Kulturë

“Mua besoj më shpëtoi portreti” nominohet si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit

Albani

“Pas prezantimit të filmit në ‘Berlinale’ dhe në disa festivale të tjera ka ardhur edhe prezantimi, përkatësisht seleksionimi për konkurrencën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg. Ky festival, sikur edhe disa festivale të tjera nëpër Evropë, e kanë mundësinë që të nominojnë kandidatët për ‘European Film Award’, që është çmimi kryesor për film në Evropë”, është shprehur Alban Muja, duke theksuar rëndësinë e rrugës së filmit

Është shfaqur në disa shtete e të enjten pati premierën edhe në Gjermani, në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg. Rezultati: nominimi i filmit për kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit. Në Hamburg filmi me regji e skenar të Mujës qe në garën ndërkombëtare. Filmi mori një tjetër çmim me peshë. Festivali gjerman i dha Mujës shans për biletë në çmimet që ndan institucioni më i lartë i filmit në kontinent – Akademia Evropiane e Filmit

Shfaqja e parë – premiera në prestigjiozen “Berlinale” në shkurt të këtij viti – qe sukses më vete për filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti” të Alban Mujës. Është shfaqur në disa shtete e të enjten pati premierën edhe në Gjermani, në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg. Rezultati: nominmi i filmit për kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit.

Në Hamburg filmi me regji e skenar të Mujës qe në garën ndërkombëtare. Filmi mori një tjetër çmim me peshë. Festivali gjerman i dha Mujës shans për biletë në çmimet që ndan institucioni më i lartë i filmit në kontinent – Akademia Evropiane e Filmit.

“Mua besoj më shpëtoi portreti” pati dy shfaqje në Hamburg, më 5 e 6 qershor. Në një përgjigje për KOHËN nga Hamburgu, regjisori Muja ka thënë se kjo arritje e filmit vjen edhe si rezultat i prezantimeve paraprake që filmi ka pasur.

“Pas prezantimit të filmit në ‘Berlinale’ dhe në disa festivale të tjera, ka ardhur edhe prezantimi, përkatësisht selektimi për konkurrencën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg. Ky festival, sikur edhe disa festivale të tjera nëpër Evropë, e kanë mundësinë që të nominojnë si kandidat për ‘European Film Award’ që është çmimi kryesor për film në Evropë”, është shprehur ai duke theksuar rëndësinë e rrugës së filmit.

“Çmimi i tyre është ky, përveç çmimit kryesor që është i rëndësishëm për disa festivale. Ka ardhur direkt prej jurisë ndërkombëtare të Festivalit në Hamburg. Vitin e ardhshëm akademia mbahet në Berlin, një koincidencë pasi aty edhe jetoj për momentin. Gjithsesi pastaj bëhet një listë e shkurtër e këtyre nominimeve dhe aty pastaj shohim se kush shpërblehet për filmin më të mirë evropian”, ka thënë Muja.

Festivali në Hamburg ka zhvilluar edicionin e sivjetmë prej 3 deri më 8 qershor. Është ndër festivalet më të njohura dhe më të rëndësishme të filmit të shkurtër në Evropë dhe pos filmave përfshin edhe ekspozita, vepra performuese, koncerte dhe diskutime.

Qendra Kinematografike e Kosovës, e cila e ka mbështetur filmin e prodhuar nga “038STUDIO” me “AsfaltFilms” e ka bërë të ditur kandidaturën e filmit drejt “European Film Awards”.

“Jemi shumë të lumtur t’ju njoftojmë që juria e Festivalit të Filmit të Shkurtër në Hamburg e ka nominuar filmin tonë ‘I Believe the Portrait Saved Me’ me regji nga Alban Muja dhe producent Edon Rizvanolli, si kandidat për Çmimet Evropiane të Filmit (Europan Film Awards)”, ka shkruar QKK-ja.

Festivalet më prestigjioze evropiane kanë të drejtë të kandidojnë filma për nominim në kategoritë përkatëse për këto çmime. Sa i përket Kosovës, këtë të drejtë e ka festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

Themelimi i Akademisë Evropiane të Filmit ishte iniciativa e një grupi kineastësh të Evropës, të mbledhur së bashku me rastin e ceremonisë së parë të “Çmimit të Filmit Evropian” të mbajtur në nëntor 1988. Akademia Evropiane e Filmit u themelua përfundimisht në vitin 1989 si Shoqëria Evropiane e Kinemasë nga presidenti i parë, regjisori suedez Ingmar Bergman. Akademia ka për qëllim t’i bashkojë të gjithë ata që e duan kinemanë evropiane, duke kulmuar çdo vit në Muajin e Filmit Evropian dhe Çmimet e Filmit Evropian, si dhe me hapjen e Klubit të Filmit Evropian në vjeshtën e 2023-tës.

Siç ka bërë të ditur institucioni, edicioni i radhës, i 38-ti, sivjet mbahet nga mesi i janarit, për dallim nga edicioni i vitit 2024 që qe mbajtur në dhjetor.

Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” rrëfen një histori mbijetese. Protagonisti i filmit të metrazhit të shkurtër dhjetëminutësh rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e kasapit serb.

Ngjarja është reale dhe ngërthen historinë e vendit më vete.

Filmi e pati premierën në edicionin e 75-të të festivalit me nam të filmit “Berlinale”, që u mbajt prej 13 deri më 23 shkurt. U shfaq në kuadër të programit “Forum Expand” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. E më pas është shfaqur edhe në festivalin ndërkombëtar të filmave të shkurtër “Go Short”, në edicionin e 17-të, që u mbajt prej 2 deri më 6 prill në qytetin Nijmegen të Holandës.

Pak kohë para pjesëmarrjes në Festivalin e Filmit në Hamburg, filmi mori pjesë edhe në njërin prej festivaleve më me nam për filma të shkurtër në kontinent - “Vienna Shorts”. U shfaq më 31 maj në edicionin e 22-të, që u mbajt prej 27 maj deri më 1 qershor.

Filmi “Mua besoj…” përshkruhet si eksplorim i fuqishëm i krijimtarisë e si mjet qëndrueshmërie përballë sfidave të jashtëzakonshme. Është rrëfimi autentik i Skënder Mujës, babai i regjisorit të filmit, që tregon se si ishin ndaluar në një shkollë të Skenderajt nga forcat serbe. Protagonisti në film rrëfen se si ishte detyruar të bënte portretin e komandantit që ishte përgjegjës për atë burg të improvizuar dhe beson se ai portret mund t’ia ketë shpëtuar jetën.

Në janar të këtij viti, kur qe konfirmuar pjesëmarrja në “Berlinale” e filmit “Mua besoj…”, Muja kishte shpjeguar përmbajtjen.

“Filmi flet për një ngjarje që ka ndodhur 25 vjet më parë, gjatë luftës në vitin 1999. Është një ngjarje familjare, pasi në rolin kryesor si narrator është babi im, piktori Skënder Muja, i cili në film rrëfen një histori mbijetese. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, babi dhe shumë burra shqiptarë nga Mitrovica, pasi kishin ecur një javë, u kapën kur përpiqeshin të largoheshin nga Kosova”, pati thënë Muja në një bisedë për KOHËN.

Pati rrëfyer se edhe vetë atij i ishte kanosur ky rrezik.

“Në fakt edhe unë isha aty, por arrita të shpëtoja. Ata, para se të dërgoheshin në Burgun e Smrekonicës, ishin ndaluar në një shkollë në hyrje të Skenderajt, të kthyer në një qendër ndalimi”, pati thënë Muja.