Kulturë

“Nuk kam hipur kurrë në aeroplan” pret ditën pa viza

Qe kohë izolimi në pandemi, por ideja u zhvendos te një tjetër rrafsh. Kapi mungesën e lirisë së lëvizjes, një konstatim si “I have never been on an airplane” u shndërrua në pikënisje për film. Janë rrëfimet e tre miqve të tij, bashkëmoshatarë, që Redon Kika i përkthen në gjuhë filmike. Kur idesë iu dha formë, dolën në shesh xhirime, treshja e protagonistëve hipi në aeroplan për të parën herë, por filmi pret finalen, 1 janarin pa viza

Në një përpjekje kinematografike që tejkalon kufijtë e një rrëfimi të rëndomtë, Redon Kika, i sjell audiencës një qasje introspektive me “I have never been on an airplane” (Nuk kam hipur asnjëherë në aeroplan). Me distancë të guximshme nga narrativet konvencionale, regjisori i ri përfshihet në realitetin e qytetarëve të Kosovës duke eksploruar peizazhin emocional të izolimit si pasojë e mungesës së liberalizimit të vizave. Këtë ai e bën nëpërmjet këndvështrimit të tre miqve të tij, Atdhe Bahlulit, Jeta Veselit e Tringa Sefedinit, të cilët në këtë dokumentar shpalosin jetët e tyre me doza naiviteti e brishtësie që burojnë si një thirrje për të kërkuar të drejtën e lëvizjes.

Këtë opus kinematografik, Kika nuk e nisi këtu, por qysh në vitin 2020 me një film të shkurtër, i cili mund të quhet dhe si prolog i filmit të gjatë, që pritet të përfundohet në 2024-n.

Izolimi që shpërtheu në kreativet

“Ka qenë kohë pandemie, një izolim total. Gjatë asaj kohe ‘Kino Armata’ e ka bërë një thirrje për prodhim të filmave dhe me shtytjen e disa personave, aplikova”, tregon Kika rreth hapave të parë, për filmin e shkurtër, gjersa thekson detajet, se punëtoria për të cilin ai vetë nuk kishte kushedi se çfarë pritshmërie, por rezultoi e suksesshme, qe një ogur i mirë për hapat e parë drejt regjisë, ani pse afiniteti i tij me filmin shtrihej në mënyra të tjera deri atëherë.

Pasi u pranua në punëtori, sfida e parë qe gjetja e një ideje unike, por situata e tendosur e atmosferës mes ballafaqimit të një izolimi, si shkak i një pandemie është dëshmuar të ketë qenë tokë e frytshme për ide. Njëjtë dhe për Redon Kikën

“Çështja ka qenë se si me e gjet një ide origjinale për filmin diçka më të prekshme dhe personale. E për mua sa herë që kam ngërrçe kreative i kthehem një fletoreje ku mbaj shënime dhe një ditë duke e shfletuar atë, më ra në sy një titull, ‘I have never been on an airplane’. Përpos këtij titulli ka pasur dhe të tjerë si ‘This city is limiting me’ e shënime të tjera të ngjashme që kanë lindur pas bisedave rreth izolimit me shoqërinë”, ka thënë ai. Ishin diskutime të zhvilluara në një kohë kur e gjithë bota ndante një fat, por për Kosovën nuk ishte krejt e panjohur kjo ndjenjë.

“Kështu pastaj lindi ideja që ta dokumentoj këtë izolim të dyfishtë, e kam kapur fletoren dhe e kam shkruar idenë në ato momente në kafene”, ka kujtuar Kika.

Kishte katër javë kohë që të dorëzonte një film të shkurtër 2-3 minutash dhe si rezultat i kësaj iu përveshën punës ai bashkë me Tringa Sefedinin, Atdhe Behlulin e Jeta Veselin, si karaktere nga shoqëria e tij, të cilët asnjëherë nuk kishin pasur mundësinë të udhëtonin.

“E kam pasur mundësinë të udhëtoj prej moshës 15-vjeçare, andaj e di mirë se sa transformativ ka qenë si eksperiencë udhëtimi im i parë, e ne ishim 20-vjeçarë në atë kohë kur filluam xhirimet dhe ka qenë për mua e pakapshme se si shoqëria ime me të cilën kaloj kohë çdo ditë, nuk ka udhëtu asnjëherë”, ka thënë ai.

Ishte ballafaqimi i tij me këtë fakt që e shtyu atë në një nevojë për ta zhvilluar filmin e shkurtër në një narrativë më të gjatë. Dokumentari i shkurtër i cili paraqet tre personazhet si personifikime të shumë kosovarëve që nuk patën fatin të udhëtojnë asnjëherë me aeroplan, paraqitet si pikënisje, rreth të cilës zhvillohet filmi i gjatë me të cilin autori këtë radhë mundohet t’u ikë shablloneve të filmbërjes, duke e zhvilluar atë në një mënyrë më poetike e artistike. E suksesin e dokumentarit të shkurtër, autori e rikujton si një projekt i cili ishte pritur mjaft mirë.

Image
Atdhe Bahluli, Jeta Veseli e Tringa Sefedini në “I have never been on an airplane”

“Me të kemi marrë pjesë fillimisht në ‘DokuFest’, pastaj ka qenë pjesë e platformave të ndryshme edukative, ka qenë pjesë edhe e Winterthur Film Festival dhe si i tillë ka rezultuar si shtysë për me besu në potencialin e idesë së filmit të gjatë”, ka thënë ai. Identifikimi i njerëzve me filmin e shkurtër dhe pritja e mirë që iu bë, hapi dyert që filmi të shfaqej ironikisht në shumë vende të botës, nga Berlini e deri në Izrael. Evidentimi i potencialit që ky film i shkurtër kishte që të zgjerohej në një prodhim më të gjatë, u konkretizua me vendimin për të aplikuar për subvencionim në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Por, këtë hap ai e nisi fillimisht duke matur pulsin e bashkëpunëtorëve.

“Kur kam fillu me mendu me e nis këtë aventurë më është dukur sikur një eksperiencë që mundet me na ndryshu jetën të gjithëve, andaj e kam hedh nganjëherë si ide me e shiku, se si po e presin njerëzit afër meje dhe ja ku jemi tash!”, ka thënë Kika.

Eksperienca e parë me një film të një kalibiri të tillë, përveç sfidave krijuese, qe dhe eksperienca e parë me ndeshjet institucionale, gjegjësisht QKK-në.

“Për mua si individ ka qenë jashtëzakonisht stresues si proces, fillimisht sepse nuk jam ndjerë i kualifikuar për një punë të tillë dhe asnjëherë nuk kam besuar që një institucion si QKK-ja mundet me i besu një artisti të ri i cili nuk ka studiuar për film, por vjen nga një prapavijë që është aktrimi”, ka thënë Kika, duke ndarë detaje të tjera rreth procesit të cilin ai e kujton si periudhë të ngjeshur me stres e ankth. Por që me të fituar thirrjen, ai bashkë me grupin kishin ndjerë një lehtësim të madh, që i hapi rrugë përvjeljes së mëngëve.

Regjisori i kishte vënë vetës qëllimin që filmi të trajtohej nga spektri personal i çdo subjekti në të, duke iu shmangur trajtimit politik dhe hulumtues të temës duke mos e mjegulluar atë me informacione nga jashtë por të tregohet historia nga sytë e karaktereve në film.

“Jam munduar që qysh nga fillimi me u fokusu më shumë tek ana personale, që kur të shikohet filmi, me u lidhë me personazhet e jo situatën sepse në fund të ditës ky film nuk është vetëm një film për vizat, por është një film që tregon jetën e tre të rinjve kosovarë në të 20-tat e tyre duke eksploruar vetën”, ka thënë regjisori.

Xhirimet kishin filluar me të marrë buxhetin, qysh në janar të vitit 2021. Në film, xhirohet përditshmëria e protagonistëve, arritjet e tyre dhe sfidat e procesit të aplikimit për vizë Schengen, të cilat shfaqin shumë mund, tension e reflektim rreth procedurave burokratike karshi të drejtës themelore për lëvizje, si një betejë të cilën një kosovar me doemos duhet ta kalojë. Të planifikuara qenë dy vizita pas zhvillimeve të ndryshme në film, ajo në Berlin e Lisbonë.

“Për të tre, Berlini dhe Lisbona kanë qenë zgjedhje për arsye të ndryshme për gjithsecilin, andaj kemi vendosur që xhirimet me i zhvillu edhe në këto dy vende, krahas Kosovës”, ka thënë ai.

Në film, shikuesit do të kenë mundësinë të shohin zhvillimet e këtyre personazheve, nëpërmjet këndvështrimit të tyre personal. Përtej kësaj, filmi do të shërbejë dhe si një pasqyrë e etosit të vitit 2020 për të rinjtë në Kosovë. Aty trajtohet ndikimi që ka pamundësia e udhëtimit për ta, e cila pavarësisht dallimit që kanë problematikat dhe ndikimi i ndryshëm rreth këtij hendeku. Nuk përjashtohet fakti se si ndjesi mund të bashkëndjehet dhe kolektivisht pasi që ka pikëtakime të shumta.

Fluturimi i parë dhe kahe tjetër gjatë xhirimit

Vetë protagonistët, procesin e xhirimit të filmit e shohin dhe si një shteg i cili i fton në vetëreflektim, duke e vlerësuar dhe momentumin që ngjau në mes të xhirimeve.

“Kur më ka ftuar Redoni me qenë pjesë e dokumentarit, as që e kemi menduar se do të ndodhë liberalizimi i vizave, por ja që ndodhi! Dhe ky fakt, ia shton rëndësinë këtij dokumentari”, ka thënë Tringa Sefedini, protagoniste në film, e cila ka theksuar se është e kënaqur që ka arritur të dokumentohet ky ndryshim.

Ky realitet politik, i cili ka prekur shumë grupmosha të caktuara, duket se në raport me rininë dhe mënyrën se si ata e përjetojnë atë, nuk është diskutuar aq sa duhet dhe rrjedhimisht filmi e tregon dhe këtë anë, nëpërmjet përjetimeve të tyre dhe artikulimit të sinqertë që ata u bëjnë ndjenjave nën trysninë e izolimit.

“Mendoj që përgjithësisht të rinjtë janë të hequr nga narrativet politikëbërëse dhe perspektiva e përjetimeve tona, si te rinj karshi këtij realiteti, shpeshherë është mohuar e me këtë dokumentar theksi vendoset te jeta e tre të rinjve, që mundohen me e riorientu jetën e tyre dhe duke e marrë nën kontroll diçka që kemi mendu që nuk na takon”, ka thënë Sefedini. Sipas saj, vetë ky rrëfim i jetëve të tyre pa shumë përpjekje e tregon një realitet të sinqertë të gjeneratës.

Atdhe Behluli, protagonist tjetër në film, ka thënë se udhëtimi jashtë vendit nuk kishte qenë asnjëherë në mendjen e tij, pasi që nuk i ishte ofruar asnjëherë si mundësi e këtë ai e sheh si pikë të fortë të dokumentarit. E tash, në pritje të liberalizmit të vizave, si akti i kryer tashmë, ai e vlerëson rolin e këtij dokumentari si mjaft të rëndësishëm në reprezentimin e gjeneratës së tij.

“Fillimisht, nuk e kam menduar kurrë gjatë dokumentarit të shkurtër që unë, Tringa, Jeta e Redoni me ndonjë mënyrë jemi reprezentues të gjeneratës tonë, por kur kemi vazhduar me dokumentarin e gjatë, e kam parë se sa e rëndësishme është për mua dhe të tjerët që janë sfiduar nga ky realitet. Tash, më në fund po e shohim progresin e Kosovës, pasi që shumë shpejtë kemi me qenë të lirë, kemi me udhëtu pa viza, po e shoh se sa të rëndësishëm kemi qenë ne si personazhe dhe dokumentari për gjeneratën tonë që tërë jetën e vet e ka pritur liberalizimin dhe e ka përjetuar izolimin“, ka thënë Behluli.

Për Jeta Veselin, ideja e udhëtimit jashtë vendit nuk përkonte me realitetin e jetuar, andaj si e tillë për të ishte krejt e paprekshme. “As nuk e kam leju veten me pas dëshirë me udhëtu jashtë vendit, sepse në rrethin tim ka shumë njerëz që nuk kanë hipur asnjëherë në aeroplan. Por tash, pas udhëtimit tim të parë, nuk mundem me imagjinu, me më kalu viti pa shku me vizitu ndonjë vend të ri”, ka thënë Veseli. Ka shtuar të kenë qenë me fat që ngjarjet rrjedhën ashtu që fiks gjatë xhirimeve, filloi procesi i liberalizimit.

”Ne kemi qellu në një moshë, në të cilën kemi kaluar në tranzicione të mëdha në jetë, e në të njëjtën kohë kemi pasur rastin edhe me udhëtu për herë të parë”, ka thënë ajo.

Por regjisori, përtej izolimit, në dokumentar synon ta fokusojë edhe një aspekt tjetër krejt të veçantë, që sërish lidhet me përjetimet e të rinjve.

“Personazhet duke u rritë bashkë me qytetin përmes ndërtesave. Është një detaj tjetër që po dua ta shoh më shumë në film, sepse kudo që shkon sheh ndërtime dhe rrjedhimisht më ka lindur ideja me e kërku një paralele nëpërmjet karaktereve dhe ndërtesave”, ka thënë Kika. Muzika do të luaj rol shumë të madh në film.

“Përmes muzikës dhe dizajnit tingullor kemi me u mundu që me e kriju një rrëfim poetik, me e ruajt poetizmin që e ka secili personazh në film brenda vetes”, ka thënë ai.

E ardhmja e xhirimeve duket se do të përcaktohet nga zhvillimet e tjera politike dhe kryesisht momenti i shumëpritur i 1 janarit. Ai synon që ta dokumentojë atë kaos dhe të përmbyllen xhirimet në muajin janar. Por në rast se ka ndonjë zhvillim tjetër politik që do ta ndryshonin kahen e filmit, xhirimet do të vazhdojnë.