Dhjetë minutat e projektit me skenar e regji të Alban Mujës janë dokumentim e pasqyrë e fatit të jetës së njeriut në duart e armikut. Paralelisht edhe fuqia e artit. Kjo histori do të rrëfehet në “Vienna Shorts” dhe në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg. Është rrëfimi i Skënder Mujës ai që do të dëgjohet në këto dy festivale. Në Hamburg është pjesë e konkurrencës ndërkombëtare, ndërsa në Vjenë do të jetë pjesë e programit tematik “Kur do të mësojnë ndonjëherë?”.
Në dy festivale prestigjioze të filmit të shkurtër, “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës përcjell një fragment rrëfimi për mbijetesën e qëndresën e popullit të Kosovës gjatë luftës. Dhjetë minutat e projektit me skenar e regji të Mujës janë dokumentim e pasqyrë e fatit të jetës së njeriut në duart e armikut. Paralelisht edhe fuqia e artit. Kjo histori do të rrëfehet në “Vienna Shorts” dhe në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg.
Është rrëfimi i Skënder Mujës ai që do të dëgjohet këto dy festivale. Në Hamburg është pjesë e konkurrencës ndërkombëtare, ndërsa në Vjenë do të jetë pjesë e programit tematik “Kur do të mësojnë ndonjëherë?”.
Ngjarja është reale dhe ngërthen historinë e vendit më vete. Autori i filmit, Alban Muja, ka thënë se, mbi të gjitha, e rëndësishme është shpalosja e së kaluarës së Kosovës te publiku i huaj.
“Ashtu si në këto dy festivale, edhe në të tjerat ku filmi do të shfaqet, qëllimi ynë kryesor mbetet i njëjtë: që filmi të shihet, dhe përmes tij të ndajmë të kaluarën tonë si shoqëri me audienca të ndjeshme dhe të respektueshme të filmit”, ka thënë Muja në një përgjigje me shkrim për KOHËN.
Filmi e pati premierën në edicionin e 75-të të festivalit me nam të filmit “Berlinale”, që u mbajt prej 13 deri më 23 shkurt. U shfaq në kuadër të programit “Forum Expand” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin. E më pas është shfaqur edhe në festivalin ndërkombëtar të filmave të shkurtër “Go Short”, në edicionin e 17-të, që u mbajt prej 2 deri më 6 prill në qytetin Nijmegen të Holandës.
“Pas ‘Berlinales’ dhe ‘Go Short’ në Holandë, jemi të ftuar në dy festivale të rëndësishme të filmave të shkurtër. Në Vjenë, filmi ynë është pjesë e një programi kuratorial që trajton një temë të ndjeshme, ashtu siç besojmë është edhe vetë filmi. Ndërsa në Hamburg jemi pjesë e konkurrencës zyrtare ndërkombëtare”, është shprehur artisti e regjisori Alban Muja.
Ai ka bërë të ditur se ekipi i filmit do të jetë në të dy festivalet ku do të ketë edhe bashkëbisedim me të pranishmit dhe mediat.
Në edicionin e 41-të të Festivalit të Filmave të Shkurtër në Hamburg, filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” do të shfaqet më 5 qershor, në orën 21:39, në kinemanë “ZEISE 2” dhe ditën pasuese në kinemanë “B-MOVIE”, nga ora 16:30.
Festivali në Hamburg zhvillon edicionin e sivjetmë prej 3 deri më 8 qershor. Është ndër festivalet më të njohura dhe më të rëndësishme të filmit të shkurtër në Evropë dhe pos filmave, përfshin edhe ekspozita, vepra performuese, koncerte dhe diskutime.
“Festivali i Filmit të Shkurtër në Hamburg ka shfaqur më shumë se 400 filma çdo vit që reagojnë ndaj botës në mënyra të zhurmshme dhe të shkëlqyera, të qeta dhe poetike, të egra dhe të qeta. Në këtë mënyrë, programet e përzgjedhura paraqesin të gjithë gamën e filmave të guximshëm, eksperimentalë dhe artistikë. Krijuesit e filmave, industria dhe publiku festojnë së bashku filmat e shkurtër”, shkruhet në prezantimin e Festivalit.
Ndërsa në “Vienna Shorts”, në kryeqytetin austriak do të shfaqet në kinemanë “Metro”, më 31 maj, nga ora 18:30. Edicioni i 22-të i festivalit mbahet prej 27 maj deri më 1 qershor. Në periudhë të ngjashme, pra fundmaj e fillimqershor zhvillohet çdo vit, prej 2004-s.
Sipas të dhënave, çdo vit shfaq deri 350 filma të shkurtër nga e gjithë bota në katër kategori garuese, si dhe në kuadër të programeve të kuruara. Është festival kualifikues, midis tjerash, për Çmimet e Akademisë Britanike të Filmit, Çmimet Evropiane të Filmit dhe Çmimet e Akademisë.
“Ne e konsiderojmë jetën dhe kinemanë si të lidhura në mënyrë të pandarë - si rezultat i kohës, përvojës dhe qëndrimit, gjithmonë për t’u vënë në pikëpyetje dhe për t’u festuar, si dhe të vetëdijshëm për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, për të mos u harruar”, shkruhet në prezantimin e festivalit, që vjen si deklaratë e drejtorit të “Vienna Shorts”, Daniel Hadenius-Ebner.
Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” rrëfen një histori mbijetese. Por në thelb, protagonisti i filmit të metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të Alban Mujës rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e forcave serbe.
Filmi përshkruhet si eksplorim i fuqishëm i krijimtarisë e si mjet qëndrueshmërie përballë sfidave të jashtëzakonshme. Është rrëfimi autentik i Skënder Mujës, babai i regjisorit të filmit, që tregon se si ishin ndaluar në një shkollë të Skenderajt nga forcat serbe. Protagonisti në film rrëfen se si ishte detyruar të bënte portretin e komandantit që ishte përgjegjës për atë burg të improvizuar dhe beson se ai portret mund t’ia ketë shpëtuar jetën.
Në janar të këtij viti, kur qe konfirmuar pjesëmarrja në “Berlinale” e filmit “Mua besoj…”, Muja kishte shpjeguar përmbajtjen.
“Filmi flet për një ngjarje që ka ndodhur 25 vjet më parë, gjatë luftës në vitin 1999. Është një ngjarje familjare, pasi në rolin kryesor si narrator është babi im, piktori Skënder Muja, i cili në film rrëfen një histori mbijetese. Në muajt e fundit kaotikë të luftës, babi dhe shumë burra shqiptarë nga Mitrovica, pasi kishin ecur një javë, u kapën kur përpiqeshin të largoheshin nga Kosova”, pati thënë Muja në një bisedë për KOHËN.
Pati rrëfyer se edhe vetë atij i ishte kanosur ky rrezik.
“Në fakt, edhe unë isha aty, por arrita të shpëtoja. Ata, para se të dërgoheshin në burgun e Smrekonicës, ishin ndaluar në një shkollë në hyrje të Skenderajt, të kthyer në një qendër ndalimi”, pati thënë Muja.
“Mua besoj më shpëtoi portreti” është prodhuar nga studioja “038STUDIO” në Prishtinë, në bashkëprodhim me “AsfaltFilms” nga Amsterdami dhe mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.