e artisti vizual Alban Muja bashkë me producenten e filmit boshnjak, Annika Mayer, nën moderimin e studiueses së filmit dhe medias, Borjana Gakoviq, do të zhvillojnë një diskutim për këto vepra të tyre.
Muja, ka theksuar se filmi e ka nisur rrugëtimin në “Berlinale” dhe aty po e mbyll për këtë vit. Do të shfaqet më 21 dhjetor në atë që quhet si Qendër e Dokumentimit për Zhvendosje, Dëbim dhe Pajtim me rastin e Ditës së Filmit të Shkurtër Gjerman të cilën kinematografia gjermane e shënon në po këtë ditë. Aktivitetet e asaj që festivali e ka quajtur si “Berlinale Spotlight” si një lloj retrospektive e aktivitetit, nisin më 10 nëntor dhe përfshijnë disa prej filmave që ishin në garën zyrtare, ata nga programet “Panorama”, “Generation”, “Berlinale Shorts” si dhe “Forum Expanded”.
Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” rrëfen histori mbijetese që vjen nga Skender Muja, babai i autorit Alban Muja. Protagonisti i filmit dhjetëminutësh rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e një komandanti serb.
Skender Muja tregon sesi rreth tre mijë veta u detyruan të niseshin në drejtim të panjohur në prill të 1999-s. Në hyrje të Skenderajt i pritën dhe i renditën. I vendosën në një shkollë të kthyer në kamp përqendrimi. Aty i mbajtën për 15 ditë dhe i ushqenin shumë pak.
Narracioni i Mujës, ilustruar me pamjet e burrave në një klasë mësimi derisa vijon vizatimin e portretit me shkumës të bardhë në dërrasë të zezë, vazhdon me tregimin sesi në njërën prej ditëve, ai dhe të tjerët u përdorën si testues minash. Oficerët serbë do të pyesnin se kush prej tyre dinte të shkruante me alfabetin cirilik. E shqiptarët e zënë peng do të bënin me shenjë nga Skender Muja. Ky i fundit do të kryente detyrën që i ishte kërkuar, e serbët do t’i thoshin se kështu duhej shkruar, se shteti i tij ishte Serbia.
I kishin thënë se nëse ishte piktor, atëherë duhej të dinte të vizatonte edhe portrete. E Muja natyrisht se dinte, për 30 vjet ishte arsimtar i artit.
Tregon se do t’i merrnin në kamion dhe të gjithë ishin të sigurt se do të ekzekutoheshin. Komandanti, të cilit Muja ia kishte punuar portretin, i kishte thënë se do t’i dërgonin në një vend të sigurt. “Portreti si duket po të shpëton”, transmeton Skender Muja në dokumentar fjalët që komandanti ia kishte thënë.
Premierën botërore filmi e pati në edicionin e 75-të në festivalin me nam të filmit “Berlinale”, që u mbajt prej 13 deri më 23 shkurt. Ishte në kuadër të programit “Forum Expanded” të ngjarjes, jashtë gare.
E në gusht u dha edhe premierë vendore, pas rrugëtimit të gjatë në skenën ndërkombëtare. Qe në garën kryesore të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren, që sivjet zhvilloi edicionin e 24-t.