Rreth pesë orë ka zgjatur ndeja që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka organizuar yllit botëror, Rita Ora, të hënën mbrëma. Ka takuar edhe personalitete vendore të artit e të showbizit. Se do të ketë projekt ku përfshihen edhe artistë vendorë e ka konfirmuar presidentja Osmani për KOHËN. “Diskutuam mbi të gjitha për projekte që do të jenë në të mirë të Kosovës, mbi të gjitha, në të mirë të rinisë së Kosovës në të ardhmen...”, ka thënë Osmani, të hënën vonë. Zëri i Kosovës në botë nuk ka folur
Se Rita Ora tok me bashkëshortin e saj, regjisorin e aktorin Taika Waititi dhe producenten Odessa Rae do të realizojnë projekt në Kosovë, është e konfirmuar. E shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë, ylli botëror i muzikës pak pas orës 19:00 të së hënës është ndalur te një restorant në periferi të kryeqytetit. Qenë mysafir të presidentes Vjosa Osmani. Aty Ora, e cila këto ditë po qëndron në Kosovë – për të festuar ditëlindjen e 33-të – është pritur edhe nga një pjesë e komunitetit të cilit i takon. Regjisorë vendorë tashmë të njohur në botë, aktorë e këngëtarë lokalë, qenë po ashtu mysafirë të presidentes Osmani për të pritur Orën, ashtu sikurse edhe një pjesë e korit diplomatik. E hëna ka qenë dita e dytë e vizitës në vendlindje të zërit të Kosovës në botë.
Me të hyrë në sallë, ylli i popit është nderuar nga të pranishmit. Të ngritur në këmbë e të renditur njëri pas tjetrit, nikoqirët i kanë uruar mirëseardhje Orës e cila herën e fundit para kësaj vizite, në Kosovë ishte para 4 vjetësh. Me çehren prej mirësjelljeje që e shfaq zakonisht në paraqitje publike, Ora është dukur jo pak e impresionuar nga pritja. Krahas presidentes Osmani, aty ishin regjisori Samir Karahoda bashkë me koleget Blerta Zeqiri e Blerta Basholli. Që të tre të njohur ndërkombëtarisht me filmat e tyre, ndërsa Zeqiri tash është drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovë. Pos tyre, në ndejën e organizuar nga presidentja Osmani ishin edhe këngëtarët Dafina Zeiqiri, Alma Bektashi, Jehona Sopi e Yll Limani. Këngëtarja e aktorja Edona Reshitaj, aktori Besart Sllmaniku e disenjatori Valdrin Sahiti qenë midis atyre që ka pritur Orën. Ndejës i janë bashkuar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ai i Britanisë së Madhe Nicholas Abbott. Nuk ka munguar as kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me bashkëshorten.
Ndeja e planifikuar të zgjaste deri në orën 23:00 e ka prekur mesnatën. Të pranishmit kanë pasur muhabete prej më të ndryshmeve. Disa prej këngëtarëve, si Dafina Zeqiri, Yll Limani e Edona Reshitaj edhe kanë performuar shkurt për të pranishmit. Gjatë gjithë kohës, të pranishmit kanë përjetuar atmosferë të mirë. Kanë folur edhe për projekte. Ora kësaj radhe në vizitë pos bashkëshortit të saj, aktorit e regjisorit Taika Waititi është shoqëruar edhe nga një emër i njohur i kinematografisë në botë, nga aktorja e producentja Odessa Rae – producente e dokumentarit “Navalany” që vjet mori “Oscar”.
Krejt bashkë planifikojnë projekt në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo për KOHË-n ka thënë se Rita Ora ka qenë një prej zërave që jashtëzakonisht shumë e ka promovuar Kosovën.
“Natyrisht sa më lart që ajo është ngritur në majat botërore, aq më lart e ka ngritur edhe Kosovën dhe qytetarët e saj, në veçanti rininë e Kosovës”, ka thënë presidentja Osmani. Sipas saj, në nderim të Orës së bashku me të dhe një rreth miqsh të suksesshëm në fusha të ndryshme në Kosovë kanë festuar ditëlindjen e Orës.
“Në prag të 28 Nëntorit, festuam së bashku me të, familjen e saj dhe njerëzit që asaj i qëndrojnë gjithnjë afër në sukseset e saj”, ka thënë ajo. Më pas ka treguar edhe për planet në të ardhmen.
“Diskutuam mbi të gjitha për projekte që do të jenë në të mirë të Kosovës, mbi të gjitha në të mirë të rinisë së Kosovës në të ardhmen dhe shpresojmë shumë që këto punë të përbashkëta të cilat do t’i bëjmë tash e tutje, frytet e tyre do t’i shohin të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Vetë Rita Ora ka preferuar që të mos japë deklaratë për ndejën dhe planet e saj sa i përket Kosovës.
Paraprakisht gjatë ditës së hënë, Ora me bashkëshortin Waititi ishin mysafirë të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama. Ai i ka nderuar me “Çelësin e Prishtinës”, si simboli që u jepet njerëzve që kryeqyteti i ka për nder t’i ketë mysafirë dhe nëpërmjet Çelësit, përcillet porosia se ai qytet gjithnjë ka dyert e hapura për personalitetet që u dhurohet kjo dekoratë.
“Në emër të kryeqytetit, ju dhuruam ‘Çelësin e Qytetit’ për emocionet e veçanta që na dhuroni, dhe Rita përfaqësimin e dinjitetshëm që na bën në mbarë botën. Faleminderit Rita për dhuratën, albumi yt i ri është fantastik! Prishtina ju pret me zemër hapur sot e përherë!”, ka shkruar Rama në rrjete sociale.
Ora në Kosovë ka ateruar të dielën. Në aeroport ishte pritur nga kryetari i Prishtinës, përderisa më pas ishte takuar me kryeministrin Albin Kurti. Ky takim ishte publikuar nga një video e realizuar në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Kur e ka shpërndarë videon nga takimi, kryeministri Kurti ka shkruar se “Rita Ora ka arritur majat më të larta të suksesit dhe njohjes në mbarë botën, duke nderuar gjithmonë rrënjët dhe kulturën e saj në atdhe”.
“Ishte një nder të mikpritja atë dhe Taika Waititi sot në ditëlindjen e saj. Kosova, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re duken pa kufij përballë artit”, kishte shkruar ai.
Disa orë pas pritjes së yllit botëror, Zyra për Komunikim Publik e Zyrës së Kryeministrit kishte dalë me komunikatë për media.
“Gjatë këtij takimi miqësor, ata folën për fushën e artit e të kulturës në Kosovë. Duke pasur parasysh planet e Qeverisë për të zhvilluar industrinë e filmit vendor, u theksuan marrëveshjet e bashkëpunimit që Kosova ka me vendet e saj partnere në fushën e filmit, ku u veçua ai me shtetin e Francës”, shkruhej në komunikatë. Po aty shkruhet se “u trajtuan dhe mundësitë e format e bashkëpunimit me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare jashtë vendit, përmes artistëve, muzikantëve e regjisorëve të rinj”.
“Ajo theksoi dëshirën për t'u angazhuar më tej e thelluar bashkëpunimin sidomos për të kontribuar për artistët e rinj nga Kosova, veçanërisht nga bota e muzikës dhe filmit”, citohet Ora.
Ylli botëror, njëkohësisht Ambasadore Nderi e Kosovës qysh prej vitit 2015, paraprakisht në Prishtinë kishte qenë me karakter humanitar. Më 2019 kishte realizuar një fushatë me Fondin për Mbrojtjen e Fëmijëve – UNICEF. Këngëtarja kishte bërë edhe një paraqitje të shkurtër publike atëkohë, në ngjarjen vjetore të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë “Activate Talks”.
Më 17 shkurt të 2018-s kishte mbajtur koncert me rastin e jubileut të 10-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet kishte dalë në skenë me urimet në gjuhën shqipe e veshur me ngjyrat kuqezi. Skena gjigante dhe imazhi i sheshit të mbushur me njerëz, mbi të gjitha, interpretimi fantastik i këngëtares kishte qenë fotografia me të cilën u dokumentua mbrëmja në të cilën Ora – e lindur në Prishtinë më 1990 prej prindërve që kishin lënë Kosovën në vitin 1991 – e kishte kthyer vëmendjen e botës nga shteti i izoluar në Evropë. Përvjetori i dhjetë i Pavarësisë qe bërë sebep që këngëtarja të rikthehej me namin e yllit. Të parën herë, më 2012, kur fama e saj veç kishte marrë hov, në Prishtinë e realizoi klipin e këngës “Shine ya light”. U konsiderua si imazhi më i mirë i shtetit të ri. Tre vjet më vonë u emërua Ambasadore Nderi e Kosovës. Me krejt këto epitete e dekorata Ora e lindur me 26 nëntor të vitit 1990, duket se nuk do të ndalet me projekte sa i përket Kosovës.
“Do të kemi projekte të mrekullueshme për vitin e ardhshëm. Ky udhëtim dhe ky takim më kanë bërë shumë emocionuese për të ardhmen”, kishte thënë të dielën pas takimit me kryeministrin.
E këto projekte i ka konfirmuar edhe presidentja Vjosa Osmani. Ndërsa kur Ora merr përsipër të bëjë diçka, dihet qartazi – promovon Kosovën gjithandej botës.