EXPRESS

Rita Ora me presidenten e artistë vendorë konfirmon projekt në Kosovë

E shoqëruar nga bashkëshorti Taika Waitit dhe nga bashkëpunëtorë të tjerë, ylli botëror i muzikës pak pas orës 19:00 të së hënës është ndalur te një restorant në periferi të kryeqytetit. Qenë mysafirë të presidentes Vjosa Osmani. Aty Ora, e cila këto ditë po qëndron në Kosovë – për të festuar ditëlindjen e 33-të – është pritur edhe nga një pjesë e komunitetit të cilit i takon. Regjisorë vendorë tashmë të njohur në botë, aktorë e këngëtarë lokalë, qenë po ashtu mysafirë të presidentes Osmani për të pritur Orën, ashtu sikurse edhe një pjesë e korit diplomatik. E hëna ka qenë dita e dytë e vizitës në vendlindje të zërit të Kosovës në botë.

Me të hyrë në sallë ylli i popit është nderuar nga të pranishmit. Të ngritur në këmbë e të renditur njëri pas tjetrit nikoqirët i kanë uruar mirëseardhje Orës, e cila herën e fundit para kësaj vizite në Kosovë ishte para 4 vjetësh.

Ndeja e planifikuar të zgjaste deri në orën 23:00 e ka prekur mesnatën.

Ora kësaj radhe në vizitë pos bashkëshortit të saj, aktorit e regjisorit Taika Waititi, është shoqëruar edhe nga një emër i njohur i kinematografisë në botë, nga aktorja e producentja Odessa Rae – producente e dokumentarit “Navalany” që vjet mori “Oscar”.

Krejt bashkë planifikojnë projekt në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo për KOHËN ka thënë se Rita Ora ka qenë një prej zërave që jashtëzakonisht shumë e ka promovuar Kosovën.

“Natyrisht sa më lart që ajo është ngritur në majat botërore, aq më lart i ka ngritur edhe Kosovën dhe qytetarët e saj, në veçanti rininë e Kosovës. Në prag të 28 Nëntorit festuam së bashku me të, familjen e saj dhe njerëzit që asaj i qëndrojnë gjithnjë afër në sukseset e saj”, ka thënë ajo.

Më pas ka treguar edhe për planet në të ardhmen.

“Diskutuam mbi të gjitha për projekte që do të jenë në të mirë të Kosovës, mbi të gjitha në të mirë të rinisë së Kosovës në të ardhmen dhe shpresojmë shumë që këto punë të përbashkëta të cilat do t’i bëjmë tash e tutje, frytet e tyre do t’i shohin të gjithë qytetarët tanë”.

Vetë Rita Ora ka preferuar që të mos japë deklaratë për ndejën dhe planet e saj sa i përket Kosovës.

Paraprakisht gjatë ditës së hënë Ora me bashkëshortin Waititi ishin mysafirë të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama. Ai i ka nderuar me “Çelësin e Prishtinës”, si simboli që u jepet njerëzve që kryeqyteti i ka për nder t’i ketë mysafirë.

Ora në Kosovë ka aterruar të dielën. Në aeroport ishte pritur nga kryetari i Prishtinës, përderisa më pas ishte takuar me kryeministrin Albin Kurti.